Qeveria e Zvicrës nëpërmjet një projekti që realizohet nga Ambasadës në Prishtinës, parashikon të investojë rreth 5.5 milionë franga për të ndihmuar sistemin shëndetësor në Kosovë. Projekti që realizohet nga SDC, parashikon investime në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës dhe Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.
Kështu është thënë pas një takimi që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i shoqëruar nga zëvendësministrja Dafina Gexha – Bunjaku zhvilluan me zëvendësshefin për Bashkëpunimi në Ambasadën Zvicerane (SDC) Laurent Torche, i cili u shoqërua edhe nga Merita Stavileci Mustafa, zyrtare e Lartë e Programit në këtë ambasadë dhe udhëheqësin e ekipit në Projektin e Shërbimeve të Integruara Shëndetësore, Fabian Cenko.
Sipas njoftimit për media gjatë këtij takimi u bisedua për projektin që ka për synim zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm të kujdesit shëndetësor në Kosovë që ofron kujdes cilësor, të përballueshëm dhe të integruar për pacientët me sëmundje jo ngjitëse.”
Projekti “Shërbime shëndetësore të integruara”, siç u tha në takim, do të zbatohet deri më datën 30 tetor 2026, ndërsa janë zgjedhur Spitali i Përgjithshëm i Komunës së Gjakovës dhe Spitali i Përgjithshëm i Komunës së Pejës.
“Ky projekt në vlerën të 5.5 milionë frangave ka për qëllim: përmirësimin, disponueshmërinë dhe qasjen në shërbime shëndetësore cilësore në Spitalet e Përgjithshme të përzgjedhura”, thuhet ë njoftimin e MSH-së.
Ministri Arben Vitia shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë për realizimin e këtij projekti, përmes të cilit synohet koordinimi më i mirë ndërmjet niveleve parësore dhe dytësore të kujdesit drejt shërbimeve të integruara shëndetësore.
Një avancim i tillë në sistemin e shëndetësisë, sipas Vitisë, do të përmirësojë gjendjen shëndetësore të pacientëve me sëmundje jo ngjitëse.
“Ky projekt do të jetë një ndihmesë e madhe për kornizat politike në nivel kombëtar, të cilat janë të favorshme për kujdesin e integruar që e ka në qendër pacientin”, deklaroi Vitia, sipas të cilit, ky projekt po jetësohet dhe kështu po zgjerohet bashkëpunimi nga niveli primar në atë sekondar me SDC.