in

Mustafi kërkon përfshirje të Luginës në marrëveshjen Kosovë-Serbi

Kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar, Ragmi Mustafi ka thënë se çështja e Luginës së Preshevës duhet të jetë në tavolinën e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë për Radio Kosovën ai ka thënë se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa trajtimin edhe të pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, e cila i është nënshtruar një diskriminimi sistematik nga ana e Serbisë.

Radio Kosova: Po e nisim intervistën me dialogun Kosovë-Serbi, në të cilin proces ju keni kërkuar që të përfshihet edhe çështja e Luginës së Preshevës. Çka konkretisht duhet të diskutohet për Luginën e Preshevës në këtë dialog?Ragmi Mustafi: Ne kemi pasur edhe diskutime me Qeverinë e Republikës së Kosovës, përkatësisht me kryeministrin dhe zëvendëskryeministrat. Besoj se ashtu sikur herën e parë kur u takua kryeministri Kurti me presidentin Vuçiq që e ka përmendur çështjen e simetrisë, njëkohësisht edhe në takimin e fundit ka theksuar se do duhej të jetë çështja e reciprocitetit në të drejta mes shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe serbëve në Kosovë. Ajo çka për neve është e rëndësishme është që në marrëveshjen përfundimtare ndërkombëtarisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pjesë e zgjidhjes të jetë edhe çështja e Luginës së Preshevës, sepse duke qenë pjesë e kontekstit Kosovë-Serbi, njëkohësisht është edhe element i rëndësishëm në vendosjen e paqes së qëndrueshme.Radio Kosova: Sa mendoni se është e gatshme Serbia që çështja e Luginës të vendoset në tavolinën e dialogut?Ragmi Mustafi: Serbia nuk është e gatshme as të dialogojë për Kosovën. Domethënë Serbia nuk është e gatshme as të dialogojë e ta njohë Kosovën si shtet. Megjithatë ne po konsiderojmë që këtu është një proces tashmë dhjetëvjeçar që duhet t’i vijë fundi, e që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, përkatësisht ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Pasur këtë parasysh, pavarësisht refuzimit të mundshëm të Republikës së Serbisë, konsideroj se hapja dhe gjithëpërfshirja, është mëse e nevojshme, e reciprociteti nënkupton barazi. Duke qenë se për neve janë parimet të rëndësishme, nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa trajtuar edhe pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e cila iu ka nënshtruar një diskriminimi sistematik të Serbisë.Radio Kosova: Si i vlerësoni marrëveshjet e arritura së fundi, sikur ajo për lëvizjen pa dokumente shtesë në hyrje-dalje dhe ajo për targat? Sa iu ndihmon shqiptarëve të Luginës së Preshevës, zbatimi i plotë i tyre?Ragmi Mustafi: Në disa raste ka qëlluar që, sigurisht, vendosja e parimit të reciprocitetit t’i godasë, veçanërisht, shqiptarët e Luginës së Preshevës. Megjithatë, ne kemi qenë vazhdimisht të gatshëm dhe kemi përshëndetur çdo vendim të Republikës së Kosovës, që ka forcuar sovranitetin dhe integritetin e saj, e aq më tepër që e ka forcuar shtetësinë e Kosovës. Duke pasur këtë parasysh, marrëveshja sa i përket lëvizjes së lirë ka treguar se është bërë një hap i vogël drejt normalizimit, dhe po shpresojmë që gradualisht të arrihet edhe marrëveshja përfundimtare, e cila do t’i normalizonte në tërësi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Radio Kosova: Ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, emëroi zonjën Ardita Sinani këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Si e shihni këtë vendim?Ragmi Mustafi: Unë e përshëndes vendimin e kryeministrit Kurti. Është një hap i madh sa i përket vendosjes, jo vetëm si agjendë, të çështjes së Luginës së Preshevës, por edhe pjesëmarrjes aktive të përfaqësuesve nga Lugina e Preshevës, për t’i zgjidhur problemet dhe sfidat konkrete, me të cilat janë duke u ballafaquar. Tashmë, shpresoj se do të kompletohet edhe zyra për asistencë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Pas buxhetimit të mbështetjes që ka bërë Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës, ky është hapi i dytë sa i përket marrjes së përgjegjësisë dhe ofrimit të pjesëmarrjes aktive për të zgjidhur çështjet e Luginës së Preshevës. Prandaj, në këtë drejtim, nuk ka dilemë që sot ka më shumë hapësirë, e kjo hapësirë, sigurisht, mundëson edhe trajtimit, por njëkohësisht edhe zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.Radio Kosova: A mund të ketë ndikim në unitetin e spektrit politik në Luginën e Preshevës emërimi i zonjës Sinani, kur dihet që ajo i përket Partisë për Veprim Demokratik?Ragmi Mustafi: Shqiptarët e Luginës së Preshevës sa i përket çështjeve madhore vazhdimisht kanë qenë unikë. Se a mund të kontribuojë, unë besoj që kjo do të jetë njëra nga sfidat me të cilat do të përballet zonja Sinani. Megjithatë, problemet e shqiptarëve janë të përbashkëta. Ajo ka për detyrë t’i adresojë çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët, pozitën dhe trajtimin e problemeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Sidoqoftë, unë besoj që ka qenë një vendim i duhur i Qeverisë së Kosovës, ngase përfundimisht është vendosur që shqiptarët e Luginës së Preshevës të jenë aktivë në pjesëmarrje dhe vendosje të zgjidhjes së problemeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Refleksionet mund jenë të ndryshme, por është e rëndësishme që është bërë hapi i dytë. Ne po presim që të bëhet edhe hapi i tretë në mënyrë që të trajtohen drejt dhe me shpejtësi çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët në Luginën e Preshevës.Radio Kosova: Jo rastësisht ju pyeta për çështjen e unitetit, ngase kjo është parë pak, të paktën nga ana e analistëve të ndryshëm, si tentim për përçarje të spektrit politik të Luginës së Preshevës. Kujtojmë këtu vizitën që ditë më parë kishte zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në Luginën e Preshevës, ku u takuan me zyrtarë të ndryshëm, por jo edhe me kryetarin e Preshevës, Shqiprim Arifin, pozitë të cilën deri më 11 prill e bartte tashmë këshilltarja e kryeministrit Kurti, Ardita Sinani. Si e shihni ju këtë?Ragmi Mustafi: Po, po kjo nuk është e pashmangshme dhe e pashkëputshme nga proceset paraprake. Ju kujtoj që kryeministri në dy raste ka ftuar të gjitha subjektet politike dhe përfaqësuesit e tyre për të krijuar listë të unitetit për zgjedhjet parlamentare. Dhe po, zoti  Shqiprim Arifi nga Presheva ishte ai që refuzonte të bëhej pjesë e asaj liste dhe refuzoi që t’i unifikojë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ky është hapi i parë. Hapi i dytë, edhe në rastin e zëvendëskryeministrit, është ftuar në takim zoti Arifi, por ka refuzuar në shenjë proteste. Ajo që është e rëndësishme dhe mund ta theksoj, është që uniteti nuk i zgjidhë problemet. Politika aktive, qasja aktive i zgjidhë problemet. Dhe është e rëndësishme se sa probleme po zgjidhen. Ne kemi qenë unikë në vitet e mëhershme, por nuk është se janë zgjidhur problemet e Luginës së Preshevës. Ne sot kemi një qasje e cila ka ndarë dy milionë euro sa i përket Luginës së Preshevës. Tashmë Qeveria e Kosovës me 255 mijë euro për 4 mijë e 10 nxënës ka bërë subvencionimin e teksteve mësimore për katër mijë familje në Luginën e Preshevës. Pra, kemi hapa konkretë të Qeverisë që kanë të bëjnë me zgjidhjen e problemeve konkrete në Luginën e Preshevës. Uniteti sigurisht është mëse i dëshirueshëm, është mëse i nevojshëm, por e domosdoshme është qasja proaktive e zgjidhjes së problemeve të Luginës së Preshevës.Radio Kosova: Këtë qasje proaktive sa po arrini ju Këshill Kombëtar Shqiptar dhe ju si kryetar i këtij këshilli, ta ruani në Luginën e Preshevës?Ragmi Mustafi: Përderisa z. Arifi thotë që Këshilli Kombëtar Shqiptar është një shpikje serbe aty përfundon gjithçka. Sepse ai në vazhdimësi refuzon mundësinë e përbashkimit, në vazhdimësi refuzon mundësinë për t’iu qasur bashkërisht problemeve. Sepse ai e do bashkimin vetëm sipas kushteve të tij, e jo sipas nevojës së të gjithëve.Radio Kosova: Ndërkohë më 13 nëntor në Serbi do të mbahen zgjedhjet për këshillat nacionalë të pakicave kombëtare, si po shkojnë përgatitjet dhe sa është rëndësishëm roli i Këshillit Nacional Shqiptar?Ragmi Mustafi: Po, më 13 nëntor janë shpallur zgjedhjet sa u përket këshillave kombëtarë, në këtë rast edhe Këshillit Kombëtar Shqiptar. Partitë politike tashmë kanë filluar përgatitjet për këto zgjedhje. Njëkohësisht është edhe regjistrimi i popullsisë gjatë këtij tetori. Megjithatë, secila parti ashtu siç e sheh mundësinë për t’u qasur, apo grup qytetarësh apo individë të pavarur mund të garojnë, duke mbledhur nënshkrimet mbështetëse dhe krahas asaj të jenë pjesë e Këshillit Kombëtar në vendimmarrje. Ajo që është e rëndësishme deri më tani, është që kanë shprehur partitë politike interes sa i përket Këshillit Kombëtar. Madje ky këshill ka ngritur standardin e veprimit dhe bashkëpunimit duke krijuar një hapësirë më të madhe për të zgjidhur dhe për të adresuar çështje konkrete të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Konsideroj që ka qenë një mandat përtej se i suksesshëm, që ka pasur të arritura të jashtëzakonshme. Megjithatë, do të varet nga subjektet politike dhe strukturave të tyre të bëjnë përzgjedhjen e kandidatëve dhe ta bëjnë angazhimin e tyre për t’u trajtuar çështjet që janë në tavolinë.Radio Kosova: Ju vetë jeni i gatshëm edhe për një mandat të dytë, apo jo?Ragmi Mustafi: Për këtë i mbetet subjektet politik që i takoj, që të vendosë se a do të marrim një rrugë të zhvillimit të mëtutjeshëm të tillë, apo do të kemi një zhvillim tjetër, i cili do të mund të jetë ndoshta edhe më i mirë.Radio Kosova: Pjesëmarrja e më shumë subjekteve politike, a e forcon apo e dobëson rolin e këtij këshilli?Ragmi Mustafi: Unë besoj që është mirë që të ketë demokraci, është mirë që të ketë opsione, është mirë që secili brenda potencialeve dhe kapaciteteve të veta për t’iu qasur problemeve të mundshme, të garojë. Me pas i mbetet popullit që të vendosë. Megjithatë, Këshilli Kombëtar kërkon një mirëkuptim shumë më të madh sesa mendohet dhe kërkon një koherencë dhe vazhdimësi të trajtimit të çështjeve që kanë të bëjnë me arsimin, kulturën, informimin, përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip dhe, sigurisht, një pjesë e madhe ka të bëjë me ruajtjen e identitetit kombëtar e kulturor, i cili vërtetë kontestohet në vazhdimësi nga institucionet e ndryshme republikane, e madje kemi edhe deklarime të zyrtarëve të lartë si ministri Vulin i cili i referohet me gjuhë pezhorative, diskriminuese e madhe kriminalizuese shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Pra, sfidat janë të mëdha, por sfidat kërkojnë qasje serioze e vizionare.Radio Kosova: Si e vlerësoni rolin e Shqipërisë, më konkretisht të kryeministrit Edi Rama në çështjen e Luginës së Preshevës, kur dihet raporti i tij me presidentin e Serbisë Aleksander Vuçiq, sidomos në çështjen e “Ballkanit të Hapur”. A po bën sa duhet Rama për shqiptarët e Luginës?Ragmi Mustafi: Ne konsiderojmë që shtetet në Ballkan nuk do duhej të mbyllen, konsiderojmë që nuk do duhej t’i kthehen një sistemi monist e të mbylljes ndaj të tjerëve, ne konsiderojmë që do duhej adaptuar e jetësuar vlerat evropiane. Megjithatë, në këtë kuadër, përveç hapjes dhe bashkëpunimit që mund të ketë mes shtetesh, ajo që është e rëndësishme është që Shqipëria njëkohësisht ta ketë në vëmendje edhe pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në vazhdimësi e kemi kërkuar këtë, prapë vazhdojmë ta kërkojmë. Qeveria Rama në krahasim me qeveritë e kaluara ka pasur një qasje më pozitive sa i përket shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Madje në mandatin e kaluar ka qenë edhe më proaktive. Besoj që në të ardhmen do të ketë një qasje edhe më proaktive sesa kishim deri më tash.

Lini një Përgjigje

Historiani Muhamet Mala: Manastiri i Deçanit i takon shkollës arbërore

Kosova vendos regjim vizash për shtetasit rusë