Ambasadori amerikan në Kosovë, Joeffrey Hovenier pas takimit me ministrin për Komunitete dhe Kthim dhe njëherësh liderin e Listës Serbe, Goran Rakiq, ka dhënë një deklaratë për media, ku ka theksuar se gjatë këtij takimi ia ka bërë të qartë bashkëbiseduesit të tij qëndrimin e SHBA-së rreth vendimeve të Qeverisë së Kosovës për fletë-deklarimet në hyrje për personat me letërnjoftimet e Serbisë si dhe për konvertimin e targave ilegale në targat “RKS”.
“Gjatë këtij takimi ia rikujtova atij disa qëndrime të SHBA-së për këto çështje, që përfshijnë masat për reciprocitetin nga Qeveria e Kosovës që deshi t’i fuste në fuqi, e që nga perspektiva jonë janë konsistente me marrëveshjet e Brukselit dhe legjitime. Po ashtu, u dakorduam për rëndësinë e takimit të Kurtit me Vuçiqin në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji dhe ata duhet të shohin se si të menaxhojnë që ta depërshkallëzojnë situatën”, ka theksuar Hovenier, duke rikujtuar se SHBA-të nuk po kërkojnë që masat të rishikohen.
Ambasadori amerikan po ashtu kreut të Listës Serbe ia ka bërë të qartë qëndrimin e SHBA-së edhe sa i përket Milan Radoiçiqit.
”Shfrytëzova rastin për t’ia kujtuar atij një çështje të veçantë, në kontekstin e deklaratave të fundit. Më duhet t’u kujtoj njerëzve se nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara, Milan Radoiçiq, është sanksionuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara në bazë të informacionit tonë për lidhjet e tij me krimin e organizuar transnacional dhe korrupsionin, dhe i tregova atij që pikëpamja e Shteteve të Bashkuara për këtë individ është tashmë e njohur”, ka shtuar Hovenier.
Ambasadori amerikan i shkoi në zyre Rakiqit, një ditë pasi ky i fundit deklaroi se synimi i Listës Serbe është rrëzimi i qeverisë që drejtohet nga Albin Kurti, si dhe mbështetjes që ai i dha barrikadave në veri dhe konfirmimin e pranisë së Radioiçiqit në veri.