Izraeli po godet Gazën me sulme ajrore, duke goditur qindra objektiva dhe duke i kthyer në rrënoja lagjet, ndërsa në territorin e tij zbulohen mizori të reja pas një sulmi shkatërrues nga militantët e Hamasit .
Që nga e shtuna, të paktën 1,200 njerëz kanë vdekur në Izrael, dhe 950 njerëz kanë vdekur në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Një krizë humanitare po shpaloset me shpejtësi në Gaza, me qindra mijëra banorë të zhvendosur, shumë prej tyre janë të shkëputur nga ushqimi dhe energjia elektrike. Furnizimi me energji elektrike në enklavë do të ndalet “brenda disa orësh”, paralajmëroi qeveria e saj e kontrolluar nga Hamasi pasi ministri i mbrojtjes i Izraelit tha se ai “ka hequr të gjitha kufizimet” mbi trupat izraelite.
Presidenti i SHBA Joe Biden e përshkroi sulmin e Hamasit si një “akt të ligësisë ” dhe konfirmoi se 14 amerikanë u vranë ndërsa të tjerët u mbajtën rob. Deri në 150 pengje besohet se mbahen në Gaza, tha një zyrtar izraelit.
Në anë tjetër aeroplani i parë amerikan që mban armë për Izraelin ka mbërritur në jug të vendit.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë thënë se kanë goditur objektivat detare në Gaza, të cilat pretendonte se ishin përdorur nga militantët e Hamasit për të kryer sulme në vijën bregdetare izraelite.
Forca e Mbrojtjes së Izraelit ka dërguar “këmbësorë, ushtarë dhe trupa artilerie”, plus 300,000 rezervistë, afër kufirit të Gazës.
Në zhvillime tjera ushtria izraelite tha se ishte përgjigjur me zjarr artilerie pasi predha u lëshuan në Lartësitë Golan, një territor i pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967. Ushtria pretendon se ka pasur “një numër lëshimesh nga Siria në territorin izraelit”.
Ky ishte shkëmbimi i parë i zjarrit midis Izraelit dhe Sirisë që kur Hamasi nisi një sulm ndaj Izraelit nga Rripi i Gazës i bllokuar të shtunën.