Sherif Ramabaja
Mjaftoi një intervistë e kryeministrit Rama, për një gazetë italiane, që Lista Serbe ta ftojë për vizitë në Veriun e Kosovës.
Për ti sqaruar lexuesit duhet treguar edhe arsyen e ftesës: Kurti është paraqitur kokëfortë në relacion me Veriun e Kosovës, kishte deklaruar Rama.
Pastaj kishte vazhduar se nëse vazhdon tutje kështu, paraqitet rreziku që Veriu i Kosovës të kthehet në një Donbas të vogël.
Me publikimin e intervistës Lista Serbe kishte organizuar takim të menjëhershme dhe doli me qëndrimin unanim:
Ne si komunitet serb në Veriun e Kosovës e falënderojmë kryeministrin Rama për korrektësinë e tij dhe interesin e vazhdueshëm të tij, për një zgjidhje të çështjes së komunitetit tonë në veri.
Vlerësimi i tij përshkruan realitetin e gjendjes në të cilën ndodhemi, prandaj ne kërkojmë që të pushoi dhuna e Prishtinës ndaj nesh, në mënyrë që situata të mos eskaloi, duke dalë jashtë kontrollit.
Këtë e kemi bërë me dije që nga fillimi, po Kurti me qëndrimin e tij, së pari me teneqet, e pastaj edhe me masat e tjera ka dëshmuar se ai nuk është për një zgjidhje paqësore, por për luftë.
Këtë e ka thënë rregullisht edhe kryetari ynë Vuçiqi, Bërnabiç – ka, Dacic, Gjuric, Shesheli, Vulin, Baton Haxhiu dhe Klan Kosova, nëse nuk gabojmë edhe Dr. Shefqet Krasniqi.
Prandaj ne pa hamendje zotit Rama i dërgojmë ftesë, që ta vizitoi Veriun e Kosovës dhe të njihet drejtpërdrejtë me gjendjen aktuale dhe realitetin.
Ne i premtojmë se do ta presim me të gjitha nderimet shtetërore dhe me të gjitha ushqimet më të mira që posedon populli serb, duke mos munguar edhe pija jonë origjinale Slivovica, por edhe djathë bio të gomaricave tona.
Zoti Rama është gjithherë i mirëseardhur në mesin e popullit tonë. I premtojmë një pritje madhështore, e jo t´ia anulojmë takimin siç ia bëri Kurti.
Në mesin tonë para dy muajsh e kishim edhe zotin Grenell, prandaj një pritje të tillë të përzemërt do ta organizojmë edhe për zotin Rama, duke i njohur meritat e tij.
Kryeministri Rama e ka dëshmuar veten se është një politikan bashkëkohor, duke e ftuar edhe popullin serb në plazhet e Shqipërisë. Sot me krenari dëshmojmë se pjesëtarët e popullit tonë e kanë pushtuar bregdetin shqiptar, kjo dëshmohet edhe me muzikën serbe që dëgjohet me kërshëri në bregdetin shqiptar.
Marrëdhënie të tilla miqësore mes dy popujve tanë kishte vetëm edhe në kohën e Esad Pashës, por nacionalistët shqiptar e vranë, vetëm që ne mos të bashkoheshim.
Për fat të popujve tanë ajo kohë po lulëzon sërish, me ardhjen e zotit Rama në krye të shtetit shqiptar. Për këtë ne i jemi mirënjohës dhe lutemi që sa të jetë gjallë, të jetë në krye të shtetit shqiptar. Këtë e meritojnë popujt tanë. Këtë e meriton Serbia, populli serb, Ballkani dhe Evropa. Ne i lutemi zotit tonë Sveti Sava, që të kujdeset për shëndetin e tij.
Mars – Rover (Satirë)