Sherif Ramabaja
U krijua Rilindja, pasi ishte krijuar Shqipëria. U krijuan patronazhistët. U fituan zgjedhjet. U mbollën plantazhet e kanabisit. U instaluan bandat e krimit. U instalua krimi i organizuar. U organizua vjedhja e votës. U fituan zgjedhjet në çdo fushatë. U ç´bë opozita. Çka nuk u bë në Shqipërinë e Gjergj Kastriotit dhe të Ismail Qemalit: Kishte lindur Esad Pasha dhe Haxhi Qamili të cilët luftonin që Shqipërinë ta fusnin në gojën e ujkut, njëri të Serbisë e tjetri të Turqisë. Më vonë erdhi edhe Enver Hoxha që Shqipërinë socialiste sa donte t´ia dhuronte Stalinit, sa Serbisë, sa Rusisë e sa Kinës. E kishte shndërruar në plaçkë lufte dhe e kishte hedhur në udhëkryq. Gjithkujt donte t´ia dhuronte përpos imperializmit amerikan.
Në këtë histori hynë edhe Berisha me vitin e tij 1997, me skemat piramidale, ku e zhbëri Shqipërinë, të cilën po kërkon që ta shpëtoi sot ?!
Por mbi të gjitha, më në fund erdh epoka e piktorit. Shqiptarët shpresuan se pas të gjitha këtyre vuajtjeve e gjetën personin që do ta bënte sërish Shqipërinë.
Shkoi në Beograd dhe u tha në sy që ta njihnin Kosovën. Shqiptarët në Kosovë, në Luginë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Greqi, në diasporë dhe gjithkund ku ndodheshin, u mbushën shpresë. Ose ky do të punoi për komb, ose s´ka kush tjetër.
Entuziazmi nuk i mbajti gjatë. Ditët në vijim treguan se ishin zhgënjyer. Përçarja u instalua. Institucionet binin njëra pas tjetrës. U instalua autokracia. Së bashku me Serbinë u instalua ideja serbo – ruse, Ballkani i Hapur. Filluan grindjet, mosbesimi dhe mos durimi mes kreut Kosovë – Shqipëri.
Pas shpinës së Kosovës punohej, në ndarjen e saj. Piktori në vend se të bashkëpunonte me Kosovën, në gjunjëzimin e Serbisë, për terrorin që kishte bërë ndaj popullit shqiptar të Kosovës dhe Luginës, ai u bë aleati kryesor i saj.
Edhe në arenën ndërkombëtare, paraqitej kundër interesave të Kosovës. E përkëdhelte Serbinë dhe e mbronte nga kritikat në arenën ndërkombëtare, kurse Kosovën e ndëshkoi e para me sanksione, anulimin e mbledhjes së përbashkët të qeverive.
Si për inat të Kosovës, po ashtu piktori propozonte konferencë ndërkombëtare për Kosovën. Veriun e saj e quante tokë e askujt. Kërkonte po ashtu që veriun ta merrte nën mbikëqyrje KFOR – i. Shkoi edhe aq larg sa e thuri edhe draft statutin për Veriun e Kosovës.
Me këto veprime, sikur Kosova s´ka qeveri e s´ka kush i del zot, piktori ia kaloi edhe Esad Pashës, Haxhi Qamilit e Enver Hoxhës.
Këto ditë derisa bashkësia ndërkombëtare po merret me Kosovën, piktori i është kthyer Shqipërisë që t´ia vejë lakun në fyt.
EU, megjithëse njihet si një gjigant financiar, po ballafaqohet vitet e fundit me problemin e refugjatëve. Derisa po hulumtohen rrugët për të dal nga kjo gjendje, u paraqit piktori para dyerve të EU: refugjatët mund t´i transferoni në vendin tim. Shëngjinin do ta shndërroi qendër për pranimin e tyre.
Derisa EU eksperimentonte me ide për qendra të pranimit, fjala ishte për vendet e treta, Afrikën Veriore, Piktori ua dha propozimin: Shqipëria është e gatshme t´i hapë portat e saj.
EU mbet pa fjalë. Se besonin as vetë, po piktori vullnetarisht u deklarua. EU si gjigant financiar, do të ndihmohet nga vendi më i varfër i Evropës. Pse jo. Shqipëria po zbrazet nga shqiptarët, po do mbushe me refugjatë. Më mirë të kryhet ky proces sot, se më vonë.
Piktori do hyjë në historinë e shqiptarëve, si paraardhësit e tij.