in

Pse po lobon Serbia kundër hekurudhës Shkodër- Gjakovë?

Ky territor ka qenë një korpus i përbashkët ekonomik shkëmbimi për shekuj e shekuj, dhe ajo që është më e rëndësishme është se pikërisht kjo zonë ka qenë edhe një epiqendër, në mos më e fuqishmja, e patriotizmit e shqiptarizmit ndër vite…

Tenderi për hartimin e projektit të hekurudhës Durrës-Prishtinë, i fituar nga një konsorcium austriak ka shkaktuar të dridhura në Beograd. Kjo pasi qarqe akademike serbe kanë ngritur alarmin se do të riaktivizohet ideja e vjetër austriake, për një korridor infrastrukturor nga Shkodra në Gakovë, i cili kalon përmes luginës së Drinit. Korridor, që përfaqëson një potecial ekonomik super të fuqishëm, pasi lidh një zonë, e cila në të shkuarën, përkatësisht në shekullin e 18 dhe 19, ka qenë fuqia më e madhe ekonomike e të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Ky korridor, e ka treguar forcën e tij, edhe kur u riaktivizua për fare pak vite pas një prishjeje të dhunshme që u bë pas copëtimit të trojeve shqiptare në vitin 1913. Gjatë pushtimit italian dhe atij gjerman, pra nga 1939-1944, që natyrisht nuk ishin vite të plota, shkëmbimi dhe tregtia në korridorin Shkodër- Gjakovë së bashku me brezin alpin të saj u rrit në mënyrë eksponenciale, sa rriti dukshëm të ardhurat, mirëqenien, e në radhë të parë sasinë e volumin e tregtisë.

Aq ishte e ngulitur kjo periudhë në mendjet e banorëve të zonës, sa e konsideronin si “koha e bollëkut”.

Pikërisht kjo situatë e mirë ekonomike ishte edhe një shkak përse nuk pati atakim aq të fortë me Partinë Komuniste dhe LANÇ-in gjatë luftës, edhe pse, si Shkodra, ashtu edhe Gjakova kishin promovuar komunistët e parë në trojet shqiptare.

Ali Kelmendi ishte komunisti i parë, anëtar i Kominternit dhe Shkodra ngriti grupin e parë komunist shqiptar.

Ramiz Alia, tregonte pak kohë para se të vdiste, se gjatë një takimi në Shkodër, me rininë komuniste për të bindur njerëzit se si është komunizmi, duke thënë klishenë e njohur: “do punojmë sa të mundemi, e të hamë sa të duam”, një malësor- pjesëmarrës në takim ja priti: “Po u baka si në kohë Tales (Italisë)”. Dmth kur kishte bollëk të madh.

Projekti i austriakëve i mbështetur nga ministri i jashtëm Berthold, i cili luftoi fort në Londër për të mos ja dhënë Shkodrën Malit të Zi, parashikonte një korridor Adriatiko-Alpin që nis nga Shkodra dhe përfundon në Gjakovë përmes luginës së Drinit.

Sot i takon Tiranës dhe Prishtinës zyrtare që të ngrenë këtë version për projektin që do ta financojë BE, atë të hekurudhës që lidh Durrësin me Prishtinën. Nga Durrësi në Mjedë, dhe nga Prishtina në Gjakovë, hekurudha ekziston, e duke ndërtuar korridorin Adriatiko-Alpin, ndërtohet jo vetëm një vepër e re infrastrukturore, por një njësi ekonomike me një potencial të madh zhvillimi.

Rruga aktuale Milot-Morinë, edhe pse është shumë e dobishme dhe ka lehtësuar ndjeshëm lëvizshmërinë dhe shkëmbimin Shqipëri-Kosovë, sërish nuk përbën një potencial ekonomik. Madje as xhiroja vjetore e taksës së rrugës, edhe pse çmimi është shumë i kripur, nuk arrin në shifra të larta të overturnit.

Kjo ndodh, pasi së pari, ajo mund të mbajë vetëm një lloj transporti, atë me maune, nuk krijon ndërveprim të brendshëm ekonomik në zonën që përshkon. Madje edhe Kukësi, që është zona më fundore e kësaj rruge, nuk ka përfitimin e pritshëm ekonomik.

Maksimumin, kjo rrugë e arrin gjatë kulmit të sezonit turistik me makinat e vogla, si dhe me sezonet e disa prodhimeve bujqësore që shkëmbehen me një volum të vakët mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Kjo ndodh, pasi si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, kanë një sistem ekonomik të ngritur prej vitesh, ku qendra gravitacionale janë nga njëra anë pra nga Kosova, ku volume më i madh është tregtia me Serbinë, ose me Portin e Selanikut, që është koridor që në kohën e Jugosllavisë, ndërsa Shqipëria ka qendra vendet e BE-së; përkatësisht Italinë dhe Greqinë.

Edhe lobimi politik ndër vite në Shqipëri, ka qenë i qëllimshëm për ta mbajtur këtë sistem ekonomik në këmbë, duke goditur çdo riaktivizim të rrugëve të veriut.

Janë epike sulmet që qeveria shqiptare kryente ndaj tregtarëve të vegjël nga Shkodra që sillnin mallra grosistësh nga Mali i Zi, të cilët filluan të sfidojnë referencat zyrtare. Përshembull, bananja që sillnin në fillim të viteve 2000 disa tregtarë shkodranë, irritoi Angjelët, që u vërsulën këtyre tregtarëve të vegjël skuadra speciale tatimorësh nga Tirana dhe nga jugu, për të ndaluar tregtinë me Malin e Zi.

Paniku i një eksperti në nivelit të lartë si Angjeli ndaj riaktivizimit të korridorit të veriut, ishte një lakmus i rëndësishëm për potencialin e korridorit tregtar të Shkodrës. Një korridor krejt natyral, i cili për shekuj ka qenë një motor ekonomik që punonte me fuqi të madhe pa ndalim, duke sjellë një volum marramendës tregtie.

Një zonë e madhe që përfshinte të gjithë Shkodrën e deri në bregun e Matës poshtë, sipër kishte një hapësirë të gjerë e mjaft të zhvilluar, superpjellore: siç ishin fshatrat buzë Drinit, Pukën, Malësinë e Madhe, Dukagjinin, Nikaj-Mërturin, Malësinë e Gjakovës- pra Tropojën, pjesën më të banuar të Malit të Zi, ku përfshihej Ulqini, Ana e Malit, Podgorica, Malësia e Hotit e Grudës, Plava, Gucia, zona e Novi Pazarit deri në Bjellopolje, ku një pjesë e kësaj zone i përket Serbisë së sotme. Në Kosovë është i gjithë rrafshi i Dukagjinit me Gjakovë, Pejë, si dhe bjeshkët dhe zonat përreth, që edhe sot e kësaj dite përbëjnë lobin më të fuqishëm ekonomik të Dardanisë.

Në këtë territor, edhe aktualisht janë grosistët më të fuqishëm të tregtisë, si dhe koorporatat ekonomike, që në gjuhën e përditshme quhen shpesh edhe padrejtësisht, “oligarkë”.

E gjithë ky territor ka qenë një korpus i përbashkët ekonomik shkëmbimi për shekuj e shekuj, dhe ajo që është më e rëndësishme është se pikërisht kjo zonë ka qenë edhe një epiqendër, në mos më e fuqishmja, e patriotizmit e shqiptarizmit ndër vite.

Kulmi i zhvillimit ekonomik u arrit gjatë kohës së Karamahmut Pashë Bushatliut, kur Pashallëku i Shkodrës pati një lloj autonomie fiskale nga Porta e Lartë. Dhe nuk është aspak rastësi, se në këtë territor ka mbetur gjithnjë e fortë lidhja me Perëndimin, besimi katolik, i cili është i shpërndarë thuajse në mënyrë integrale në të gjithë zonën, ku ka edhe një marrëdhënie shekullore harmonie mes muslimanëve e katolikëve.

Marrëdhënia më e fortë tregtare në kohën e Pashallëkut të Shkodrës ka qenë pikërisht prej tregtarëve katolikë të Shkodrës dhe Gjakovës me tregtarët e mëdhenj muslimanë të Bjellopoljes apo Novi Pazarit. Ç’ka krijoi një pol ekonomik super të fuqishëm që nisi të sfidojë tregjet e Serbisë, Bosnjës, por edhe Kroacisë. Siç nuk është aspak rastësi lidhja e fortë me Vjenën, me të cilën bënin tregti shumë kompani të njohura në këtë territor, e krijuan një lidhje gati- gati organike.

Austro- hungaria, menjëherë me dobësimin e osmanëve fuqizoi influencën  nga Sarajeva në Shkodër, duke përfshirë gjithë këtë korridor ekonomik, ku u përhapën kultura, arti, fisnikëria e shijes vjeneze dhe shumë institucione të tjera.

Shkolla, kolegje, klube sportive, botime librash e gazetash, që përveçse në Shkodër si qendra kryesore e kësaj zone, u shtrinë në të gjithë territorin që përfshinte korridori Adriatiko- Alpin.

Shumë shpejt, përveç zhvillimit të tregtisë, në këtë territor shpërtheu arti, kultura, arsimi, shkrimtarët, poetët, gazetarët e bohemët. Megjithëse ka rolin e saj të rëndësishëm Kisha Katolike Austro-hungareze, e cila ishte një institucion i fuqishëm; zhvillimi i kulturës dhe dijes, erdhi edhe nga shtrati laik i shoqërisë perëndimore austro-hungareze.

Pavarësisht se shkolla e nivelit të lartë të teologjisë u ngritën në Bosnjë dhe Kroaci, Habzburgët sollën në territoret shqiptare disa nga dijetarët më të mirë që kishin në të gjitha fushat. Që nga gjeografë e gjeologë si Franc Nopça, e deri tek mjekë, filologë, muzikantë e prodhues të delikatesave perandorake të salloneve të Vjenës në Shkodër, Ulqin, Podgoricë e Gjakovë.

Shkodra u kthye në qytetin ku u instaluan një grup i rëndësishëm tregtarësh, që ishin komisionerë, porositës apo garantues të një tregtie të madhe. Pra një tregu të fuqishëm që mund të ndjellë çdo investitor, çdo tregtar apo çdo koorporatë, e madje- madje çdo shtet.

Rasti i viteve të “Tokave të Lirueme” pra viteve 1939-1944, tregon qartë se edhe pse nën presionin e dhunshëm nga Serbia e boshti rus, ajo u riaktivizua menjëherë. Ç’ka ekonomikisht përbën një “minierë ari” që mund të ndikojë në mënyrë proactive të gjithë zonën përreth saj por edhe më larg. Me një fjalë mund të sjellë një fuqi ekonomike të nivelit shumë të lartë. Dikur, pikërisht kjo zonë ka qenë qendër e Ballkanit të Perëndimit. Pa pasur nevojë për mankthe nacionaliste, që ne jemi mjeshtra për të thënë se “do nënshtrojmë Serbinë e të gjithë Ballkanin”, por përkundrazi. Riaktivizimi i kësaj zone do ta fuqizojë edhe më shumë Serbinë dhe ekonominë e saj, duke ndërvepruar me shqiptarët, por në një mënyrë më diversive, jo merr speca e sjell turshi, siç bën sot. Ku edhe pse ka një volum të lartë tregtar me Kosovën, ajo mbetet tregti e nivelit të ulët.

Një riaktivizim i korridorit do të zgjojë të tjera potenciale tregtare, prodhuese, e natyrisht shërbime, sektor ekonomik që po kthehet në ‘on top’ të fuqisë ekonomike botërore sot.

Ndërkaq, Mali i Zi, që është pjesë e këtij korridori vetëm do të përfitojë më shumë flukse në industrinë e tij të zhvilluar të turizmit e shërbimeve, por edhe një kapital më të ndjeshëm për zonat e qytetet e tij, dhe në radhë të pare, për qytetarët.

Në kohën e kulmit të kësaj zone ekonomike që nga Pashallëku i Shkodrës e deri në Luftën e Parë Botërore, edhe marrëdhëniet ndëretnike, ndërfetare, apo ndërkulturore në këtë territor u bënë më kozmopolite. Njësoj siç ishte Perandoria e Habsburgëve ku jetonin çekë, sllovakë, austriakë, hungarëzë, ciganë e çfarë do lloj kulturash, ishte edhe ky territor, e cila konsiderohej në mediat perëndimore si “Albania austriaca”. /

Lini një Përgjigje

Qava për ty Liridonë!

Boksieri me origjinë nga Mirdita dërgon Shqipërinë në finalen e Botërorit