in

Maratona prej 1.621 minutash film artistik!

Nga Bajram Sefaj

Synopsis*

[Një temë e gjetur, provokuese dhe humor gri, shpërfaq realitetin e një vendi komunist të viteve 1970, përmes syve dhe zgjedhjeve të mençura të një cigani te thjeshtë. Ngjarjet zhvillohen në një qytet të vogël të Shqipërisë, në Evropën Juglindore. Një komunitet ciganësh është vendosur në këtë qytet të civilizuar dhe mirëorganizuar. Rrjedha e qetë e jetës së tyre turbullohet nga lindja e një fëmije. Djali, i nënti në familjen cigane do ti sjell gëzim jo vetëm kësaj familjeje, por gjithë komunitetit cigan. Në fakt lindja dhe mënyra kryesore e tij e jetesës u bënë çështja kryesore e agjendës midis zyrtarëve shqiptarë dhe kinezë. E çfarë mund ta shqetësonte më shumë një vend të fortë komunist të asaj kohe? Lindi një fëmijë. Jo një fëmijë i zakonshëm. Ai quhej Mao Ce Dun. Një Mao Ce Dun cigan i vitit 1970”.]

e mërkurë, 27 gusht…

Natën e katërt të Festivalit të parë Veror Ndërkombëtar të Filmit, në Durrës, pikërisht në thelbin e tij, u shfaq filmi norvegjez me titull “Blonsband” (norvegjisht) ose shkurt “Mirush”* (shqip). Kush do të thoshte se pikërisht ky filmi, si i heshtur të ishte, do të jetë një sihariq, një surprizë për tërë festivalin. Ndodhi kjo në saje të interpretimit të shkëlqyer të të riut (fëmijë ky), me emrin Nazif Muharremi, nxënës i gjimnazit shqiptar në Shkup. Kur spikerja paralajmëroi se tani para publikut në skenën e teatrit “A. Moisiu” , do të paraqitet i vetëm, pa asnjë tjetër anëtar nga “stafi” i filmit, personazhi kryesor Nazifi, të gjithë shikuesit i mbërtheu një skepsë, nga se Nazifi në skenë të madhe, ngjante në një pikë ujë në shkretëtirë. Po me të hapur të “siparit” të këtij filmi, ja befasia, ja sihariqi. Nazifi nuk ishte fëmija i pakmëparshëm, i strukur dhe i ngathet, por tashti ishte Mirush tamam. Njëmend bartës i rolit të parë, (njëmend) kryesor. Gjatë njëqind minutave,  sa zgjatë rrjedha e këtij filmi, ai vazhdimisht do të jete në skenë, dhe asgjë nuk do të ndodhë pa praninë e tij. Të gjithë aktorët e angazhuar në këtë projekt të regjisorit norvegjez, Marius Holst, qoftë edhe Enrico Lo Vreso vetë me kompani (Enver Petrovci, Mirjana Karanoviq, Bajrush Mjaku, e të tjerë), ishte anësor. Në qendër të filmit (të vëmendjes) ishte vogëlushi Mirush, alias Nazif Muharremi. Me lojën, interpretimin e tij të shkëlqyer, i riu Nazif i shembi muret, midis aktorit amator (natyrshqik) dhe atij profesionist. Interpretimi i tij ishte aq i fuqishëm sa qe asgjë më i mirë nuk dukej as interpretimi i aktorit nga Zagrebi, Rade Sherbexhia, që gëzon reputacion dhe afirmim në arenën ndërkombëtare të filmit. Ndryshe, filmi kroat, “Mrekullia e zotit” (Pravo çudo) ishte vërtetë një mrekulli, pos temës problematike që trajtonte,

Dalja e Nazifit para gazetarëve, në konferencë shtypi, i vetëm, ishte ironik dhe një plotësim, shlyerje formaliteti. Asgjë tjetër!

Synopsis*

[ “Mirush largohet nga Kosova me shpresën për të gjetur të atin në Norvegji, i cili braktisi familjen e tij kur ishte shumë i ri. Tani babai i tij menaxhon një restorant në Oslo, por gjithashtu ia ka një borxh shumë të madh mafias shqiptare. Mirush fillon të punojë në restorantin e babait të tij, pa i treguar se është djali i tij. Gjatë kohës sa njihen më njeri tjetrin, por Mirush nuk e përballon dot atë  ç’ka zbulon për të atin. Ai është i detyruar të bëjë një zgjidhje me pasoja për të dy”]

 e enjte, 28 gusht…

Mbrëmja e mbrëmshme lirisht mund të pagëzohet mesatare, për të mos thënë e dështuar fare. Dy filmat e shfaqur: “Sekretet”, bashkëprodhim Shqipëri-Kosovë, me regjisor Spartak Pecanin dhe filmi, “Të gjallët dhe të vdekurit”, gjithashtu prodhim i bashkëpunimit kroat-boshnjak e hercegovas, vepër e regjisorit Kristijan Miliq. Për shikuesit shqiptarë, sidomos ata të Kosovës, sidomos por edhe të Bosnjës dhe të Hercegovinës, përgjithësisht, për atë pjesë shikuesish që kanë përjetuar tmerret e luftës se fundit në ish Jugosllavi (kujto Srebrenicën, Kosovën, tokë të djegur dhe gati të boshatisur fare), vështirë se ky film që, pëlcet nga breshëritë e paprera të kallashëve dhe eksplodime të forta që të kallin datën dhe në palcë të fusin tmerrin, vështirë të shikohet fare, e aq më pak të ndiqet me interesim dhe kënaqësi. Këtë vërejtje ia them troç, në sy, regjisorit kroat Kristijan, faqe botës, aty ku ishte vendi, në konferencën për gazetarë. Ai nuk pati nga t’ia mbajë pos detyrimisht të pajtohet me këtë qëndrim (timin) ndaj këtij filmi, të cilin dikush tjetër, nga kolegët e mi më të ri, e quajti madje film holivudien, sigurisht duke menduar në standardin e realizimit teknik, që njëmend ishte në nivel të lakmueshëm. Edhe loja (interpretimi) i aktorëve ishte e mirë. Ky film ishte i veçantë edhe për një detaj tjetër: ishte i vetmi film i shfaqur në ketë festival, par rol femre, hiç fare! Interesant, kjo a?

Ndërkaq filmi tjetër, kësaj radhe, shqiptaro-shqiptar, “Sekretet”*, i Spartak Pecanit, përkundër skuadrës se fortë të artistëve të angazhuar, kujto vetëm Ndriçim Xhepën, më të ndriçimin ndër ta, nuk arriti të kënaq shikuesit dhe të arsyetoi interesimin e madh që mbretëronte nderë masa për ketë filmi. Kishim përshtypjen se as tema që trajtonte filmi, disi nuk shkonte. Në qendër të vëmendjes ishte një qen (bir qeni) fort i shëmtuar, mbase qëllimisht, rreth të cilit silleshin të shkretët aktorë. Duke llogaritur këtu edhe primadonën Drita Pelingu, e cila ani pse  paraqitet një rol të vogël, episodik, ishte e shkëlqyer. Por, mbase e vetmja pikë e shndritshme e skuadrës interpretues në këtë film, kur tetëdhjetë e tetë minutat e djegëses se tij të duken edhe njëherë aq e më të gjatë, ishte aktorja e re Ernela Teli, e cila, bashkë me partnerin e saj në film, Neritan Licaj, në emër të regjisorit Pecani, që atë ditë, mungonte me arsye, nga se ishte i zëne në Kajro të Egjiptit, ku shfaqte këtë film të vetin atje, doli para gazetarëve dhe i mblodhi lëvdatat më të mira për rolin e saj.

Synopsis*

[“Një lagje qyteti zgjohet në mes të natës nga lehje të egra dhe të frikshme. Gjithsesi nuk janë të lehura të një qeni, por të një banori të vetmuar të quajtur Landi. Pasi lajmërohet nga komshinjtë, ai dërgohet në një spital psikiatrik. Aty, një mjeke përpiqet të zbulojë arsyet e kësaj gjendjeje mendore dhe nëpërmjet rrëfimeve të Landit zbulohet fati i individit të zakonshëm në Shqipërinë e tranzicionit. Një individ që është ngritur dhe është rrënuar serish nga ndryshimi i sistemeve sociale-politike, sisteme që nuk i japin asnjë shans të shpreh identitetin e tij. Nga gjithë ky kaos, Landi mbetet vetëm dhe aksidentalisht miqësohet me një qen të humbur. Zbulohet që qeni i përket një ambasade të huaj dhe një grup gjysmë mafioz po e kërkon për interesat e tyre. I paaftë për të mbrojtur vetën gjatë gjithë jetës se tij, Landi me forcë mbron qenin, mikun e tij të vetëm të vërtetë”]

e premte, 29 gusht…

Ndonëse u shfaq i dyti me radhë, filmi estonez “Georg”, i regjisorit Peeter Simm, ishte i pari dhe, mbase, vepra më e realizuar filmike, shfaqur në këtë garë ndërkombëtare në Durrës, deri në këtë çast. Ata njëqind e shtatë minuta, sa në fakt është kohëzgjatja e këtij filmi, fluturojnë sakaq, si pesë minuta të ishin. Gjë që nuk mund të pohohet për njëqind e pesë minutat e filmit “Mbrapsht” (Prevrteno), prodhim i trios FYROM-Kroaci-Serbi. Regjisor i filmit është Igor Ivanov, kurse bartës kryesor i investimeve buxhetore ishte Maqedonia.

Në konferencën e radhës për shtyp, në këtë “meshë të mëngjesit”, para medias u paraqit vetëm trio maqedonas. Kryeaktori, zbuloi sekretin kur tha se me profesion është montator, kurse të tjerët, vetë regjisori Ivanov, kënaqi kërshërinë e gazetarëve me ndonjë plotësim informacioni lidhur me këtë film që lirisht edhe mund të anashkalohej. Ishte vërejtje e përgjithshme se në të (në te sidomos) kishte tepricë seksi në  të vrazhdët, veçanërisht kur është fjala për ambientet e konsumit të tij. “Seksi ishte në funksion të filmit” – e çfarë të thoshte tjetër regjisori Ivanov, duke kthyer topin e pingpongut! Në vrojtimin tjetër se filmi bythë-prapë, ishte kooperim madje në mes tri shteteve të ish Jugosllavisë (Maqedoni-Kroaci-Serbi), por nuk ishte i vetmi, edhe filmi “Të gjallë dhe të vdekur”, ishte prodhim i Kroacisë bashkë me Bosnjën dhe Hercegovinën, (tash shumë shpejt fillon  diku në Shqipëri, xhirimi i filmit serbo-shqiptar, me regjisor Goran Paskaleviqin, a do të thotë kjo se, paksa si shpejt u harruan hasmëritë dhe krimet, sidomos, serbe ndaj të tjerëve. Ivanov, tha se kjo është një gjë e mirë. Ky ishte komenti i tij sa i takon këtij bashkëpunimi në fushën e prodhimit të filmit.

e shtunë, 30 gusht…

Mbrëmë ishte nata (dita) e parafundit e Festivalit të parë Veror Ndërkombëtar të Filmit në Durrës. (Në “historinë” e ditarit tim nga ky manifestim jo vetëm i kinematografik, por edhe kulturor përgjithësisht, detyrimisht hyn edhe fragmenti i vizitës që i bëj Gërdecit, aty pranë). Si për ironi nga Gërdeci, që mi ngall plagët nga tragjedia e madhe, po thuaj se ashtu, siç isha i pluhurosur dhe i vrerosur, deri në thelb të zemrës, futëm në sallë për të parë filmin irakian “Ahlaam Dreams” të regjisorit Mohamed Al-Daradji. Filmi ishte një dështim, ishte i kotë fare, apo vetëm mua me dukej ashtu. Mbesim mbështetur, siç ia thonë fjalës, kur prodhuesit e këtij filmi (irakianë e britanikë bashkë) me notë krenaria deklaruan se ky film i tyre, ndërkohë,  ishte shfaqur në madje në tetëdhjetë festivale (sa shumë qenkan, o zot i lumë!) dhe se, që andej ishte kthyer si ngadhënjyes me më shumë se njëzet e një shpërblime! (Aman!). “Mos helbete, në filmin tuaj rolin kryesor e ka interpretuar qyteti i djegur dhe i rrënuar krejt, Bagdadi vetë”, pyetja (ime) ishte tejet transparente në ironinë e saj të zhveshur. Konferencën e mbërtheu, një heshtje e trashë. Çdo gjë mori fund.

Për koincidencë, çdo gjë mori fund, thuaj se edhe festivali u krye krejt, posa u shfaq edhe filmi çek “Unë i kam shërbyer mbretit anglez”, të regjisorit Jirzhi Mencel. Tashmë u pa qartë se në duart e kujt të shkoi “Gladiatori i artë”. E natyrshme, filmi ishte vepër e të njëjtit autor, i cili qysh në vitin e largët 1968 e kishte rrëmbyer shpërblimin më prestigjioz në botë, OSCAR, për filmin “Trenat e kontrolluar rreptësisht”, si filmi më i mirë i huaj. Me çastin e shfaqjes se filmit tij të ri “Unë i kam shërbyer mbretit anglez”, sikur shkrepat e valëve u shuam, deti “mbi” Durrës u qetësua. Fitimtari u duk.

Sonte do të shfaqën edhe dy filma në kompeticion: “Trishtimi i zonjës Shnajder”*, bashkëprodhim Shqipëri-Republika Çeke, i regjisorëve, Pirro Milkani – Eno Milkani (atë e

bir), dhe filmi turk “Engjëlli i bardhë”, i regjisorit Mahsun Kirmizigul. Filmi i mirë, fjalë nuk ka, por, paksa melodramatik e shumë folklorik, për të mos thënë dika më tepër.

Synopsis*

[Histori romantike e tre studentëve të shkollës së filmit, një shqiptar, një çek dhe një sllovak në Pragë, në verën e vitit 1961, në një fshat të Çekisë gjatë xhirimit të një filmi diplome. Historia e dashurisë pamundësisht  të realizueshme për studentin Lekë Seriani me znj. Shnajder, një grua misterioze dhe e trishtuar, është boshti kryesor i kësaj romance dashurie në një sezon veror. Vetizolimi i Shqipërisë nga blloku komunist dh pjesa tjetër e botës mbart pasoja edhe në raportet dhe fatet njerëzore. Një dramë historike që kujton ato vite të shqetësuara. Një film me nota të theksuara autobiografike”]

Ishte ky një film i mirë, motiv vendimtar që të marr rrugë të largët deri në Durrës, ishte pikërisht ky film, dhe nuk jam pishman për ketë.

e diel, 31 gusht…

Sado që “Trishtimi i zonjës Shnajder”, ishte film i mirë, më i mirë dhe shumëfish më i realizuar, ishte një tjetër film çek, ai i Jirzhi Mencelit. Ai edhe rrëmbeu “Gladiatorin e Artë”, të festivalit. Edhe çmimet e tjera (ai i Jurisë, për filmin më i mirë shqiptar, për aktoren dhe aktorin më mirë si dhe çmimi i karrierës), juria ndërkombëtare, në përbërje të Elena Giuffrida, kryetare, Burbuqe Berisha, Ronald Sejko, Maria Tutui, Xavier Lamburs dhe Mimmo Mongelli, anëtarë, i ndau sipas njohurive, shijes dhe bindjeve të veta morale, estetike dhe artistike.

Mirë u pafshim në Festivalin… tjetër, në Durrësin e vitit 2009!

—————————– 

Legjenda:          

Lini një Përgjigje

Mbështetja nga SHBA vazhdon

Elita intelektuale nisi të zëvendësonte elitën politike