Nuk u habit asnjëri kur i ballafaquan. Sikur e prisnin këtë takim. Ndërsa e shihte shtatin e tij, i dolën parasysh imazhet e ish-togerit austriak, të kapardisur, në qytetin e Lezhës. Turbullt i vinte jehona e bisedave të dikurshme, si të bisedonte dikush në vend të tij, kurse ai dëgjonte. Pastaj iu fiksua pamja, kur e braktisi vendin e hulumtimeve. Pas disa javësh dëgjoi se ekspedita e përgjysmuar endej me kazma në duar në muret e kështjellës së Krujës, në bjeshkën e zhveshur sipër qytetit. Tregonin krutanët sesi përpiqej të kacavarej si dhi e egër. Këtu përfundoi njohja e tyre. Përmes të tretëve dëgjonin për njëri-tjetrin.
Nga përgjumja e zgjoi pyetja e përsëritur e inspektorit shqiptar:
-Shokët jugosllavë janë të interesuar ta gjejnë varrin e Skënderbeut, ata duan t’ia ndërtojnë një mauzole në kryeqytetin e vet, – fliste i entuziazmuar rrondokopi, sikur donte që këtë entuziazëm t’ia bartte edhe priftit.
-Shokët jugosllavë e kërkuan edhe më parë varrin, por nuk e gjetën, – ia ktheu françeskani i lodhur. Rrondokopi e shikonte i habitur, hetuesi jugosllav qeshte me cinizëm.
-Si guxon të shpifësh? Spiun i Vatikanit, maskara!, -i hakërrohej hetuesi.
Ndërkaq prifti si të fliste me veten mori pak forcë, vazhdonte aty ku e ndërprenë: -Dikur erdhën e shkuan me trastë mbi supe, – lëvizte buzët me vështirësi.
Rrondokopi i bërë bishë mësynte ta godiste, por hetuesi jugosllav e ndalte dhe i drejtohej viktimës me zemërim të përmbajtur:
-A s’na thua kush e kërkonte varrin para nesh?
– Të gjithë: ju, austro-hungarezët, italianët, turqit, gjermanët, mbase edhe bullgarët. Kot që u lodhën, e gjetën të zbrazët”.
Pastaj si të pendohej që e zgjati shumë me torturuesit e vet, e mbyllte gojën duke e lëvarur qafën e hollë. Nuk lëvizte, as nuk fliste. Prapë binte në kllapi.
“Athua ç’do të bënin me eshtrat e heroit tonë, sikur t’i gjenin?”, pyeste gjysmë i vdekur. Më duket këtë pyetje ma drejtonte mua.
Dikur hetuesit shkuan të çlodheshin, duke e lënë priftin me mua. Me porositën ta sillja në vete. Nuk isha infermier, nuk dija të sillesha me një njeri të torturuar. Më vinte pështjellim në stomak sa herë e mbështillja me gazë.
– Tmerr! – mezi nxori nga goja këtë fjalë.
-Çka asht tmerr?,- nuk e di pse e pyeta, gati instinktivisht, i habitur me të dhe me veten. U pendova pse më shpëtoi kjo pyetje, sepse ç’do të bëja, po të më pyesnin çfarë të tha. Po sikur të përgjonin prapa dere?
– Tmerr po e bartën varrin e Gjergjit në vendin e tyre, – e drejtoi kokën nga vendi ku rrinte pak më parë hetuesi jugosllavë. Nuk ia zgjata bisedën, sepse druaja nga pasojat. Më pikonte në zemër kur e shihja në këtë gjendje.
Ai pushoi, më pa me interesim, sikur të përgjonte efektin e fjalëve të veta. Unë e regjistroja zërin e tij në magnetofon. Por plaku Zef nisi të improvizonte sesi rrodhi dialogu memec në mes të atë Gjergji e majorit gjerman.
Atë Gjergji: Ç’t’u desh që u ktheve?
Major Hansi: Nuk u ktheva me vullnet, më kapën në Blejburg derisa tërhiqesha me ushtrinë e mundur kroate. Na zunë robër ushtria angleze, na dorëzuan te jugosllavët. Ndërkaq, partizanët i ngrehën mitralozat e rëndë dhe masakruan pjesën dërmuese të armatës kroatë. Ishte e tmerrshme të shihje sesi ushtarët e paarmatosur vriteshin pa mëshirë. Tmerroheshe kur dëgjoje klithmat e tyre. Ata që mbetën gjallë nga breshëria e parë, vraponin nëpër luginë, të kapnin majat, ndërsa nga kodrat kërciste breshëria e dytë më e gjatë sesa e para. Plumbat i korrnin si drapri kallinjtë e grurit. Nuk e di si shpëtova, sepse nën breshërinë e plumbave isha gjithë kohën.
Mbaj në mend se para masakrës ishte me mua oficer Stipe, në krye të një çete kroate që tërhiqej drejt Austrisë. Nuk e di a shpëtoi. Ndërkaq, ata që shpëtuan i qëllonin me automatik nga afër, apo me revole në kokë. Mua më kursyen. Po të mos lidhej fati im me Shqipërinë, sigurisht do të më pushkatonin. Por Shqipëria u bë fatkeqësia e shpëtimi im. Ma kapen një emblemë shqiptare, me flamurin e qeleshen tuaj. Një herë menduan se jam oficer i Ballit, i fshehur pas uniformës gjermane. M’u sulën si bisha duke më goditur me tërbim.
Pastaj kur u lodhën duke më goditur dhe kur me gjithë grushtet nuk flisja shqip, atëherë nisën të binden që nuk isha oficer ballist. U zbutën.
Atë Gjergji: Pse e kërkoje prapë varrin?
Major Hansi: Ishte tundim i madh të bridhje nëpër Shqipëri e të mos e kërkoje varrin më të famshëm e më misterioz. Doja të hidhja poshtë teoritë që u shtruan katërqind e pesëdhjetë vjet. Më dukej kanë aq zbrazësi e hamendësime, ashtu sikurse ishte i zbrazët edhe varri. Kush nuk do të lëkundej nga forca e tundimit.
Atë Gjergji: Pse më ngatërrove në fiksimin tënd?
Major Hansi: Ti dije shumë, por vonë e mora vesh se ti ishe çelësi i kërkimit.
Atë Gjergji: Gabim e kishe. Dija sa të tjerët, por nuk doja të hapej edhe një herë një varr i zbrazët.
Major Hansi: Por ti e di ku është varri, françeskanët tuaj e dinin që nga fillimi. Ata ishin çelësi i fshehtësisë.
Atë Gjergji: Prapë gabohesh. Varrin e tij e di vetëm Zoti.
Major Hansi: Lëre ti Zotin në punët e veta. Ai u ndihmoi këtyre që nuk e pranojnë Zotin. Kot që ma thua. Hetuesve nuk u thashë asgjë për fshehtësinë tënde. Ata mendojnë se unë jam çelësi i fshehtësisë.
Atë Gjergji: Pse të kthyen në Shkodër?
Major Hansi: Jeta është e ëmbël. Desha të shpëtoja, prandaj u thashë se merresha me kërkimin e varreve.
Atë Gjergji: Merreshe me plaçkitjen e varreve, thuaj më mirë.
Major Hansi: Thuaj ç’të duash, por mos më ndërprit. Në burgun e Beogradit m’u sulën: ti qenke në grupin e zhvarrimit të Skënderbeut. Ku janë eshtrat e tij? Ku i keni fshehur? Apo i keni dërguar në bunkerët e Vermahtit, që t’i keni shqiptarët në grusht: ua morët shpatën e përkrenaren, tash doni t’ua merrni eshtrat…
Atë Gjergji: Nuk u thashë asgjë për ty, sepse nuk dija asgjë. Por çka do që të mohosh ti, do ta kërkojnë nga unë.
Major Hansi: Taktikë e njohur e Gestapos e Çekas sovjetike. E dija se takimi i dytë do të bëhej i kobshëm për ne. Nuk duhej të të kërkoja.
Pastaj dialogu i heshtur pushoi. Unë i shikoja nga largësia me bisht të syrit, ata e shihnin me indiferencë njëri-tjetrin.
Gjermani buzëqeshi hidhur, gulçonte nga mllefi. Nuk arrita ta lexoja nga shprehja e fytyrës, sepse sikur ta hetonte leximin e shprehjes së syve ma ktheu shpinën. Befas me njërën dorë paksa të liruar ia nxori revolen inspektorit shqiptar nga këllëfi. Me po atë shpejtësi ia drejtoi grykën e revoles herë njërit, herë tjetrit. Ata u stepën, nuk lëviznin fare, vdiqën nga frika. S’guxonin ta thërrisnin rojën, prapa dyerve. Po ta zgjaste kërcënimin jam i sigurt se dy inspektorët do të shurronin, sepse nisën të dridheshin.
Befas major Hansi, pasi i pa me një qeshje cinike, gati çmendurake, ia shkrepi vetes në kokë. Gjaku e spërkati hetuesin e murin pas. Majori Hans vdiq. Ata e morën veten. Iu sulën si bishat. Nga mllefi e shqelmonin egërsisht trupin e tij, jargët u dilnin nga goja. Por ai iku. Shpëtoi.
Ndërkaq, priftit shqiptar me frymën e fundit, syri ia regjistroi përpëlitjet e shokut të torturave e gjakun që e spërkati murin. E regjistroi edhe tërbimin e torturuesve. Dy inspektorët, pasi e zbrazën tërbimin, iu kthyen fratit, sikur donin ta ngjallnin. Morën e dhanë me të, por ai tashmë prehej në paqe të përjetshme, – e përfundoi rrëfimin plaku Zef për fundin dramatik të dy figurave interesante, atë Gjergjin e major Hansin.
Kur desha ta mbyllja kasetofonin, sepse mendova se i dha fund dëshmisë, ai ma ndali dorën dhe më luti të më tregonte edhe diçka.
-Z. Lekë, këtë që dua të ta them, ndoshta të duket fantazi, imagjinatë apo shpikje, por me beso se çastet e fundit të atë Gjergjit nuk më hiqen asnjëherë nga mendja. Kanë kaluar pesëdhjetë vjet, por pamjet më duken si të ishin dje, – vazhdoi ai me një tis të hollë të nostalgjisë. Një pikë loti ia ngjëronte qepallat.
–Në aftësinë time të leximit të mesazheve të fshehta, mora pjesë në një seancë. Do ta them, por mos me merr për të çmendur, as për të përhenët. Në të shuar, padër Gjergjin e rrethoi një brerore e argjendtë. Drita e brerores lëvizte nga periferia në qendër, në formë rrethore. Ai pëshpëriste lutje. Fytyra e tij mori pamjen e njeriut të ekzaltuar, që shkëlqente nga lumturia. Ai shihte vegime. Një herë e lexova në buzët e tij fjalinë: “mbreti ynë që je në qiell…”.
Thashë mos u gabua, sepse duhej të thoshte “ati ynë që je në qiell…”, por ai vazhdonte me një lutje ndryshe. Ai po e përsëriste betimin. Më kapi veshi një formulë të vjetër të betarëve, kur e ruanin një fshehtësi. “Fshehtësinë nuk e dhashë”, jam i sigurt se ia tha vegimit. Pastaj përpiqej të shtrinte duart drejt qiellit, duart që i dridheshin, të mbërthyera me tel të hollë çeliku.
Nga fundi nisi të këndonte heshtazi me buzët që mezi i lëviznin “ati ynë që je në qiell…”
Jam i sigurt se herë i paraqitej figura e mbretit tonë, herë figura e mbretit të qiellit. Shikonte në të majtë, herë në të djathtë. Në këto çaste ai dha shpirt. Koka e varur e dom Gjergjit me sy të shuar, sesi m’u duk, sikur m’u hoq një pjesë e qenies sime, e trupit e mishit tim, diçka m’u shkëput nga kraharori. M’u dhimbs, ndërsa s’guxoja të shprehja dhimbjen time.
Pa dashje më shkrepi: athua me vdekjen e fratit françeskan po shuhej fshehtësia më e madhe? Athua françeskanet që përfunduan në tortura apo u grinë nga plumbat, e morën me vete fshehtësinë më të pazbërthyeshme në njëmijëvjetëshin e fundit. Kjo pyetje më doli pa dashje, ndërsa e shikoja fytyrën e munduar të padër Gjergjit, të vdekur e të zbehtë, me duart e mbërthyera me tel të hollë çeliku në karrigen e hekurt. Për një moment sesi m’u duk si ikona që e mbaja dikur në dhomën e gjumit.
Kur u përmendën hetuesit nga dy vdekjet e papritura, në birucën e errët të burgut të Shkodrës më thanë të mos e nxirrja asnjë fjalë. M’i morën shënimet. Ikën secili në punët e veta. Dy kufomat i nxorën policët. Nuk e di sesi shpëtova, frikën ua pata gjithë jetën sigurimsave. Çdo zhurmë në derë më provokonte alarmin: po vijnë të më marrin, sepse dija gjëra që atyre nuk u pëlqenin. Sigurimi i hiqte qafe njerëzit që dinin edhe më pak.
Derisa brenda u shuan dy shpirtra, jashtë grupe partizanësh marshonin në qytet, duke kënduar këngët e tyre…
Turma u brohoriste e ekzaltuar.
Disa vjet më vonë dëgjuam se hetuesi jugosllav, duke kaluar ilegalisht kufirin hungarez, u vra. Donte të kalonte në Bashkimin Sovjetik, kur u mbyllën kufijtë e Jugosllavisë me kampin e shteteve socialiste.
Hetuesi shqiptar u pushkatua në të njëjtin vit me akuzën për tradhti, sepse bashkëpunoi me jugosllavët.
Varri i fratit françeskan e majorit gjerman nuk u mësua kurrë. Pa varre mbetën edhe dy torturuesit e tyre, – e përfundoi rrëfimin plaku Zef.
Një copë herë plaku Zef nuk bëzajti, as nuk u ngrit nga karrigia. Nuk shihte asgjë. Nuk mendonte asgjë. Dukej i zbrazur. I shushatur mbeti edhe Lekë Drini. Nuk dinte si ta thyente heshtjen.
Dikur plaku u ngrit rrëmbimthi, ia shtrëngoi dorën përzemërsisht arkeologut dhe iku i shkarkuar nga një barrë e rëndë.