Shkruan avokati Zanfir Kryeziu
Intelektuali dhe historiani i mirënjohur shqiptarë Viktor Prendi në artikullin e tij me titull “Gani Bej Kryeziu Gjatë Luftës së Dytë Botërore sipas Dokumenteve Arkivore”, të botuar në Vjetarin 2001 shkruan:
Dokumentet arkivore kanë një rëndësi të pazëvendësueshme për pasqyrimin objektiv të veprimtarisë politike e ushtarake të nacionalistëve, në dobi të çështjes kombëtare gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Roli i nacionalistëve në këtë periudhë të vështirë për fatet e kombit tonë është i pamohueshëm. Ata me largëpamësi e përfytyronin shtetin demokratik të tipit të demokracive perendimore.
Ndër figurat më të spikatura të nacionalistëve me orientim politik të qartë pro perendimor më të drejtë ishte Gani Bej Kryeziu. Ai me veprimtarinë e vet, ishte bërë pengesë për realizimin e planeve pushtuese të vendit tonë nga Italia fashiste. Duke parë mbështetjen që gëzonte në rrethet nacionaliste dhe ndikimin e madh që kishte në popullin e Kosovës dhe Malësisë së Gjakovës, autoritetet italiane në bashkëpunim me autoritetet gjermane, dhe së bashku me kuislingët jugosllavë e servilët shqiptarë, pasi që e arrestuan Gani Kryeziun, e transferuan nga burgu i Beogradit dhe e internuan, në ishullin Ventotene të Italisë, së bashku me vëllezërit e tij.
Kryesia e Këshillit të Ministrave njoftonte Ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë se:”.. në bazë të bisedës së bamun nëpërmjet Ministrit Italian në Beligrad dhe Ministrit Fuqiplotë Gjerman, autoritetet gjermane u kanë dorzue karabinierëve italian të burgosurin Gani Bej Kryeziu bashkë me të dy vëllezërit e tij Hasanin dhe Saidin.
Të përmendurit janë dërguar në Itali”. Kjo tregon se Gani Bej Kryeziu ishte element i rrezikshëm, dhe përbënte një pengesë serioze për realizimin e qëllimeve pushtuese të Italisë fashiste në Shqipëri. Ndikimi i tij në popullësinë e Kosovës dhe Malësisë së Gjakovës dhe në rrethet nacionaliste, pasqyrohet qartë edhe në letrën që i dërgon Zef Mala udhëheqjes së lartë të Partisë Komuniste Shqiptare dhe Kristo Themelkos me dt.14.02.1944,në të cilën thuhej: ”këto ditë mora vesh se kanë ardhë në Kosovë vëllezërit Kryeziu, dhe paskan grumbullue forca në Qarkun e Kosovës ku kanë një influencë të madhe.”
Edhe në letrën që Fadil Hoxha i dërgonte Liri Gegës, me dt. 29.09.1944 thekson:” Kryezinjtë rreth vedit kishin mbledhur një grumbull të madh njerëzish, në të cilët kishin influencë.Ky grumbull ka ardhë gjithnjë duke u rritur…” Opcionet realiste të Gani Kryeziut për drejtimin dhe organizimin e Luftës Nacional Çlirimtare, dalin qartë në bashkëpunim që kishte ai me nacionalistët,me misionet angleze dhe me komunistët.Fitorja arrihet,thoshte Ganiu,vetëm duke bashkëpunuar me të gjitha forcat në luftë kundër pushtuesve të përbashkët.
Gani Kryeziu nuk kishte besim në frontin Antifashist Nacional Çlirimtar Jugosllav. Historia shumë vjeçare e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, përvoja e pjekuria politike e tij, kishin bërë që ai të arrinte në këtë konkluzion të saktë. Këtë fakt e vërtetoi faktori kohë më vonë.
Fadil Hoxha në atë kohë shkruante “..Kryezinjtë nuk kanë besim, se në Frontin Nacional Çlirimtar jugosllav do të flitet për lirinë e Kosovës,prandaj Kosovën ata e quajnë si pjesë të pandame të Shqipërisë.”
Qëndrimi i Gani Kryeziut për këtë problem ishte rezultat i përvojës shumëvjeçare dhe pjekurisë politike. Ai me këtë rast shprehte edhe mendimin e mbarë popullësisë së Malës- isë së Gjakovës dhe të Kosovës në përgjithësi. Këtë qëndrim e gjejmë të pasqyruar qartë në letrën e dt.12.06.1944, e në të cilën përfaqësuesi i Komitetit Krahinor të Partisë Komu- niste Shqiptare thoshte se “. Populli në përgjithësi nuk ka besim në Lëvizjen Nacional Çlirimtare Jugosllave.”
Gani Kryeziu ishte përcaktuar vendosmërisht kundër boshtit fashist dhe përkrah aleatëve perendimor. Ai bashkëpunoi ngushtë me misionet aleate,kryesisht ato angleze.Ky fakt bie në sy shumë shpejtë pas lirimit nga internimi dhe ardhjes së tij në Malësinë e Gjakovës.
Përfaqësuesi i Komitetit Krahinor për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit me qendër në Shkodër,e informonte Komitetin Qëndror të Partisë Komuniste Shqiptare me datë 12.06. 1944 se takimi i Gani Kryeziut me misionet angleze nuk ishte një takim sporadik,por një takim i studiuar e i planifikuar me shumë kujdes..” ndër këto ditët e fundit ka ardhë një kapiten anglez për të rregullue një pikëpjekje të Gani Begut me të birin e ministrit të ko- lonive angleze, të cilin e ka njoftue qysh më përpara në Beograd.Ganiu ka thirrë parinë e Krasniqes dhe ka bisedue me ta për çështjen e këtij takimi. Përfundimet nuk dihen.”
Në korrespondencën, informacionet dhe njoftimet e dërguara nga baza, udhëheqjes së Partisë Komuniste, pasqyrohet shqetësimi që ekzistonte për afrimin e bashkëpunimin e Gani Kryezyiut me misionet angleze.Ata ishin të alarmuar nga ky bashkëpunim dhe nga pamundësia për të depërtuar në të fsheftat e tij. Ky shqetësim shprehet shumë qartë në letrën që Fadil Hoxha i dërgon Liri Gegës, ku ndër të tjera theksohet:…”një gjë është
karakteristike, që asgjë nuk vendosin me ne pa u këshillue me anglezët. Ndërsa, në rad- iogramin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NÇL Shqiptare, dërguar gjeneralit Dali Ndreut thuhet:.. Englezët po bëhen kumbarë për bashkimin e reaksionit të Kosovës me tradhëtarët tonë nën flamurin e ndonjë Gani Kryeziut.” Shqetësimi për këtë bashkëpunim erdhi duke u rritur. Kështu Shtabi i Korparmatës së Parë informonte shtabin e Përgjithsh- ëm me dt.12.10.1944 se:.Misionet angleze që ndodhen pranë Bazit, Muharrem Bajraktarit dhe Gani Kryeziut, po zhvillojnë një aktivitet të madh..”
Nga ana tjetër qëndrimi i Gani Kryeziut ndaj LNÇSH, ka qenë objektiv, konseguent dhe parimor. Ai e mbështeti luftën e popullit shqiptar për liri e pavarësi dhe për ndërtimin e një shteti demokratik.Ganiu,gjithashtu mori pjesë edhe me armë në dorë,në luftë kundër pushtuesve të huaj. Për realizimin me sukses të kësaj detyre të vështirë,shfrytëzoi me shumë efektivitet mbështetjen që gëzonte në popull.Për këtë flasin dokumentet e kohës. Zef Mala, në letrën e tij të datës 14.02.1944 theksonte:..”duke aderuar në lëvizjen NÇL paskan grumbulluar forca në Qarkun e Kosovës, ku kanë një influencë të madhe, dhe qenkanë në luftë me gjermanët…”
Këtë argument e mbështet edhe një dokument tjetër,që vjen nga Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë, forca këto që ishin drejtpërsëdrejti të interesuara e të shqetësuara nga aktivitetet luftarake që po zhvillonte Gani Kryeziu në terren. Zëvendës Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë njoftonte i alarmuar për përgatitjet ushtarake që po bënte Gani Kryeziu.Xhandarmëria ishte e alarmuar se nuk kishte mundësi ta pengonte një lëvizje që po rritej dita-ditës. Komanda e Rrethit të Tropojës, me datë 05.05.1944 raportonte se:..”Gani Kryeziu ndodhet në rajonin e këtij rrethi,ku ka filluar të rekrutoj persona me qëllim që të prishë qetësinë në atë rajon”- Gjithashtu ajo ndjente vështirësi pasi nuk kishte forca për rrethimin e tij.
Në një dokument tjetër të xhandarmërisë, tre muaj më vonë del qartë fuqia ushtarake që zotëronte Gani Kryeziu dhe qëllimet që ai mendonte t’i realizonte me këto forca.
Aty theksohej:.”Qark Komanda e Prizrenit me datë 14.08.1944 njofton se Gani Kryeziu me rreth 430 veta është në lëvizje. Një pjesë e kësaj fuqie prej 60 vetash ka mbërritë në katundet Morinë e Ponoshecë të Gjakovës, – thuhet se kanë për qëllim të pushtojnë komunat Junik e Ponoshecë,madje me e sulmuar Gjakovën dhe minierat..”. Vetëm tre ditë më vonë shqetësimi i xhandarmërisë u bë realitet. Çetat e komanduara nga Gani Kryeziu filluan veprimet luftarake kundër pushtuesve gjerman. Prefektura e Prizrenit njoftonte Ministrinë e Punëve të Brendshme se….sot në mëngjesë kanë fillue luftimet në katundin Kepenek midis gjermanëve dhe Çetave të Gani Kryeziut.Me këto veprime luftarake Gani Kryeziu kishte për qëllim të ndërprente komunikacionin.Lidhur me këtë në njoftimin e datës 07.09.1944 të prefekturës Prizren,theksohej se: “..Gani Kryeziu ka për qëllim të bashkohet me Çetat e Hasit dhe të Lumës dhe me i ra Kukësit, për ta ndërprerë komuni- kacionin Prizren-Shkodër“.
Zhvillimi i luftimeve, rritja e fuqisë ushtarake të Gani Kryeziut,bashkëpunimi me bajraktarët e kësaj zone, të gjitha këto ngjallën shqetësim tek Partia Komuniste Shqiptare e drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Nuk mund të pranohej nga komunistët Shqiptarë ndarja e pushtetit me nacionalistët.Shumë të shqetësuar për këto zhvillime ishin edhe jugosllavët. Kështu nisën të shfaqen pengesat e para,provokimet dhe incidentet ndaj Gani Kryeziut. Drejtuesit kryesor të Ushtrisë Shqiptare në raportet, informacionet e radio- gramet nga terreni,raportonin të shqetësuar dhe kërkonin nga komanda e ushtrisë të jepe- shin urdhëra,që forcat partizane të provokonin Gani Kryeziun, pasi ai ishte rrezik potenc- ial për to.Kështu, nga Shtabi i Përgjithshëm, kërkohej vazhdimisht që Gani Kryeziu të merrte pjesë në front, përkatësisht forcat e t’ija të vendoseshin nën komandën e Ushtrisë NÇ Shqiptare. Ganiu vazhdonte të mbante qëndrim të pavarur e të matur. Ai mori pjesë aktive në luftën kundër pushtuesve gjerman.Por,qëllimi i tij ishte të merrte pjesë në luftë në mënyrë të pavarur, qëndrim ky i pasqyruar në dokumentat e kohës. Në letrën që Fadil Hoxha i dërgonte Liri Gegës,thuhej: “..Qëllimi i tyre ka qenë mos me u armiqësue me F.N.Ç…me formue një grup të madh,me ba luftë demonstrative kundra okupatorit,madje me u paraqit si një fuqi e madhe e Kosovës,që kërkon të marrë pjesë në Qeverinë Shqip- tare duke kërkuar që Kosova të bashkohet me nënën Shqipëri.
Në këtë dokument pasqyrohet qartë qëllimi perspektiv dhe afatgjatë i Gani Kryeziut,për krijimin e Shtetit Shqiptar ku të përfshihej Kosova dhe kështu, kjo e fundit të shkëputej përfundimisht nga Serbia.Informacionet që vijnë nga terreni përforcojnë bindjen për rolin që ka luajtur Gani Kryeziu në mbështetjen e luftës për Çlirimin e Kosovës e të gjithë Shqipërisë nga okupatori. Ndërkohë,që repartet partizane që vepronin në këtë zone nuk kishin shumë shtrirëje në terren, deri kur kaluan brigadat partizane në Kosovë.
Në mbledhjen e Qarkut të Shkodrës,me datë 08.06.1944, në të cilën u analizua gjendja në Kosovë dhe në Rrafsh të Dukagjinit u vu në dukje se:”..Në përpjekje me gjermanët Ganiu ka bashkëpunuar me partizanët e Kosovës…” Kështu, si përgjigje reaksionarët dogjën shtëpinë e Gani Kryeziut dhe fshatin Bytyq. Megjithë këtë, forcat e UNÇ Shqiptare provokonin në forma të ndryshme.Shtabi i Përgjithshëm me datën 12.09.1944,urdhëronte Brigadën e III-të dhe të V-të që të kalonin Drinin, drejt Kosovës. Në këtë urdhër Brigada e III-të porositej që: “të kontaktoj me forcat e Gani Kryeziut dhe ta detyrojnë atë që të ndërroj drejtimin…duke i bërë thirrje që të bashkohet në Frontin NÇL, në rast se ai refuzon ose pengon punën tonë, të likuidohet, të veprohet sikur me Muharrem Bajraktarin…”
Po këto të dhëna i gjejmë të pasqyruara edhe në radiogramin nr.6 datë:12.09.1944 drejtuar gjeneral Dali Ndreut me shënime shumë konspirative. Në këtë urdhër-radiogram,pasqyrohet qartë qëndrimi i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ Shqiptare.Sipas Shënimeve të Brigadës së III-të rezulton se forcat e saja në zbatim të porosive nga qendra,rrethuan Gani Kryeziun, me disa nga forcat e tij. Në këtë shënim relatohej:”Gani Kryeziu gjendet në një kodër të naltë. Ne kemi zënë vend pak më lartë. Kodra është mjaftë e përshtatshme për te.Prandaj në qoftë se marrim ndonjë masë kundër tij duhen edhe ma tepër forca”.
Në këtë dokument pasqyrohet qartë qëndrimi që mbajtën forcat partizane, pasiguria që kishin në luftën me forcat e Gani Kryeziut dhe qëndrimi që po mbahej në tërësi ndaj nacionalistëve, që kishin marrë pjesë në luftë kundër pushtuesve. Ja si theksohet në radiogramin e Liri Gegës nr.66, datë 20.09.1944, drejtuar Enver Hoxhës…
Gani Kryeziu mbeti i rrethuar me pak veta prej batalioneve tona në Bytyç. Ganiu nuk pranon të hyjë në front. Lajmëroni si të bëjmë. Ne ju përgjigjem kështu:. “Zajin e arrestoni, Saidin dhe inglizin mbajini mirë. Ganiut i bëni thirrje dorzimi dhe në rast se nuk dorzohet e kapni..” Si rezultat i gjendjes së krijuar, pas konfrontimit me forcat partizane i rrethuar prej tyre, për t’iu shmangur luftës vëllavrasëse,Gani Kryeziu u detyrua të pranojë edhe formalisht hyrjen në Front. Me 20.10.1944, Dali Ndreu e informonte Enver Hoxhën se: ”… Gani Kryeziu pranoj të hyjë në Front. Të gjithë vullnetarët e tij i ka për brigadë…” Këto konstatime, me pak fjalë, ishin disa nga çështjet që menduam t’i trajtojmë. Ndërsa, disa nga dokumentet që u cituan, për veprimtarinë e Gani Kryeziut, shpresojmë se do të shërbejnë, sado pak për ndriçimin e veprimtarisë së këtij protagonist të luftës.