in

Çfarë ndodhi në gjyqin e të riut që nxori dokumentet e Pentagonit

Punonjësi i Gardës Ajrore Amerikane i akuzuar për nxjerrjen e dokumenteve konfidenciale të inteligjencës dhe të mbrojtjes është akuzuar zyrtarisht përpara një gjykate në Boston. Jack Teixeira, 21 vjeç, mbante pranga dhe uniformë burgu teksa qëndronte para gjykatësit federal.

Teixeira përballet me 15 vjet burg për akuzat e transmetimit të paautorizuar të informacioneve të mbrojtjes. Ai akuzohet gjithashtu për nxjerrjen dhe mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara. I riu përballet me 10 vjet burg për akuzën e parë dhe deri në 5 vjet burg për të dytën.

Dhjetëra dokumentet e publikuara përmbanin vlerësimet e SHBA-së për luftën në Ukrainë si dhe sekrete të ndjeshme për aleatët amerikanë. Ngjarja turpëroi Uashingtonin dhe ngriti pyetje të reja mbi sigurinë e informacionit të klasifikuar. Teixeira u arrestua të enjten nga agjentë të armatosur të FBI-së në shtëpinë e tij ku jetonte me familjen në Massachusetts.

Gjykatësi vendosi se i dyshuari mund të përdorë një avokat mbrojtës me shpenzime publike duke e konsideruar atë një persona që nuk mund të përballojnë tarifat ligjore. Teixeira do të mbetet në paraburgim deri në gjykimin e masës së tij të sigurisë më 19 prill. Prokurorët amerikanë kanë kërkuar që ai të qëndrojë i paraburgosur deri në gjykimin e plotë të tij.

CBS raportoi se kur seanca mbaroi, një burrë në sallën e gjyqit bërtiti, “Të dua, Jack”. Teixeira nuk e ktheu kokën pas, por u përgjigj: “Edhe unë, babi”.Presidenti i SHBA, Joe Biden falënderoi forcat e ligjit për “veprimin e tyre të shpejtë” për të hetuar burimin e rrjedhjes së dokumenteve. Ai tha se ka urdhëruar ushtrinë dhe inteligjencën amerikane të sigurojnë kufizim të shpërndarjes së çdo informacioni të ndjeshëm.

Si dolën dokumentet “tepër sekret”

Materialet e inteligjencës fillimisht u shfaqën në një grup bisedash në platformën Discord, ku thuhet se administrator ishte Teixeira dhe ku anëtarët shpesh diskutonin për çështje gjeopolitike dhe luftërat. Deklarata e dhënë nga agjenti special i FBI-së, Patrick Lueckenhoff në gjykatë nënvizonte se i dyshuari filloi të postonte dokumentet që në dhjetor.

Rrjedhjet fillestare ishin në formën e paragrafëve nga tekstet, por Teixeira kaloi më pas, në janar, në postimin e fotografive të dokumenteve. Vetëm kur materialet e inteligjencës u postuan jashtë grupit të bisedave, zyrtarët e Pentagonit u morën në dijeni për rrjedhjen, duke nxitur një kërkim për fajtorin.

Teixeira punonte si specialist i IT-së në degën e inteligjencës së Gardës Kombëtare të Massachusetts, në një bazë të Gardës Kombëtare Ajrore. Garda Kombëtare është një krah rezervist i Forcave Ajrore të SHBA. Ato nuk janë të punësuara me kohë të plotë në ushtri, por mund të dërgohen kur është e nevojshme.

Titulli zyrtar i Teixeira ishte “specialist i operacioneve të mbrojtjes kibernetike”. Ai mbante gradën e aviacionit të Klasit 1 – një pozicion relativisht i ri. Në deklaratë thuhej se Teixeira kishte një leje sigurie “tepër sekret” që nga viti 2021 dhe se ai kishte “nënshkruar një marrëveshje moszbulimi të detyrueshëm të përjetshëm” për të marrë detyrën e tij.

Luekenoff shtoi se i dyshuari para se të merrte detyrën “duhej të pranonte se zbulimi i paautorizuar i informacionit të mbrojtur mund të çonte në akuza penale”. Deklarata pohonte gjithashtu se Teixeira përdori kompjuterin e tij për të kërkuar raporte të klasifikuara të inteligjencës.

Në 6 prill kur edhe u shfaqën për herë të parë dokumentet në publik ai kishte kërkuar në këtë kompiuter me fjalën “rrjedhje”. Prokurorët pretenduan se Teixeira kërkoi me këtë fjalë për të mësuar nëse inteligjenca amerikane kishte informacion mbi identitetin e personit që qëndronte pas aktit.

Lini një Përgjigje

Tre sulmuesve të gazetarit Syla, u shqiptohen nga 30 ditë paraburgim

Alexei Navalny në gjendje të rëndë/ Dyshime se po helmohet ngadalë në burg