ATSH-ANSA
Task Forca “East Stratcom” e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së ka shtuar një opsion tjetër që çdokush mund ta përdorë për të kuptuar më mirë kërcënimin nga dezinformimi rus dhe për t’u mbrojtur kundër tij.
“Faqja e internetit, projekti i parë i BE-së për rritjen e ndërgjegjësimit ndaj dezinformimit, është pasuruar me një seksion të ri “Mëso”, euvsdisinfo.eu/learn/”, njoftoi sot Shërbimi Veprimi i Jashtëm i BE-së.
“Kjo faqe shpjegon mekanizmat, taktikat, narrativat e zakonshme dhe aktorët pas dezinformimit dhe manipulimit të informacionit. Ajo ofron njohuri për ekosistemin mediatik miqësor ndaj Kremlinit dhe gjithashtu shpjegon filozofinë e manipulimit dhe ndërhyrjes së informacionit të huaj.
Lexuesit mund të gjejnë gjithashtu teknika të thjeshta të përgjigjes që çdokush mund t’i zbatojë, dhe më vonë ata mund t’i vënë në praktikë aftësitë e tyre të fituara rishtazi përmes kuizeve dhe lojërave.
Që pas pushtimit të Rusisë më 24 shkurtit, Task Forca “East Stratcom” vëzhgoi një rritje të veçantë të dezinformatave të promovuara nga ekosistemi rus i disinformacionit.
Në dezinformatat e përhapura, përdorimi i fjalës kyçe “nazist” në lidhje me Ukrainën është rritur pothuajse me 300%, ndërsa fjala kyçe “gjenocid” regjistroi një kulm prej mbi 500%”, sipas Shërbimit të Veprimit të Jashtëm, i drejtuar nga Josep Borrell.
Gjatë 12 muajve të fundit, mbi 1200 raste të dezinformatave janë regjistruar në arkivin “EUvsDisinfo” që kanë sulmuar Ukrainën, Bashkimin Evropian, shtetet e tij anëtare dhe të gjithë komunitetin e individëve që ndajnë të njëjtën ide dhe që kundërshtojnë agresionin rus dhe vazhdojnë të mbështesin Ukrainën.
Ndërsa agresioni i paligjshëm ushtarak vazhdon, fushatat e manipulimit të informacionit dhe dezinformimit vazhdojnë.
Aktivitetet reale të dezinformimit dhe manipulimit të informacionit janë duke u zhvilluar në shumë gjuhë dhe në dhjetëra platforma, offline dhe online. Përpjekja është për të përçarë shoqërinë tonë, për të nxitur ndarjet, për të krijuar një konfuzion dhe për të larguar vëmendjen nga agresioni rus dhe krimet e saj të luftës”, thuhet në deklaratë.