in

Kur Dardaninë e çliruan ushtarët e NATO-s

Me 12 qershor 1999 trupat e NATO-s e çliruan Dardaninë

 

12 qershor 1999

  

   Bombardimet pushuan, Serbia e pranoi kapitullimin dhe e nënshkroi armëpushimin në Kumanovë (qytet kufitar në mes të Maqedonisë e Serbisë, i populluar nga shumica shqiptare), më 10 qershor 1999. Gëzimi ishte i papërshkrueshëm. Pas 78 ditë bombardimesh, gjendja ndryshoi rrënjësisht. Trupat e Aleancës veriatlantike po futeshin triumfalisht në Dardaninë e Rugovës, sikurse dëshironte ta quante, pasi të bënim shtetin e lirë e të pavarur.   

   Por një ditë më parë, më 11 qershor 1999, ushtarë rusë që erdhën nga Bosnja, u futën në Prishtinë. Krismat e ushtarëve të dehur rusë dhe të serbëve të armatosur, nuk pushuan deri në mëngjes. Banorët shqiptarë të Prishtinës menduan se po u vinte fundit, ashtu më treguan të nesërmen me telefon vëllezërit që ishin në kryeqytet.

   Në mëngjes ushtarët rusë ikën. U stacionuan në aeroportin e Prishtinës.     

  Më 12 qershor 1999, Dardaninë e çliruan ushtarët e NATO-s: anglezët, amerikanët, gjermanët, francezët, italianët. Ishim dëshmitarë të kësaj ngjarjeje, më të madhe në njëqind vjetëshin e fundit. Qindra filmime, raporte televizive të  medieve më të mëdha botërore, e dëshmojnë këtë ngjarje epokale që nuk do të harrohet kurrë. Nuk do t’ua harrojmë aleatëve që na shpëtuan nga shfarosja.

   Filmimet e hyrjes-çlirimit të Dardanisë nga ushtarët e NATO-s, shpesh dalin edhe sot në rrjetet sociale me gjerësinë e spektaklit, a me detajet e dorëzimit të ndonjë njësiti serb (kujtoni pamjet në Prishtinë, Prizren, Pejë). Janë pamje të papërsëritshme.

   Ndërhyrja e ushtarëve të NATO-s për të na shpëtuar nga shfarosja, ishte përgjigje ndaj përgjërimit të Presidentit Ibrahim Rugova, të përsëritur çdo ditë, për dhjetë vjet. Ishte përgjigje ndaj masakrave serbe e mizorive të ushtrisë jugosllave ndaj popullatës civile shqiptare.

   Forcat guerile shqiptare me siglën e UÇK-së, ku kishte grupime me përcaktime nga më të ndryshme (FARK-u i Ibrahim Rugovës, guerilet e LPK-së, grupimet e pavarura të djathta e të majta), luftuan, sakrifikuan, u vranë dhe u plagosën, por në finale nuk arritën ta çlironin asnjë katund a qytet. Pati luftime heroike të këtyre grupeve guerilje. Lavdi heroizmit të tyre. Por me fuqinë e tyre ushtarake, nuk mund ta çlironin Dardaninë.

   Përkulemi para burrave e grave që dhanë jetën për liri, që luftuan e sakrifikuan, ashtu sikurse përkulemi para mijëra viktimave të luftës, burrave të masakruar e grave të përdhunuara. Por kjo prapë nuk mjaftonte, që ne ta çlironim vendin me forcat tona. E kujtojmë sakrificën e Adem Jasharit dhe të familjes së tij, kujtojmë edhe mijëra familje të tjera që u sakrifikuan, por grupimet e UÇK-së nuk patën forcë t’i ndalnin përdhunimet, të mbronin popullatën e pambrojtur. Shpesh, këto grupe ia mbathnin nga katundi dhe e lenin popullatën në mëshirën e kriminelëve serbë.

   Nuk duam të kujtojmë përçarjet brenda këtyre grupeve të UÇK-së, që rrezikonin të shpërthenin në luftë civile, ashtu si shpërtheu lufta civile në mes të partizanëve shqiptarë dhe nacionalistëve në Shqipërinë etnike më 1944-45, sipas të njëjtit model veprimi e grupimi të Enver-Mugosha-Miladinit.

   Zhurmën për kinse çlirimin e vendit nga UÇK-ja, shërbimi i tyre i propagandës e  bëri për të arsyetuar plaçkitjet, zhvatjen e pronave dhe të pasurisë kombëtare, në emër të meritave të luftës, sikur të kishin çliruar Gadishullin Ilirik a kontinentin tonë, ndërsa nuk arritën të çlironin as katundin e tyre. Është e dhimbshme të kujtohen pastaj vrasjet e pasluftës, zhvatjet, kërcënimet e zhdukjet e kundërshtarëve politikë, që të hapnin rrugë për pushtet e zhvatje njëzetvjeçare.

   Guerilja shqiptare me siglën e UÇK-së, nuk arriti të formonte ushtri, armatë. Organizimi i UÇK-së ishte më i dobët sesa i forcave nacionaliste shqiptare, që iu kundërvunë partizanëve serbo-malazezë dhe ushtrisë jugosllave që pushtoi Dardaninë më 1945.

 Forcat nacionaliste shqiptare e humbën luftën, sepse nuk patën aleatë. ShBA, Britania e Madhe, Franca nuk ishin në anën tonë, na lanë nën pushtimin e Jugosllavisë. Patëm tribunë ushtarakë të tipit të Shaban Polluzhës, Mehmet  Gradicës, Muharrem Bajraktarit, Gjon Serreçit, Ymër Berishës, vëllezërit Kryeziu, Marie Shllakut e qindra të tjerëve. Por nuk kishim me vete ShBA-në, Britaninë e Madhe, Francën, Italinë. Këta aleatë i bëri për vete Rugova, me qëndrimin dhe politikën që ndoqi përgjatë një dhjetëvjeçari.

Lini një Përgjigje

Dr Ibrahim Rugova: Lutje Zotit

NATO NË KOSOVË DHE TRUPAT RUSE NË PRISHTINË