in

Shaip Kamberi merr mandat të ri në Kuvendin e Serbisë

(E plotësuar) Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi do të jetë sërish zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Kuvendin e Serbisë.

Gazetari i RTK-së, Alban Selimi sapo ka bërë të ditura rezultatet e votimeve në Luginë, ku Shaip Kamberi me listën “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon” ka fituar 11.500 vota, e të cilat janë të mjaftueshme për mandatin e ri në Kuvendin e Serbisë.

Në një deklaratë ekskluzive për RTK-në, Shaip Kamberi ka konfirmuar se kanë votat e mjaftueshme për mandatin e ri në parlamentin serb.

“Me rezultatet që disponojmë tani, i kemi diku 11.500 vota të koalicionit tonë. 6 mijë vota i kemi në Bujanoc dhe 5 mijë vota në Preshevë. Faktikisht koalicioni ynë ka arritur të sigurojë një mandat, pasi me nivelin e daljes që e kemi në tërë territorin e Serbisë, që do të duhej të ishin të mjaftueshme mbi 10 mijë vota, por në rastin e listave të pakicave kjo tani shumohet me plus 35 përqind, që do të thotë se ne i kemi mbi 13 mijë vota e që janë të mjaftueshme për një mandat”, ka theksuar Kamberi në një deklaratë për gazetarin e RTK-së, Alban Selimi.  

Ai më tej ka folur edhe për garën zgjedhore, ku shqiptarët janë paraqitur të ndarë në dy lista zgjedhore.

“Gara ka qenë e vështirë për faktin se ne edhe vitin e kaluar kishim zgjedhje, e të cilat u desht të përsëriten 5 herë në një vendvotim sepse kemi të bëjmë me një shtet që nuk pranon që pakicave t’u jape vendin që e meritojnë. Në anën tjetër kishim një garë të brendshme, një konkurrencë jo lojale, me sharje me shpifje ndaj nesh. Por bashkë me partnerët e koalicionit ne ishim të orientuar që të bindim votuesit shqiptarë që të dalin në zgjedhje dhe të zgjedhin përfaqësuesin e vet në parlament”, ka shtuar Kamberi, transmeton RTKlive.

Në fund, zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës në parlamentin e Serbisë ka falënderuar të gjithë shqiptarët që sot shfrytëzuan të drejtën e tyre në këto zgjedhje.

“Shfrytëzoj momentin të falënderoj secilin votues që ka harxhuar kohën e vet për të dalë në votime në këtë ditë dimri. Të gjithë ata që kanë ardhur nga Kosova që ta ndihmojnë vatanin e vet dhe të gjithë ata të tjerët që kanë ndihmuar procesin tonë për ta siguruar një mandat”, ka nënvizuar Kamberi.

Ndërkohë, Alternativa Demokratike Shqiptare e udhëhqur nga Shqiprim Arifit në këto zgjedhje ka marrë vetëm 1,250 vota.

Lini një Përgjigje

SHBA paralajmëron Korenë e Veriut kundër sulmeve bërthamore

Dy nga tre viktimat e aksidentit në Prizren ishin futbollistë të KF Gjakova