Ambasadori i përhershëm i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, ka sfiduar të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit me një deklaratë “të prerë”.
“Sfidoj këdo në Këshill që të më provojë dhe argumentojë se Ballkani nuk është më mirë me Kosovën si një shtet i pavarur”, theksoi diplomati shqiptar.
Fillimisht, Hoxha u shpreh se imazhi i Ballkanit si një vend trazirash dhe destabilizimi është e shkuar dhe e kaluar, përcjell Albanian Post. Ambasadori shtoi se rrënojat e së kaluarës sigurisht që nuk janë zhdukur plotësisht. Le të mos harrojmë personat e zhdukur gjatë konfliktit”, ishte thirrja e ravijëzuar e Hoxhës.
Diplomati shqiptar nënvizoi para Këshillit të Sigurimit se “dëgjohen ende britmat e heshtura të 20 mijë viktimave (gra dhe vajza) të cilat u përdorën si armë lufte nga serbët”.
“Gjithsesi ne duhet të fokusohemi tek e tashmja dhe përmirësimi i saj”, vijoi Hoxha. Në vijim të fjalës së tij, ambasadori kujtoi se përsa kohë Ballkani është shumë larg perfeksionit, qytetarët e saj jetojnë sot e kësaj dite në “një realitet komplet të ndryshëm”.
“Pavarësia e Kosovës është realitet dhe nuk mund të jetë më temë diskutimi”, kujtoi para delegatëve të Rusisë, Serbisë si e ftuar apo edhe Kinës e Brazilit – Hoxha.
Sa i takon situatës në Kosovë, ambasadori vuri theksin te mbështetja e lehtësimit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë nga BE-ja. Ai bëri thirrje aktorëve të tjerë që të përshpejtojnë hapat, në mënyrë që kësaj procedure të mos i humbë besueshmëria e publikut, shkruan Albanian Post.
“Nuk ka alternativë tjetër për dialogun, por nevojitet një proces aktiv dhe jo i ngrirë”, tha Hoxha.
Për të sprovuar ndryshimet në qasje, ambasadori vërejti se liderët e vendeve (Ballkanit Perëndimor) takohen gjithë kohës dhe kudo. Investimi më i mirë për të ardhmen, shtoi diplomati shqiptar, është perspektiva e pajtimit dhe bashkëpunimit, me Evropën si qëllim. “Dhe është e vërtetë, që në anët tona ne nuk na duhen armët por ‘mendjet’, nuk na duhen dronët por ‘idetë’ dhe investimet”, përmendi në përmbyllje ambasadori shqiptar Ferit Hoxha.