Shkruan: Sandër Lleshi
Më 7 tetor 2023, kur autoritetet politike të Shqipërisë, pothuajse në unison ndër veti dhe me botën demokratike po dënonin sulmin barbar të terroristëve të Hamas-it kundër Izraelit, Organizata e Bashkëpunimit Islamik (Organization of Islamic Cooperation, OIC) publikoi një deklaratë me titull: „OIC dënon vijimin e agresionit ushtarak të Izraelit kundër palestinezëve dhe afirmon se vijimi i pushtimit është shkaku i destabilitetit.
“Përderisa deklarata e OIC ka kaluar në heshtje nga autoritetet e vendit tonë, mbetet legjitime pyetja se cilat qëndrime të tyre duhen konsideruar seriozisht: ato që u shprehën me deklarata në Tiranë apo ato që u shpërndanë nga qendra e organizatës në Jeddah e Arabisë Saudite, në të cilën bën pjesë edhe Shqipëria?
Një shqetësim i tillë merr shkas edhe nga disa demonstrime të padenja të qarqeve të caktuara në Shqipëri, Kosovë apo në Maqedoni, të cilat nxituan të shprehin njëfarë solidariteti me terroristët e Hamasit, krejt në ngjashmëri me shfaqjet e simpatisë ndaj Hamasit që u panë edhe në Serbi nën moton „Kosova është Serbi dhe Palestina është shtet.“
Janë pikërisht këto përkime alarmante, të cilat më nxitën të shkruaj këto radhë, me shpresën se një reflektim i thellë shoqëror duhet të vijojë.Historia e kontrabandimit ilegal të Shqipërisë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, OBI, ka rrënjë të thella, që nisin me simpatinë e thekur të diktatorit komunist Enver Hoxha për botën arabe, të përshkruar në librin e tij „Shënime për Lindjen e Mesme“, por bëhet konkrete me letrën famëkeqe të Ramiz Alisë drejtuar Mbretit të Arabisë Saudite, të datës 17 maj 1991, në të cilën ai, pasi theksonte se Shqipëria „i kushton një vëmendje të veçantë lidhjeve të saj me botën islamike dhe mbi të gjitha me Arabinë Saudite“, shpresonte „në mbështetjen e vëllait tonë Fahd“ …. për mundësinë e bashkimit një ditë të Shqipërisë me Organizatën e Konferencës Islamike“.
Dhe në vijim të kësaj, ata që ulërinin për „Shqipërinë si gjithë Europa“ nxituan me hapa konkretë duke e bërë atë, vetëm disa muaj më vonë, më 7 dhjetor 1991, vëzhguese në Organizatën e Konferencës Islamike dhe anëtare me të drejta të plota që në orët e para të „demokracisë“ më 2 dhjetor 1992.Në këtë mënyrë, aspirata e Shqipërisë u kompromentua që në minutat e para të „demokracisë“, kur ajo, në vend të Brukselit, mbërriti në Jeddah, duke mbetur ende dhe sot një parodi e hidhur.
Rreshtimi i Shqipërisë në OBI përfaqëson një akt flagrant antikushtetues, që, për arsye që mbeten më shumë se misterioze, ka gjetur konsenusin e heshtur por të përgjithshëm të drejtuesve politikë të Shqipërisë që nga viti 1991 e deri më sot. Edhe pse ata nuk kanë lënë t’u shpëtojë rast për t’u konfliktuar keqazi mes veti, nuk e vunë asnjëherë në diskutim aktin e paprecendentë të përfshirjes së Shqipërisë në një organizatë afro-aziatike, me të cilën ajo nuk mund të ketë kurrfarë lidhjeje.
Kjo përfshirje e Shqipërpisë është krejtësisht në kundërshtim me Kushtetutën e saj dhe me vokacionin e popullit shqiptar.Në nenin 121 të Kushtetutës sanksionohet se anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare duhet të ratifikohet me ligj. Por në fakt asnjëherë Kuvendi i Shqipërisë, që përfaqëson vullnetin e populllit shqiptar, nuk ka votuar për këtë anëtarësim.
Në këto kushte ilegaliteti, Shqipëria vijon që nga viti 1992 që të jetë i vetmi vend anëtar europian i një organizate që bën bashkë rreth një kauze islamike vende nga Afrika dhe Azia.Ky rreshtim i Shqipërisë në OIC, që i ngjan më shumë një kontrabandimi se sa anëtarësimi, është krejtësisht antikushtetues, çorientues, përçarës dhe krejtësisht i palidhur me interesat themelore të kombit shqiptar. Ai shkon në kahun e kundërt të karakterit laik të Republikës së Shqipërisë dhe të thelbit të identitetit të shqiptarëve, që bazohet tek vlerat kombëtare, njëra prej të cilave është edhe harmonia ose vëllazëria fetare.Për shqiptarët është me rëndësi të njihet fakti se rreshtimi i Shqipërisë nuk ka sjellë ndonjë efekt të dukshëm as në marrëdhënien e OBI me Kosovën.
Nga 57 vende anëtare të saj, 19 prej tyre, ose më shumë se një e treta ende nuk e njohin zyrtarisht atë.Sigurisht që ka shumë argumente të tjera që flasin për absurditetin e rreshtimit të Shqipërisë në këtë organizatë, për të cilat nuk është vendi këtu. Por ajo që ka rëndësi absolute është nevoja e vendosjes së kushtetutshmërisë në sjelljen e shtetit shqiptar. Çështja e marrëdhënies së Shqipërisë me Organizatën e Bashkëpunimit Islamik nuk mund të konsiderohet si një hipotekë fatale, as e Ramiz Alisë dhe as atyre të tjerëve që e zbatuan projektin e tij në mënyrë ilegale.Është detyrë e Kuvendit të Shqipërisë që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për zbatimin e Kushtetutës në këtë rast. Shqipëria është vend europian dhe europiane duhet të jenë edhe aleancat edhe rreshtimet e saj.
Shqipëria është një vend laik dhe, për këtë arsye, nuk mund të përfshihet në organizata fetare tw çfardo lloji, për aq kohë sa dëshiron t’i mbajë të bashkuar si përherë qytetarët e saj. Shqipëria është një vend i respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe si e tillë nuk ka se çfarë kërkon mes vendesh që udhëhiqen nga doktrina dhe legjislacion krejt i ndryshëm nga ai i botës perëndimore.Çdo deputet i Kuvendit të Shqipërisë është i thirrur që të studiojë këtë situatë absurde politike e kushtetuese si dhe të ndërmarrë hapat e nevojshme në Kuvend apo pranë Gjykatës Kushtetuese për të ndrequr këtë anomali të pakuptimtë.