Profesor Fetah Bahtiri, i cili jeton për mbi 30 vjet në Udevalla të Suedisë, në qytetin ku ka jetuar Liridona Ademaj, thotë se shqiptarët atje janë tronditur shumë me humbjen e Liridonës. Fëmijët e saj do t’i marrë shteti suedez shumë shpejt, thotë ai.
Udevalla është tronditur për Liridonën, Suedia i merr fëmijët e saj
Profesor Fetah Bahtiri, i cili jeton për mbi 30 vjet në Udevalla të Suedisë, në qytetin ku ka jetuar Liridona Ademaj, thotë se shqiptarët atje janë tronditur shumë me humbjen e Liridonës. Fëmijët e saj do t’i marrë shteti suedez shumë shpejt, thotë ai.
Hyrë Tejeci Murati
Qindra shqiptarë e suedezë në Udevalla të Suedisë ku ka jetuar Liridona Ademaj kanë bërë homazhe për Liridonën. Para kafiterisë ku ka punuar Liridona ata kanë vendosur lule e shumë qirinj, ndërsa kanë shprehur dhimbjen e madhe edhe për familjen e saj në Kosovë.
Profesor Fetah Bahtiri, i cili jeton për mbi 30 vjet në atë qytet thotë se janë tronditur thellë nga vrasja e Liridonës.
“Vrasja e Liridonës ishte shumë e tmerrshme për të gjithë ne shqiptarët që jetojmë këtu. Pronari i kafiterisë ku ka punuar Liridona Ademaj, Baki Shahini, ka organizuar aty një moment kujtese, që këtu në Suedi e quajnë “Çasti i kujtesës”, dhe aty jemi mbledhur shumë shqiptarë për ta kujtuar Liridonën. Kishte edhe shumë suedezë të cilët janë bashkuar në këtë homazh tonin. Ishte edhe deputeti Jakobson, i cili më shprehu ngushëllime dhe ishte thellë i prekur edhe ai, sepse Liridonën e kanë njohur të gjithë. Nuk ka asnjë njëri që mund të ketë ditur ndonjë fjalë të keqe nga ajo… lulet dhe qirinjtë e shumtë janë ndezur gjatë gjithë natës aty ”, tha ai.
Profesor Fetah Bahtiri ka folur në një intervistë ekskluzive për emisionin me bashkatdhetarë në Radio Kosovë, që e realizon Hyrë Tejeci Murati. Njerëzit janë shumë të prekur tha profesor Bahtiri, i cili nuk përmbante lotët gjatë intervistës.
Ndërsa sa i përket trajtimit të fëmijëve të Liridonës, të cilët janë vetëm 6 e 5 vjeç, profesor Bahtiri thotë se ata shumë shpejt do t’i marrë shteti suedez. Profesor Fetah Bahtiri, është njohës i mirë i ligjeve në Suedi, ka qenë përkthyes zyrtar për shumë vjet në Suedi. Ai thotë
“Në rastin konkret ata fëmijë duhet të kthehen në Suedi pa vonesë. Unë kam qenë përkthyes autorizuar dhe kam pasur shumë përvojë me situata të tilla. Këtyre fëmijëve nuk iu lejohet në ambientin ku iu ka ndodhur fatkeqësia e nënës së tyre. Kthimi në familjen Murseli është punë e çështje e varrosur, nuk i lënë më aty. Pas një hetimi i rrethanave dhe shërbimi i socialit suedez merr vendimin se ku t’i vendos. Nuk i vendos në institucion, por i vendos në ndonjë familje. Shteti e paguan atë familje që të kujdeset për ta. Ajo familje mund të jetë suedeze, mund të jetë edhe shqiptare, por, ajo familje duhet të jetë e pastër në të gjitha aspektet”, theksoi ai.
Vendosja në një familje të re suedeze mund të çojë që fëmijët të harrojnë krejt gjuhën shqipe. Ndërsa mund t’iu ndërrohet edhe mbiemri.
“Gjyshërit e tyre mund të shkojnë në vizitë, në qoftë se i lejon shërbimi i socialit. Edhe emrin dhe mbiemrin mund t’ua ndërrojnë, në qoftë se ata rriten në një familje suedeze, sepse ka pasur disa rate, pikërisht këtu në Udevallë, madje ka pasur raste ndër shqiptarë”, thotë profesor Bahtiri.
Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor, në rrethana të panjohura. Për këtë rast janë arrestuar dhe janë tashmë në paraburgim për një muaj tre të dyshuar dhe i dyshuari kryesor është bahkëshoriti i saj Naim Murseli.