Putin e ka emëruar Ramazan Kadyrov si gjeneral kolonel. Presidenti çeçen konsiderohet jashtëzakonisht brutal dhe njihet edhe si “gjakatar i Putinit”. Pse u promovua tani ai?
Mes pengesave ushtarake në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin ka emëruar sundimtarin autoritar të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, si gjeneral kolonel.
Dekreti për emërimin e tij tashmë është publikuar dhe ai i është “jashtëzakonisht mirënjohës” Putinit për “vlerësimin e madh”, shkroi Kadyrov në Telegram të mërkurën. Gjeneral-koloneli është grada e tretë më e lartë në Forcat e Armatosura Ruse, pas Marshallit dhe Gjeneralit të Ushtrisë.
“Mesazhi është: Besnikëria absolute ndaj Putinit shpërblehet”
Kadyrov kishte dy arsye për të festuar. Sepse në datën 5 tetor, ditën e promovimit, ai mbush 46 vjeç. “Këtë akt mund ta kuptojmë si një lloj dhurate për ditëlindje nga presidenti rus”, thotë Alexander Libman në një intervistë për FOCUS online.
Ai punon si profesor i shkencave politike për Evropën Lindore dhe Rusinë në Universitetin e Berlinit. Megjithatë, në përgjithësi, ky është një akt thjesht simbolik. Putin dëshiron t’i tregojë Kadyrovit se e respekton dhe e njeh atë. Përveç këtij titulli, nuk ka asnjë ndryshim të madh për t’u frikësuar.”
Eksperti rus Gerhard Mangott nga Universiteti i Innsbruck ka një pikëpamje shumë të ngjashme. “Mesazhi është: Besnikëria absolute ndaj Putinit shpërblehet dhe i jepet njohje e duhur”, tha ai në një intervistë për FOCUS online.
Në të njëjtën kohë, Mangott beson se Kadyrov u zgjodh “sepse ai fajësoi publikisht gjeneralët për dështimet në Ukrainë”.
Kadyrov ka qenë gjithmonë i dobishëm për Putinin
Duke vepruar kështu, ai e lehtësoi shefin e Kremlinit dhe ua hodhi fajin të tjerëve për dështimet ruse në luftën e Ukrainës. Kushdo që hedh një sy në profilin e Kadyrov në Telegram, do të kuptoj se çfarë don të thotë Mangott. Në mes të shtatorit, për shembull, 46-vjeçari denoncoi “gabimet” e gjeneralëve rusë.
“Nëse nuk bëhen ndryshime në strategji sot ose nesër, unë do të detyrohem t’i drejtohem Dumës dhe udhëheqjes së vendit dhe të shpjegoj situatën reale në terren,” shkroi ai.
Disa ditë më parë, Kadyrov sulmoi Alexander Lapin, gjithashtu një gjeneral kolonel dhe përgjegjës për frontin e Lyman. Pasi Rusia u tërhoq nga qyteti i rëndësishëm strategjik në Ukrainën lindore, ai i bëri thirrje në Telegram, të rrëzonte Lapin dhe ta dërgonte në front si një ushtar të thjeshtë.
“Duke e emëruar atë gjeneral-kolonel, Putin ka përmirësuar qartë statusin e Kadyrov brenda elitës politike të Rusisë,” shpjegon Mangott. Pavarësisht – ose ndoshta për shkak të – kritikave të tij masive ndaj udhëheqjes ushtarake ruse. Në këtë mënyrë presidenti rus po i tregon 46-vjeçarit se “nuk i ka rënë në sy”.
Myslimani Kadyrov konsiderohet si një nga mbështetësit më të zjarrtë të luftës
Kremlini kishte vlerësuar tashmë “kontributin heroik” të Kadyrov në ofensivën në Ukrainë të hënën. Që në fillim, presidenti çeçen mori pjesë aktive në luftën agresive kundër vendit fqinj dhe u shfaq si një nga mbështetësit më të zjarrtë të luftës.
Ai quhet gjithashtu “gjakatar (qen i çartur, gjakpirës) i Putinit” – jo vetëm sepse Kadyrov është veçanërisht besnik ndaj shefit të Kremlinit, por edhe “sepse ai është kaq brutal në sundimin e tij në Çeçeni”, shpjegon Mangott. ” të drejtat e njeriut atje janë shumë të kufizuara.”
Disa deklarata të ditëve të fundit ilustrojnë se si mendon Kadyrov. Ai deklaroi dhe i ka dërguar të tre djemtë e tij adoleshentë për të luftuar në Ukrainë. Ahmat, Selimchan dhe Adami janë nga 14 deri në 16 vjeç.
“Nuk po bëj shaka. (…) Së shpejti ata do të dërgohen në front dhe do të jenë në seksionet më të vështira të linjës së kontaktit”, ka shkruar Kadyrov në Telegram. Ai gjithashtu bëri thirrje për përdorimin e “armëve bërthamore me rendiment të ulët” duke pasur parasysh vështirësitë me të cilat po përballet ushtria ruse.
Milicia personale e Kadyrov: “Lufta brutale e tij, shantazhet dhe rrëmbimet”
Politikisht, 46-vjeçari ka qenë gjithmonë i dobishëm për Putinin, në fund të fundit ai e kontrollon Çeçeninë. Ushtarakisht, ai mbështet forcat e armatosura ruse në Ukrainë me njësitë e tij. Këto përfshijnë milicinë famëkeqe personale të Kadyrov.
Ajo njihet edhe me emrin “Kadyrovtsy”. “Ky është një formacion i fortë paraushtarak që ndërmori me sukses veprime kundër rebelëve islamikë,” thotë eksperti rus Mangott, duke e përshkruar grupin. “Lufta brutale, zhvatjet, rrëmbimet dhe internimet e karakterizuan këtë proces”.
Të enjten në mbrëmje, Kadyrov njoftoi se do të dërgonte më shumë nga “njësitë speciale” të tij për të luftuar në Ukrainë. “Ne kemi djem të mirë (…). Ne dërgojmë vullnetarët tanë çdo ditë”, tha ai.
Para emërimit të tij aktual si gjeneral-kolonel, 46-vjeçari tashmë ishte graduar gjeneral tre herë – çdo herë në forcat e armatosura të brendshme, në policinë dhe gardën kombëtare çeçene.
Nga Gjermanishtja, Sherif Ramabaja