in

Zelensky: Lufta duhet të bartet në Rusi

 

Ukraina ka ndërmarr ditët e fundit një seri sulmesh në aeroportet dhe rafineritë ruse. Presidenti Zelensky kërkon që Perëndimi të japë leje, për përdorimin e armëve të rënda.

Sipas Presidentit Zelensky Ukraina duhet të vazhdojë me sulmet e saj të gjera kundër Rusisë. “Ukraina duhet të godasë, të kryejë sulme vërtet të gjera kundër okupatorit rus”, tha Zelensky në fjalimin video të mbrëmjes në lidhje me sulmet e fundit të forcave të armatosura ukrainase kundër objektivave në territorin rus. Sulmet kundër aeroporteve ruse, rafinerive të naftës dhe objekteve logjistike janë veçanërisht efektive “kur pasojat e luftës ruse të barten në shtëpinë e tyre dhe armiku nuk ka vend për paqe në territoret e pushtuara të vendit tonë”.

Ushtria ukrainase kohët e fundit ka sulmuar disa herë objektiva në territorin rus. Sulmet me dronë u vunë flakën disa depove të karburantit. Kanali rus Telegram Mash, shpërndau video që pretendonin të tregonin zjarre të tilla në rajonin e Rostovit. Guvernatori Vasily Golubyev konfirmoi sulmet në rajonet Kamensk dhe Morozovsk, ku u dëmtuan disa objekte. Ai shkroi në Telegram se 55 dronë ukrainas janë numëruar vetëm në rajonin e Rostovit.

Sipas raporteve të Mash, sulmet kishin në shënjestër edhe bazat ajrore ruse Morozovsk dhe Millerovo në rajon. Një depo municioni në bazën ajrore Morozovsk u godit me bomba rrëshqitëse, tha Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës në Kiev. Nuk kishte asnjë konfirmim për këtë nga pala ruse.

Nëndetësja ruse e fundosur?

Ukraina mori gjithashtu përgjegjësinë për fundosjen e një nëndetëse ruse. Shtabi i Përgjithshëm në Kiev tha se një sulm i kombinuar me raketa dhe anije shpërthyese goditi një sistem anti-ajror rus S-400 dhe fundosi një nëndetëse me naftë në portin detar të Sevastopolit në gadishullin e okupuar të Krimesë. Nëndetësja “Rostov-on-Don”, e ashtuquajtura varkë e klasit Kilo që u nis vetëm dhjetë vjet më parë, u fundos menjëherë. Raporti i fundosjes nuk mund të konfirmohej në mënyrë të pavarur. Nuk ka pasur asnjë koment nga pala ruse.

Zelensky përsëriti thirrjen e tij për partnerët perëndimorë të Ukrainës që të japin lejen, për të përdorur armët e rënda që ata ofrojnë – raketa lundrimi dhe raketa – kundër objektivave në territorin rus. “Ne kemi nevojë për këtë vendim në mënyrë që të mund të përdorim të gjitha armët që mund të jenë efektive”, tha Zelensky. Deri më tani, Ukraina mund të përdorë vetëm drone luftarake të prodhimit të saj, por fuqia shpërthyese e armëve të tilla zakonisht nuk është e mjaftueshme.

“Ne duhet të mbrojmë jetën e njerëzve tanë dhe t’i japim fund luftës sipas kushteve të Ukrainës”, tha Zelenskyj, duke justifikuar kërkesën e tij. “Dhe çdo goditje që i përgjigjet me saktësi bombave ruse, që shkatërron logjistikën ruse dhe bazat ruse, që e bën më të vështirë për pushtuesin të qëndrojë në tokat tona – çdo goditje e tillë sjell një fund të drejtë të luftës më afër.”

Zelensky faleminderon partnerët për sanksionet kundër Moskës

Zelensky falënderoi edhe një herë partnerët e vendit të tij për mbështetjen e tyre, veçanërisht për presionin e tyre ndaj Moskës. “Të gjitha sanksionet, të gjitha vendimet, çdo formë presioni ndaj agresorit për shkak të kësaj lufte duhet të vazhdojë të funksionojë dhe të forcohet në mënyrë që shteti rus të mos mund t’i anashkalojë sanksionet”, tha Zelensky. “Sa më e vështirë të jetë për Moskën të mbajë prodhimin e saj ushtarak dhe të furnizojë ushtrinë, aq më shumë do ta detyrojë Rusinë të bëjë paqe.”

Zyrtarët ushtarakë nga të dyja palët raportuan për luftime pothuajse në të gjithë sektorët e frontit në Ukrainë. Edhe një herë, rajoni në perëndim të Donbass ishte skena e luftimeve të ashpra, siç raportuan unanimisht krerët ushtarakë rusë dhe ukrainas. Asnjë informacion nuk u dha për ndërrime të mundshme të frontit në favor të njërës prej palëve ndërluftuese.

Burimi: ntv.de, sba/dpa, Nga Gjermanishtja: Sherif Ramabaja

Ç’po ndodh me Gjermaninë, ekonomia në rënie, papunësia rekord

Stano po u bashkohet sulmeve të Serbisë e Rusisë ndaj Kosovës!