Ministria e Shëndetësisë, të premten, ka marrë vendim që nga sot të kufizohet orari i punës për disa kategori. Kjo në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për shkak të rritjes së konsiderueshme të temperaturave në ditët në vijim, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.
Sipas këtij vendimi, nga sot e deri më 20 korrik, lirohen nga puna gratë shtatzëna, në rast të pamundësisë së lirimit nga puna, sipas paragrafit 1 të këtij vendimi, gratë shtatzëna punojnë nga shtëpitë.
Kurse, qytetarët me sëmundje kronike punojnë me orar të shkurtuar deri në 4 orë në ditë. Puna ndalohet edhe në sektorin e ndërtimtarisë, në ambiente të hapura, gjatë orarit 11:00 – 17:00, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Ministria e Shëndetësisë thotë se varësisht prej temperaturave që mbizotërojnë gjatë muajit korrik dhe gusht 2024, ndërmerren masa të tjera.
Ky vendim, sipas kësaj ministrie, është marrë duke pasur parasysh praktikat më të mira për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve gjatë periudhave me temperatura të larta.