in

Rama: Ibrahim Rugova, ati themelues i Kosovës së lirë

(E plotësuar) Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi” për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ka thënë se Ibrahim Rugova e ka shënjuar historinë e shqiptarëve me një gjurmë sa të rrallë aq edhe të domosdoshme.

Kryeministri Rama ka theksuar se Ibrahim Rugova, ati themelues i Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike ishte një shqiptar si i dalë nga brinjët malore të historisë sonë.

“Një intelektual si i nxjerrë nga koleksioni i portreteve të periudhës romantike; një politikan si i rrahur me vajin dhe uthullën e odës patriarkale; një udhëheqës si i krijuar për të mos u futur dot në asnjë kornizë të gatshme; një figurë që edhe sot e gjithë ditën është e vështirë ta përmbledhësh si një të tërën, pa i hyrë në hak harmonisë mes pjesëve”, ka deklaruar Rama.

Ai ka vlerësuar se “Ibrahim Rugova ishte edhe mbetet më atipiku i politikanëve shqiptarë, i papërsëritshëm, i paimitueshëm, i pashpjegueshëm dot deri në fund me mënyrën dhe për mënyrën se si arriti t’u imponojë njerëzve rrugën e ujit të rrjedhshëm që duket sikur rri në vend teksa formon shtratin e vetë”.

Rama citoi edhe shkrimtarin e njohur Ismail Kadare kur shkruan: “Ibrahim Rugova, kryetar pa pallat dhe pa komb, luftëtar idesh, luftëtar i paqes, një burrë këmbëngulës dhe i vetmuar që dërgoi popullin e vetë drejt një të ardhmeje që nuk do të ishte veçse e mirë, ku afër tij kaloi historia”.

“Kur në 24 maj të vitit 1992, në të ashtuquajturën zgjedhje ai i vetëshpall President i Kosovës për herë të parë, pati guximin e gjeniut për faktin se nuk rrezikoi jetën, por rrezikoi diçka edhe më të rëndësishme, atë që jeta krijon dhe lë pas, emrin dhe personalitetin”, ka theksuar Rama.

Rama ka theksuar se Ibrahim Rugova ishte President i shpresës në mes të shtypjes së çdo shprese.

“Kishte jetuar deri aty mes librash dhe joshjes së kritikës letrare në rrethana tejet të rënda për Kosovën, ku pasioni i studiuesit për dijen dhe fjalën e shkruar ju bë trualli ku u zhvillua përgjegjësia e intelektualit zëdhënës të popullit të vetë. Pikërisht në atë zhvillim e sipër, refuzimin estetik për të cituar titullin e njërës prej veprave të tij shkruar në vitin 1987, ai e ktheu në një refuzim politik, i cili herë merrte formën e predikimit në shkretëtirë, herë merrte trajtën e profecisë në një horizont imagjinar shprese, herë bëhej thirrje ndërgjegjeje ndaj botës për të drejtat e Kosovës, herë dëgjohej si thirrje urtësie në veshët e opinionit në Kosovë”, ka thënë Rama.

“‘Lufta jonë është paqësore, jo e dhunshme. Ajo është e dinjitetshme’, deklaronte Rugova me një kokëfortësi çarmatosëse të një lideri krejtësisht të pazakonshëm për Ballkanin e kthyer edhe njëherë në fuçi baruti në mes të Europës, në një kohë kur fare pak mes atyre shumë pak syve të kthyer nga Kosova ishin ata që arrinin ta lexonin dhimbjen e Kosovës.Dhe teksa kjo lagje e Europës mbytej në renë e gjakut dhe lotëve duke u shpartalluar nga të katër anët nga dhuna, ulet në kolltukut e arsyes brenda një kinemaje urrejtjeje një president pa pallat dhe pa komb, që falë vetëm personalitetit të tij dhe asgjëje tjetër, pritej në Shtëpinë e Bardhë, pritej në Londër, në Romë, në audiencë nga Papa Gjon Pali në Vatikan, duke e zgjeruar si një përrua shtratin e vetë, vëmendjen ndërkombëtare për çështjen e Kosovës”, ka thënë Rama

Lini një Përgjigje

Abdixhiku: Liria erdh siç e kishim besuar të gjithë

Kush është shqiptari i parë nga Kosova që u zgjodh eurodeputet në parlamentin europian