Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe 81 janë plagosur nga shpërthimi në një zonë të frekuentuar në qendër të Stambollit, thanë autoritetet turke më 13 nëntor.
Sulmi ndodhi në orën 16:20, sipas kohës lokale, në një rrugë në zonën e Sheshit Taksim, tha guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya.
Zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktay, tha se besohet se shpërthimi është sulm terrorist, i kryer nga një grua.
Ndërkaq, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se keqbërësit do të ndëshkohen.
Duke folur në një konferencë për media në Stamboll, Erdogan dënoi sulmin “e poshtër” dhe tha se këtij sulmi po i “vjen era terror”.
“Mund të jem gabim nëse e them se jam i sigurt se ky është terror, por sipas shenjave të para…. ka një erë terrori në këtë ngjarje”, tha Erdogan gjatë një konference për media.”Përpjekja për të sunduar Turqinë dhe popullin e Turqisë përmes terrorizmit nuk do të jetë e mundur të arrihet as sot, e as nesër”, shtoi ai.Sipas liderit turk, katër persona vdiqën në vendin e ngjarjes dhe dy në spital.