Krasniqi gjithashtu krahasoi vështirësitë e kishës ungjillore në sigurimin e tokës për ndërtesa me favorin e pretenduar që e gëzon kisha ortodokse, e cila së fundi mori 24 hektarë nga shteti.
“Do të ishte sfiduese të marrim të paktën 1% të saj për një kishë ungjillore,” vuri në dukje Krasniqi.
Diskriminimi dhe dhuna kundër pakicave të krishtera në Kosovë vazhdon të jetë e përhapur, përkundër ligjeve zyrtare në vend që mbrojnë lirinë e besimit.
Kishat ungjillore përballen me kufizime të caktuara nga burokracitë lokale, sipas Anja Hoffmann, drejtoreshë ekzekutive e Observatorit mbi Intolerancën dhe Diskriminimin kundër të Krishterëve në Evropë (OIDACE). Hoffmann i tha Christian Daily International se të krishterët ballafaqohen me kundërshtime kur organizojnë aktivitete të kishës.
“Përderisa e drejta për lirinë e fesë është e sanksionuar në Kushtetutën e Kosovës, diskriminimi dhe dhuna fatkeqësisht janë ende mjaft të përhapura kundër pakicave të krishtera në vend”, tha Hoffmann.
Vështirësitë në nivelet administrative pengojnë posaçërisht kishat ungjillore, tha ajo.
“Për shkak se ligji nuk siguron asnjë mekanizëm për të marrë status ligjor përmes regjistrimit, nuk është e mundur që komunitetet religjioze të zotërojnë prona, të hapin llogari në bankë ose të punësojnë staf si një entitet kolektiv,” tha Hoffman.
Gjithashtu ungjillorët raportojnë për diskriminim në qasjen në të drejtat ligjore të pronës dhe varrimit, gjë që i parandalon për të kryer shërbimet funerale bazuar në besimet e tyre.
Pastor Artur Krasniqi drejton kishën Bashkësia e Popullit të Zotit në Prishtinë për gati 25 vite. Ai i tha Christian Daily International se persekutimi i të Krishterëve ungjillor në vendin e tij është delikat duke e quajtur “persekutimi i heshtur” dhe “diskriminim me ligje,” duke shtuar “nuk është e lehtë për ne.”
Për shembull, kur të krishterët vdesin, të mbijetuarit nuk kanë zgjidhje tjetër veçse t’ju bëjnë atyre një ceremoni myslimane varrimi, të udhëhequr nga një hoxhë në një varrezë myslimane, sipas Krasniqit.
“Kështu që, secili i Krishterë duhet të mendojë se si do të varroset – është e pabesueshme,” tha Krasniqi. “Ne jetojmë me këto sfida çdo ditë, por ne mundohemi t’i shohim këto sfida si mundësi për ungjillin. Ne nuk jemi dorëzuar, ne kemi forcën dhe dëshirën për ta ndryshuar këtë situatë për të mirë, si një trashëgimi për fëmijët tanë. Pavarësisht se radikalizmi islamik këtu po rritet, unë kam shpresë për këtë vend.”
Krasniqi gjithashtu krahasoi vështirësitë e kishës ungjillore në sigurimin e tokës për ndërtesa me favorin e pretenduar që e gëzon kisha Ortodokse, e cila së fundi mori 24 hektarë nga shteti.
“Do të ishte sfiduese të marrim të paktën 1% të saj për një kishë ungjillore,” vuri në dukje Krasniqi.
Mbijetimi i luftës
Kisha e Krasniqit, e cila filloi në vitin 1985, ishte kisha e parë shqipe e Kosovës e njohur në botë. Krasniqi kujtoi problemet e vitit 1980 për të marrë leje nga autoritetet komuniste për një ndërtesë.
“Autoritetet e asaj koha na thanë, ‘Edhe nëse vet Krishti zbret në këtë oborr, ju nuk do të keni kishë këtu’ – por kisha ka vazhduar përpara dhe komunizmi ka rënë turpshëm,’ tha ai. “Kam guximin të them që Zoti do të bëjë më shumë në të ardhmen.”
Krasniqi kujtoi zhvillimin e bërë në vendin e tij prej Luftës në Kosovë nga Shkurt 1998 deri në Qershor 1999 mes Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Forcat jugosllave u tërhoqën vetëm pasi Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) miratoi sulmet ajrore në mars të vitit1999.
Kur ranë për herë të parë bombat e NATO-së, Krasniqi qëndroj në banesën e tij në Prishtinë me vëllain e tij dhe të krishterë të tjerë.
“Kur nga aeroplanët filluan të binin bombat e para, ne ishim të gëzuar”, tha Krasniqi. “Sidoqoftë, shpërthimet e forta dhe vrasjet nga ushtria në terren e ndërprenë lumturinë tonë. U shtrimë nën një tavolinë të veshur tërësisht, por gati për të ikur nëse do të duhej.
“Kurrë nuk do ta harroj kur dëgjova bombat herën e parë. Ishte shumë traumatike. Zonja që lexonte lajmet në televizor tha papritmas: “Ju uroj çdo të mirë” ndërsa njoftoi se aeroplanët e NATO-s sapo ishin larguar nga fushat ajrore në Itali. Bombardimi ishte si një erë e fortë që goditi qytetin. Dridhja e mureve ishte aq e fortë dhe gjërat e varura në mure thjesht ranë dhe dritaret u krisën.”
Krasniqi tha se ai mundi vetëm të vishte xhaketën e tij dhe të shtrihej në dysheme.
“Nuk isha i sigurt nëse banesa do të bjerë”, tha ai “Nuk ishte si një film hollivudian, ku mund të ndryshoni kanalin.”
Sulmet bombarduese sollën ndryshime të mëdha brenda një periudhe 24-orëshe.
“Fqinjët nuk donin të flisnin me mua, gjithçka ndryshoi, ishte një atmosferë lufte,” kujton ai. “Por gjëja më e vështirë ishte dyqani i bukës. Shkova në rrugë dhe u bashkova me një rresht të gjatë njerëzish që pritnin në radhë për bukë.”
Kur erdhën kamionët e bukës, shitësi ndante dy bukë për person.
“Më pas u bë zhurmë në radhë dhe disa njerëz filluan të largoheshin nga radha pasi letërnjoftimet e tyre i identifikonin si shqiptarë. Më thanë që asnjë shqiptar nuk lejohej të blinte bukë dhe kështu shkova në shtëpi. Isha në grupin e gabuar etnik për të blerë bukë!”
Kujtimi i dyqanit që nuk i jepte bukë për shkak të identitetit të tij shqiptar vazhdon ta shqetësojë.
“Unë kam dy djem dhe lutem që të mos përballen kurrë me diçka të tillë, këtu në Kosovë – të diskriminohen për shkak të përkatësisë së tyre etnike”, tha ai.
Nevoja për Lutje
Krasniqi tha se numri i ungjillorëve në Kosovë është rritur, por ai është i shqetësuar për efektet mbi ta dhe të krishterët e tjerë nga rritja e materializmit dhe dëshira për të ardhura më të larta për të gjithë.
“Kisha ungjillore në Kosovë është rritur në numër por është dobësuar në cilësi,” tha ai. “Sasia është më e lartë, por cilësia është më e ulët; 25 vjet më parë ne ishim të vegjël por u shërbenim refugjatëve dhe të gjithë ishin të gatshëm të shërbenin, por sot njerëzit janë më të shqetësuar se sa do të paguhen. Njerëzit nuk janë të gatshëm të shërbejnë si ato ditë.”
Krasniqi më 21 mars u kthye nga takimi me Papa Françeskun në Vatikan. Vizita për të diskutuar marrëdhëniet ndër-kishare përfshiu një grup prej 15 pastorëve dhe udhëheqësve ungjillorë nga vende të tjera si Rumania, Polonia, Britania e Madhe, Italia dhe Izraeli.
Papa kaloi dy orë me udhëheqësit ungjillorë, në vend të gjysmë ore të caktuar. Ai i nxiti të pranishmit që të predikonin ungjillin dhe të luteshin me më shumë ngulm.
Edhe Papa Françesku kishte lot në sytë e tij teksa fliste për lutjet e nevojshme për fëmijët e Ukrainës dhe Lindjes së Mesme, tha Krasniqi. Ai e pyeti Papën se kur planifikonte të vizitonte Kosovën dhe ai u përgjigj se do ta vizitojë, megjithëse nuk është konfirmuar asnjë datë. Papa tha gjithashtu se dëshiron të mbështesë vendet më të vogla.
Pyetjet nga pastorët e tjerë ishin për kishën e gjerë.
“Më bënë shumë përshtypje përgjigjet e thella që ai dha”, tha Krasniqi. “Ai tha shumë gjëra për gjendjen e stagnuar të kishës, sepse kisha duhet të vazhdojë të predikojë fjalën. Ai tha se forca e kishës së gjerë është në Fjalën e Perëndisë dhe pa kompromis.”
Papa deklaroi se klerikalizmi në kishë, veçanërisht në Spanjë dhe Itali, nënkuptonte që kishat janë mbyllur brenda ndërtesave në vend që të predikonin fjalën në rrugë, tha Krasniqi. Papa i inkurajoi pastorët të luteshin çdo ditë, duke përmendur rrëfimin biblik të burgosjes së Apostullit Pjetër dhe se si lutjet e ndihmuan atë.
Ai shtoi se disa njerëz mund të mos besojnë në lutje, por se lutja është e fuqishme.
“Nuk kisha pritshmëri se çfarë do të thotë”, kujton Krasniqi. “Ai është gati 90 vjeç dhe ishte mbresëlënëse të shihje zemrën e tij dhe si kujtonte gjërat. Ai kishte kujtesë të mirë.”
Këshilla e tij ishte shumë inkurajuese, tha ai, duke shprehur dëshirën që Kisha Katolike ta dëgjojë dhe ta pranojë.
“Papa tha se donte që trashëgimia e tij të ishte që Kisha Katolike të jetojë për ungjillizimin, sepse Kisha Katolike e ka humbur ungjillizimin. U befasova shumë nga kjo”, tha ai.
Papa gjithashtu inkurajoi protestantët dhe katolikët që të bashkohen më shumë në partneritet, sipas Krasniqit.
“Ai përmendi shembuj në Poloni ku predikuesit katolikë u predikonin kongregacioneve protestante, dhe anasjelltas, predikuesit protestantë te katolikët”, tha Krasniqi.
“Në fund të takimit, ai u lut për ne në një mënyrë normale, thjesht si Jezusi.”


