Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, tha se policia e këtij vendi ka arrestuar 22 persona të dyshuar për sulmin e së dielës në Stamboll.
Në mesin e të arrestuarve, Soylu tha se është edhe personi që ka vendosur bombën.
Ai nuk dha më shumë detaje për ta, por akuzoi Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit – një grup militant – për sulmin.
Së paku gjashtë persona u vranë dhe 81 u plagosën nga shpërthimi në një zonë të frekuentuar të Stambollit.
Sipas autoriteteve, shpërthimi ndodhi pasditen e së dielës në Sheshin Taksim.
Zëvendëspresidenti turk, Fuat Oktay, tha se incidenti besohet të jetë sulm terrorist, i kryer nga një grua.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se autorët do të ndëshkohen.
Duke folur në një konferencë për media në Stamboll, ai e dënoi, siç tha, “sulmin e poshtër” dhe shtoi se “era e terrorit” është në ajër.
Përgjegjësinë për sulmin deri më tash nuk e ka marrë asnjë grup.