Presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjatë qëndrimit në Tiranë, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që t’i organizojë zgjedhjet në veri, ndërsa nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq që të dënojë me vendosmëri të madhe sulmin e 24 shtatorit kundër policisë së Kosovës. Ai ka thënë se Franca e ka mbajtur fjalën për çështjen e vizave, ndërsa kërkon që edhe Kurti e Vuçiq ta mbajnë fjalën e dhënë.
“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Për sa i përket Francës, ato (vizat) janë hequr, sepse Franca e mban premtimin e dhënë. Ndërsa fjala sot nuk po mbahet”, tha ai.
Macron tha se është duke pritur riangazhim nga të dyja palët, që të avancojnë gjatë javëve të ardhshme. “Ky është vetë kushti për paqen në të gjithë rajonin”, tha Macron.
Presidenti francez tha se po i ndjek me shumë vigjilencë tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit. Franca dhe Gjermania, sipas tij, kanë bërë një propozim për një udhërrëfyes që siç tha ai “është solid dhe i mirë”.
“Dhe ajo që ne presim është që të respektohet nga të dyja palët. Mendoj se është përgjegjësi e presidentit Vuçiq që të dënojë më vendosmërinë me të madhe aktin e 24 shtatorit. Kjo do kontribuonte në në rivendosjen e qetësisë në kufi. Dhe pastaj hapat e ardhshëm dhe çfarë presim nga autoritetet kosovare dhe serbe janë të thjeshta: riorganizimi i zgjedhjeve në komunat ku këto janë bërë në kushte të papërshtatshme; pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucione; formimi i Asociacionit i Komunave Serbe nga autoritetet kosovare”, tha ai.
Kushtet , sipas tij, duhet të plotësohen në këtë radhitje, “në tërësi dhe plotësisht”.
“Pres frymën e përgjegjësisë nga Presidentit Vuçiq dhe pres të njëjtën nga presidentja dhe kryeministri kosovar”, deklaroi presidenti francez.