in

Fshehtësia e varrit të zbrazët

“Ju e dinit fshehtësinë e varrit të zbrazët”, ishte mendimi akuzë, që më drejtohej mua. Nuk më hiqej nga mendja derisa më zuri gjumi. Ndërkaq, ky mendim i dikujt tjetër se unë e dija fshehtësinë më të madhe të mijëvjeçarit, më tmerronte. Ky mendim mund të më kushtonte me jetë. Qindra njerëz prisnin me veshët e ngritur si kafsha kur e pret gjahun, që të më hidheshin në grykë e të më bënin copë e grimë për ta mësuar të fshehtën. Ai që më sfidonte me këtë dyshim, ishte toger Hansi, e megjithatë letra që ma drejtonte tingëllonte më paqësore, sesa që mund ta bënte nga posti dhe fuqia ushtarake, prapa së cilës qëndronte.

“A mund të takohemi për disa sqarime?” më shkroi të nesërmen një pusullë të cilën e solli në famulli tetari Stipe. Ndihmësi im, Nika, i cili përkujdesej rreth famullisë e kopshtit, më tregoi se ushtaraku u interesua për mua, duke pyetur, në emër të togerit. se kur do të kthehesha. Sipas porosisë sime ua ktheu përgjigjen: ”E thirrën në Malësi për një mort a dasmë, nuk e dinte me saktësi”. “Në cilin katund? Nuk e përcaktonte dot, sepse pastaj do të bëja një rrugëtim deri në Dardani”.

“Mbase”, i tha Nika “atë Gjergji do të shkonte në kujtim të përvjetorit të Kalvarit të shqiptarëve të Karadakut”,  duke e ngatërruar edhe më keq ushtarakun e bëshëm, që nuk imponohej as me epoleta, as me shpatën që e mbante. Ai nuk e dinte se ku gjendej Kukësi e lëre Karadaku i Gjilanit, ku do të mbahej përvjetori i Kalvarit. Nuk ua dhashë asnjë porosi për kthimin tim. Nuk u ktheva as të nesërmen a të pasnesërmen. Prita ditë më të mira.

Kur dështoi përfundimisht gjetja e kryevarrit, togeri dërgoi ushtarë të më thërrisnin në Kuvendin e Françeskanëve. Aty rrudhën supet. Me të marrë vesh ndonjë kumt do t’i kthenin përgjigje, ia kthyen në Kancelarinë e Kuvendit . Thonë se ushtarët u kthyen të zemëruar, sepse togeri u kishte dhënë urdhër të më kthenin me çdo kusht: gjallë a vdekur.

Nuk u përmbajta pa ia dërguar një pusullë pas disa javësh: “Gërmuan para jush e nuk gjetën asgjë, do të gërmojnë prapë pas jush, por varri i zbrazët do t’i presë”.

 Dy ditë më vonë toger Hansi shkoi në Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, por nuk ditën t’i thonë asnjë fjalë. Rrudhnin supet dhe vazhdonin punën e tyre. Ushtaraku mbeti i hutuar, sikur talleshin me të, apo i fshihnin diçka, mirëpo dyshimet nuk mund t’i bënte publike, as mund të përdorte metoda detyruese që të merrte vesh më shumë. E dija se më gjykonte nga qasja e tij. Sipas tij ia hodha, e spiunova gjatë gjithë kohës, i tregova rrëfenja të ndryshme, por asnjëherë nuk ia thashë asnjë imtësi të fshehtësisë së varrimit. Edhe kur i flisja për ditën e vdekjes së Skënderbeut, zinë që e pllakosi Arbërinë, u shmangesha, sipas tij, detajeve të varrimit. Nuk m’u paska kujtuar asgjë për ceremoninë mortore, kush qe i fundit që ia mbylli kapakun e arkëmortit e shumë pyetje të tjera.

Ndërkaq, mua nuk më hiqej nga mendja rrëfimi epik i malësorit të Gjakovës: Shtatë ditë e  shtatë net e kërkuan turqit e pabesë varrin e Zotit tonë. Iu sulën Lezhjës, hapën varre njëri pas tjetrit në qytetin e vjetër, pastaj në kështjellë. Thuhet se hapën treqind varre, të reja e të vjetra.

Në legjendë më tutje thuhej se nga nxitimi a nga zemërimi që nuk po gjenin asgjë, varret e hapura i lanë si gojë kuçedre. Natën ato varre, me kufomat jashtë, dukeshin të frikshme. Askush nuk kaloi me ditë atypari. Një françeskan i moçëm mblodhi disa argatë jevgë dhe i mbylli varret natën, që të mos e tmerronin botën.

“Varret e hapura sjellin kob e murtajë”, u thoshte qytetarëve. Ai e shpëtoi qytetin nga sëmundjet, ndërsa hordhitë turke shkonin e vinin me mortjen që mbillnin kudo”.

Plaku që i rrëfente, më tregonte ushtaraku austriak, ia rrihte supet, i thoshte sikur të qe i pranishëm në kohën kur ndodhnin gjerat. “Turqit e Stamollës  nuk gjeten asgja. Vorri i madh i Gjergjit, që e ngatërruen me nji tjetër, u doli i zbrazët. E mbulun marren e tyne me shpejtësi dhe ikën me të katrat”.

Plaku kishte rrëfyer edhe një detaj si fat thënat, gjë që i kishte bërë  përshtypje togerit. “Ata që e prekin vorrin e shenjt do t’i gjejë e liga. Maje n’men këtë që ta thotë plaku”, ia vinte në pah plaku thatim me mustaqe të dredhura nga njëri vesh në tjetrin, me fytyrë të vyshkur e rrudha të thella. Plisin e bardhë nuk e hiqte as në vapën më të madhe.

Ato ditë shpesh e kujtonim edhe këtë episod. Togeri më dukej paksa besëtytë.   

#

 

“Herën e dytë  kur e hapën varrin, në të kthyer, në Qafë të Thanës, ekspeditës së zhvarrimit i doli prita. Mbeti gjallë sa për  të dëshmuar lemeri një ushtar turk. Kur sosi në Stamboll, nisi të fliste përçart, gjithnjë duke e përsëritur frazën për varrin e madh të zbrazët që ua hante kokat njerëzve”.

Toger Hansi ma përmendte shpesh këtë rrëfim, sikur të ndiente ndonjë paralajmërim kobzi.

Në  letrën tjetër e shtronte mëdyshjen: “Po Kruja? Pse askush nuk e përmend këtë qytet për varrin e Gjergj Kastriotit? Aty ia bëri rezistencën më të madhe Perandorisë Turke. Aty bëri famë, ishte kryeqyteti i tij dhe i tërë mbretërisë shqiptare. Pse të mos e kenë varrosur, pikërisht aty, në  fshehtësi të plotë bashkëluftëtarët dhe princërit e Arbërisë? Apo nuk e ka një ambient të tmerrshëm të shkrepave e gurëve që mund të fshehin çdo gjë, madje edhe një emër kaq të madh, sikurse ky i heroit tuaj.  Lezha ishte tepër e rrafshët e në aspektin strategjik e pambrojtur që ta varrosnin mbretin më të madh që e patët ndonjëherë”.

Por, pavarësisht hamendësimit të ri të arkeologut vjenez, kronikat e thoshin pikërisht faktin kokëfortë: mbretin e shqiptarëve e varrosën në Lezhë. Turq e arbërorë shkruanin në të njëjtën mënyrë. Vetëm në këtë rast pajtoheshin në mes vete në pesëqind vjetët e luftës së pafund në mes vete.

Ndërkaq, me hamendësimin që ma tha ai donte t’u kundërvihej nga shtrati fushor kronistëve të kohës: pse të mos e provojmë të kundërtën e asaj që shkruani ju: ta kërkojmë varrin e mbretit të Arbërisë, në kështjellën më të pamposhtur të Gadishullit Ilirik? Varri i tij në Krujë? Atje ku nuk e thoshte asnjë kronikë e kohës!

Pa përgjigje isha unë, pa përgjigje do të mbeste edhe toger Hansi, sepse asnjëherë nuk lexova, apo nuk dëgjova ta kenë varrosur në kështjellën të cilën e mbrojti me aq sukses.

Papritmas më doli pyetje: “Pse nuk e varrosën aty ku pritej, por aty ku nuk pritej?” 

 

 

Legjenda për zhvarrimin 

Kur i kthehesha së sotmes, u kthehesha etheve të kërkimeve. Si nuk pushuan asnjëherë? Athua patën aq shumë interesim për varrin e tij? Ata nuk kërkuan vetëm t’ia gjenin varrin, ata donin ta zhvarrosnin, ta fshinin kujtimin për të. Qindra vjet ia kërkuan varrin, qindra vjet nuk gjetën asgjë, as në shekujt e ardhshëm asgjë nuk do të gjejnë, por kurrë s’do të reshtin së kërkuari. Ata e dinë se legjenda për zhvarrosjen e heroit ka marrë dheun, e dinë se qarkullon edhe legjenda tjetër më tronditëse sesa e para, për trupin që kurrë nuk u gjet në varrin e kërkuar e të supozuar, por duan pikërisht që me një trup a kafkë të godasin në dy legjendat për varrimin e zhvarrimin, për varrin e mistershëm në fund të shkrepave, në katakombet e katedrales, për varrin e fshehtë që u lirua nga trupi qysh në natën e dytë. 

Dhe të tretët, kërkues të varrit më të famshëm e më të mistershëm, duan ta shpallin një varr të paqenë. U mjaftojnë një grumbull armësh – trofe gjetjesh arkeologjike, eshtrat  nuk i duan. Natyrisht duan ta përkëdhelin sedrën e tyre se s’ka gjë që e duan e që s’mund ta kenë, ashtu sikurse s’ka margaritar që s’mund ta ketë në kurorë perandori i tyre. 

Athua ishte i tillë arkeologu ushtarak, Hansi? Ndryshonte nga të gjithë ata që erdhën në Shqipëri në kërkim të varrit e të aventurave, por edhe ai është eksplorues.

“Janë dy kategori hulumtuesish, të cilët nuk i zë gjumi natë e ditë”, më thoshte togeri, i cili duket ishte marrë shumë me aventurierët e zbulimeve arkeologjike. “Të parët i provokonte fakti se është fshehtësia më e madhe në pesëqind vjetët e fundit. Për adrenalinë sfidë më të madhe nuk ka në kontinentin e vjetër. Të dytët, rrinin pa gjumë, sepse çdo gjë e mbuloi koraca e pazbërthyeshme: pati a s’pati varr? U shpërnda trupi i tij në tërë kontinentin, duke u zgjeruar në disa kontinente pluhuri i eshtrave të kryeheroit të Arbërisë, për t’u shndërruar në grimca kozmike. Atë e ndjek miti i hapësirës së pakufishme. Ishte aq i madh, saqë nuk i mjaftoi një varr!

Ka disa hamendje e asnjë fakt real. Imagjinata pastaj në këtë pështjellim është e paskajshme, të rrëmben e të lë pa gjumë: njërën palë e bën të rrijë zgjuar, duke shikuar yjet, thuajse ajo do t’ua kthejë përgjigjen, do t’ua zbërthejë fshehtësinë. Palën tjetër e nxit të bëjnë hamendësime nga më fantastiket, gjithnjë në kufijtë e së pabesueshmes, sepse s’kanë si e shpjegojnë ndryshe. Ata e kërkojnë varrin, por shumë herë nuk duan ta gjejnë, ata dridhen kur e mendojnë se mund të hasin në eshtra, por prapë për asnjë çmim nuk do të donin të ballafaqoheshin me një grumbull eshtrash, sepse imagjinata e tyre do të bëhej copë e grimë, do të thyhej si pasqyra shkëlqyese në dritën e hënës. Kërkojnë nishane të mbretit tonë: shpatë, përkrenare, veshje metali, parzmore, ndonjë mburojë me iniciale e stemë, heshtën e gjatë me majë të mprehtë. Ata duan të eksplorojnë diçka që nuk e kanë të tjerët, të shpallin se e gjetën shpatën legjendare të Skënderbeut, jo atë që është në Muzeun e Vjenës, por një tjetër shpatë kalorësiake, të përdorur e të konsumuar, të ndryshkur, me njolla të  gjakut të mpiksur, shpatën e  rëndë e të gjatë, që nuk arriti askush ta vërë në përdorim pos Atij.

 -Shpata e mbretit tuaj, sipas eksploruesve të mesjetës, duhet të jetë e ngjashme me shpatën e mbretit Artur, prijësit të legjendave britanike, për të cilin nuk ka fakte që ekzistoi, por ka legjenda që luftoi. Britanikët e ndërtuan kombin mbi këtë mit. Gjatë historisë besoj se shumë prijës tuaj që luftuan kundër turkut e gjakuan shpatën e tij, e imagjinuan ta bënin simbol kryesor të rezistencës, – më shpjegonte ai arsyen e preokupimit të të gjithë eksploruesve dhe arkeologëve profesionistë.

Shpatën legjendare të mbretit Artur nga ishulli britanik, që e krahasonte me shpatën reale të mbretit të arbërorëve, sikur e përziente. Ndonjëherë më dukej togeri e kërkonte shpatën imagjinare, atë të legjendave të malësorëve, shpatën magjike. 

Togeri vjenez, duke e kërkuar varrin e mbretit tonë, nuk pretendonte as nuk dëshironte t’i gjente eshtrat, megjithëse një gjë e tillë do të qe sensacion për Vjenën aristokratike, por më shumë donte të bëhej zbulues i  ndonjë nishani me shenjat mbretërore. Me emociononte kjo gjë, por kurrë nuk do të doja që ai të zbulonte gjërat e shenjta, të cilat na takonin neve.            

Nuk ia thashë asnjëherë togerit, dyshimet për mosqenien e varrit, sepse druaja që do të më bindte në qafë, do të më kërkonte informacione të tjera. Por edhe sikur t’ia thosha, nuk do ta zbythja nga kërkimet.

Në një letër më shkruante se do të shikonte terrenin e Krujës sipër Kështjellës, pastaj poshtë murit rrethues, në humnerë. Ai niste letra sa herë e ndiente nevojën të më thoshte diçka, pavarësisht se kurrë nuk ia ktheva përgjigjen. Ai e dinte që  isha afër, besonte që ia përgjoja lëvizjet, prandaj në një mënyrë apo tjetër donte të më sfidonte, sikur përpiqej të më thoshte, ja pa ndihmën tënde do të bëj zbulime epokale, të njëjta me zbulimet e Shlimanit. Këtë eksplorues ma përmendte shpesh. Nuk doja t’ia prishja imazhin e idhullit të tij, i cili gjatë hulumtimeve në shekullin e kaluar bëri dëme në shtresa të tëra arkeologjike.       

Për fillimin e gërmimeve afër Kështjellës së Krujë më treguan besimtarët që kaluan nga famullia. Ata habiteshin me hapjen e sondave, gropave katrore, ashtu sikurse habiteshin me gjakftohtësinë time. Vinin të mbushur frymë, kërkonin ndërhyrjen time, ndërsa unë rrudhja supet, isha i pafuqishëm të pengoja çka do qoftë.

Në këtë kohë të shqetësimeve kontinentale asgjë nuk më qetësonte sesa kronikat e vëllezërve të mi françeskanë.     

Lini një Përgjigje

Blerta Zeqiri, drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës

Hoxha që tha se flamuri shqiptar është leckë-është i barabartë me çetnikun e Beogradit