Ministri i Bujqësisë, Faton Peci nëpërmjet një video të shpërndarë në Facebook ka treguar se ka marrë vendimin për lirimin e objekteve të 24 vilave në Pejë.
“Jam në Stankaj të Komunës së Pejës, vendin në të cilin para një viti kam bërë denoncim publik për njërin ndër rastet më abuzive dhe më flagrante me pronën shtetërore. Bëhet fjalë për ndërtimin e 25 vilave në pronën e Institutit Bujqësor të Kosovës me seli në Pejë. Ne si ministri përkundër që i kemi ndërmarrë të gjitha veprimet administrative, një veprim i tillë nuk është shoqëruar edhe me ndërmarrjen e veprimeve nga instancat e drejtësisë, në këtë rast nga prokuroria e shtetit”, ka thënë Peci.
Ndër të tjera Peci ka thënë se Prokuroria e Shtetit nuk e ka bërë punën e vet, ndërkaq tashmë pret implementimin e vendimit.
“Si duket pritja jonë ka qenë e kot, andaj si ministër sot kam marrë vendim për lirimin e të gjitha objekteve në pronat që janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme. Pres nga mekanizmat ekzekutive dhe instancat shtetërore që ky vendim që ka bazë ligjore të implementohet ditëve në vijë”, ka deklaruar Peci.