Dënohen ashpër nga Këshilli Botëror i Kishave (Wcc) sulmet kundër të krishterëve dhe kishave në distriktin Jaranwala, provinca Punjab, Pakistan.
R. SH. – Vatikan
“Këshilli Botëror i Kishave u trondit thellësisht nga lajmi për sulme të dhunshme kundër kishave dhe të krishterëve pakistanezë” – shkruan i Nderuari Jerry Pillay, sekretar i përgjithshëm i Këshillit ekumenik të 352 Kishave të emërtimeve të ndryshme të krishtera, në 120 vende të botës. “Lajmet tregojnë se në një koloni të krishterë të provincës Punjab, gjashtë Kisha u dogjën, pasi dy të krishterë u akuzuan për blasfemi”. Lajmi i dhënë nga WCC tregon hollësisht se cilat kisha u bënë shkrumb e hi: “Sipas njoftimeve, flitet për djegien e një Kishe presbiteriane, një Kishe katolike, një Kishe ungjillore dhe një qendre të Ushtrisë së Shpëtimit.
E, sikur të mos mjaftonte zjarri, kleri i krishterë u kërcënua dhe u ngacmua”. “Këto raporte, shton Pillay, “flasin rishtas për kërcënimet ekstremiste, të cilave detyrohen t’u nënshtrohen anëtarët e bashkësisë së krishterë në Pakistan. WCC u bën thirrje autoriteteve pakistaneze të veprojnë urgjentisht për t’i parandaluar sulmet e mëtejshme të dhunshme dhe shkeljen e të drejtave të njeriut të të krishterëve në provincën Punjab e në të gjithë Pakistanin” – pohon Pillay. “WCC ka shprehur prej kohësh shqetësime serioze për ndikimin e ligjeve të blasfemisë mbi të krishterët pakistanezë dhe anëtarët e bashkësive të tjera fetare, siç tregojnë sërisht raportet e fundit.
“Të gjithë pakistanezët kanë të drejtë të respektohen dhe t’u njihen të drejtat e tyre të barabarta si qytetarë të vendit, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare. Ndërsa këto kërcënime flasin vetë për hendekun ndërmjet dëshirës – detyrimit – dhe realitetit aktual në vend” – vëren Pillay. “Të krishterët në Pakistan si bashkësi, janë anëtarë të çmuar të shoqërisë pakistaneze”, thuhet në deklaratë.
“Ndërsa Pakistani festoi 76-vjetorin e Ditës së Pavarësisë, më 14 gusht, na kujtohen angazhimet ndaj bashkësive të tij të ndryshme, që u morën kur themelohej”. WCC i kërkon qeverisë dhe autoriteteve pakistaneze të marrin “masa për t’i mbrojtur të gjithë dhe për të siguruar që edhe më të rrezikuarit të mos kenë nevojë të jetojnë me frikë”. “I ftojmë të gjitha kishat anëtare të WCC dhe partnerët ekumenikë e ndërfetarë nga e gjithë bota të bashkohen për të ngritur zërin e tyre kundër kësaj dhune dhe shtypjeje dhe të luten për të drejta të barabarta të njeriut, drejtësi dhe paqe në Pakistan”.
Imzot Arshad: sulm kundër parimeve, themel i shoqërisë sonë
“Në vazhdën e ngjarjeve thellësisht të dhimbshme, që tronditen thellë Jarnwala-n, bashkohem me pikëllimin e të prekurve dhe dënoj fuqishmisht incidentin, që tronditi jo vetëm bashkësinë tonë, por vetë themelet e vlerave tona”. Ky, qëndrimi i Imzot Joseph Arshad-it, ipeshkëv i Islamabad-Rawalpindi dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Pakistanit. Ipeshkvi e quan djegien e 21 kishave “akt i gabuar, që i bie ndesh paqes, respektit dhe tolerancës, të cilat kombi ynë përpiqet t’i mbrojë”. Akte të tilla dhune – vijon ipeshkvi – “nuk janë vetëm sulm kundër bashkësisë së krishterë, por edhe e kryesisht sulm kundër parimeve që përbëjnë themelin e shoqërisë sonë”. Ngushëllimet e mia më të thella – vijon Prelati – lutemi për viktimat dhe familjet e tyre, prekur nga ky akt i tmerrshëm. Shkatërrimi i vendeve të shenjta, teksteve fetare dhe shtëpive është shkelje që prek jo vetëm bashkësinë e krishterë, por të gjithë pakistanezët, që luftojnë për unitet dhe bashkëjetesë”.
Imzot Arshad kërkon urgjentisht nga qeveria e Punjabit të marrë masa të shpejta e vendimtare kundër atyre që janë përgjegjës për këtë akt të urryer. Autorët duhet të identifikohen, të arrestohen dhe të dalin para drejtësisë. Është e domosdoshme – vë në dukje Imzot Arshad – që autoritetet të mbështetin sundimin e ligjit e të mbrojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve. “Kujtim i zymtë për shoqërinë tonë, që duhet të qëndrojë e bashkuar kundër të gjitha formave të urrejtjes dhe dhunës. Nuk mund të lejojmë që veprimet e disa individëve të mbjellin përçarje mes nesh. Në vend të kësaj, le ta përdorim këtë kohë të errët si mundësi për t’u bashkuar, për të mbështetur njëri-tjetrin dhe për të rikrijuar lidhje më të forta mirëkuptimi dhe ndjeshmërie”.“Përballë fatkeqësive, duhet të kujtojmë faljen, dhembshurinë dhe solidaritetin, zemër e fesë sonë. Së bashku – përfundon prelati – do t’i kapërcejmë këto sfida dhe do të punojmë pa u lodhur për të siguruar që ngjarje të tilla të hidhura të zhduken nga shoqëria jonë”.