in

1000 shkrimtarë kundër luftës në Ukrainë: T’i jepet fund gjakderdhjes

Mes firmëtarëve janë edhe disa shkrimtarë shqiptarë si: Rudolf Marku, Ben Blushi, Ben Andoni, Enkel Demi, Ahmet Prençi

Margaret Atwood, Salman Rushdie dhe Tsitsi Dangarembga janë disa nga 1000 shkrimtarët nga e gjithë bota që kanë dënuar pushtimin rus të Ukrainës dhe kanë shprehur solidaritetin e tyre me popullin ukrainas.

Letra e hapur, e lëshuar nga organizata letrare dhe e shprehjes së lirë “PEN International”, u drejtohet shkrimtarëve në Ukrainë dhe “urgjentisht” bëjnë thirrje “për t’i dhënë fund gjakderdhjes” që filloi javën e kaluar.

“Ne qëndrojmë të bashkuar në dënimin e një lufte të pakuptimtë, të zhvilluar nga refuzimi i Presidentit Putin për të pranuar të drejtat e popullit të Ukrainës për të debatuar besnikërinë dhe historinë e tyre të ardhshme pa ndërhyrjen e Moskës”, thonë shkrimtarët ndërkombëtarë, të cilët përfshijnë laureatët e Nobelit, Orhan Pamuk, Svetlana Alexievich dhe Olga Tokarczuk, si dhe Jonathan Franzen, Colm Tóibín dhe Elif Shafak.

“Ne qëndrojmë të bashkuar në mbështetje të shkrimtarëve, gazetarëve, artistëve dhe të gjithë popullit të Ukrainës, të cilët po jetojnë orët e tyre më të errëta. Ne qëndrojmë pranë jush dhe ndjejmë dhimbjen tuaj”, shtojnë ata, në një letër të lëshuar gjithashtu në ukrainisht, rusisht dhe arabisht.

“Të gjithë individët kanë të drejtë për paqe, shprehje të lirë dhe tubim të lirë. Lufta e Putinit është një sulm ndaj demokracisë dhe lirisë jo vetëm në Ukrainë, por në mbarë botën… Nuk mund të ketë Europë të lirë dhe të sigurt pa një Ukrainë të lirë dhe të pavarur. Paqja duhet të mbizotërojë”.

Autorja e “The Handmaid’s Tale”, Margaret Atwood, ndau gjithashtu një fotografi të saj duke marrë pjesë në një marshim në Toronto për të protestuar kundër pushtimit të Ukrainës, e cila shihej me flamurin verdhë e kaltër ndër duar, e një beretë që ta mbronte nga i ftohti.

“Mijëra njerëz në tubim për #ukrainë në #toronto; Është mirë të dëgjosh partitë politike kanadeze që të gjitha ranë dakord për një herë dhe po mbështesin Ukrainën”, shkroi ajo në Twitter.

Mes firmëtarëve janë edhe disa shkrimtarë shqiptarë si: Rudolf Marku, Ben Blushi, Ben Andoni, Enkel Demi, Ahmet Prençi

Pjesë e peticionit ishte edhe shkrimtarja e njohur ruse, Ljudmila Ulickaya, e cila më 25 shkurt, ka shkruar në “Le Nouvel Observateur” atë që mediat e konsideruan si një aktakuzë precize.

“Mendoja që brezi im, ai që kishte lindur përgjatë fundit të Luftës së Dytë Botërore, ishte me fat, e se do të kishim jetuar deri në vdekje pa e njohur luftën. Por, jo! Duket se nuk do të ndodhë kështu. Dhe askush nuk mund të thotë se cili do jetë bilanci i kësaj ngjarjeje dramatike. Fati i vendit po udhëhiqet nga çmenduria e një njeriu dhe bashkëpunëtorëve të tij besnikë. Ajo çka mund të themi me siguri është vetëm se çfarë do të shkruhet në tekstet e historisë pas 50 vitesh: Dhimbje, frikë dhe turp! Këto janë ndjesitë që ne kemi sot. Ndaj, është e domosdoshme të ndalohet kjo luftë, që egërsohet çdo minutë që kalon”.

Lini një Përgjigje

MEPJ njofton 4 shqiptarët e vdekur në aksidentin tragjik në Larisa

Lëvizja e lirë e këmbësorëve dhe krijimi i shtigjeve për biçikleta