E ngarkuara e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Susanne Schűtz ka konfirmuar edhe një herë skepticizmin e Berlinit për nismën “Ballkani i hapur”. Në një intervistë për DW, ajo kërkoi që kjo nismë të jetë gjithë përfshirëse.
“Procesi i Berlinit u krijua si një platformë për të 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor. Për të vepruar si një katalizator për të përshpejtuar integrimin e tyre në BE dhe natyrisht, edhe integrimin rajonal. Ne besojmë që gjithëpërfshirja e të 6 shteteve është shumë e rëndësishme. Ballkani i Hapur deri tani është një nismë që funksionon në 3 shtete. Ne jemi që gjithëpërfshirja në proces është e rëndësishme” – shprehet ajo.
Schűtz thotë se nisma “Ballkani i hapur” nuk duhet të dublojë “Procesin e Berlinit”. Edhe marrëveshjet e nënshkruara duhet të jenë sipas kërkesave të BE-së.
“Nuk duhet të ketë një dublim, por duhet punuar dorë për dore. Është shumë e rëndësishme gjithashtu që të gjitha marrëveshjet e finalizuara në nismën e Ballkanit të Hapur të jenë në përputhje me “acqui”-të e BE-së. Sepse nëse jo, më vonë do të jetë më e vështirë për t’i riformatuar sipas standardeve dhe rregulloreve të BE” – shprehet ajo.
Schűtz këmbëngul tek nisma e “Procesit të Berlinit”.
“Ju përmendët Procesin e Berlinit. Ne jemi shumë të lumtur që qeveria gjermane e kancelarit Scholz e ka marrë përsipër këtë iniciativë dhe do ta vazhdojë. Për 2 vjet Procesi i Berlinit u zhvillua vetëm në format virtual. Këtë vit për herë të parë, do të ketë përsëri takime në nivel ministror, të ministrave të jashtëm, atyre të ekonomisë dhe punëve të brendshme.


