Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është deklaruar për herë të parë pas raportimeve për dhuratën e shtrenjtë, orën e markës ‘Rolex’ të cilën ia dhuroi kryeministri i Katarit, Sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al-Thani.
Sveçla ka thënë se orën në vlerë 20 mijë dollarë e ka marrë si dhuratë personale, por që ka vendosur ta lë në MPB si pronë të shtetit. Ai e ka njoftuar kryeministrin Albin Kurti për vendimin e tij, ndërsa orën tha se e ka deklaruar vetë në Doganë, dhe se e ka njoftuar Agjencinë Kundër Korrupsionit.
“Po, është e vërtetë se gjatë vizitës sime në Katar, në kuadër të Panairit Milpol, kam pranuar një dhuratë nga Kryeministri i Katarit, një orë dore e markës Rolex, të cilën edhe pse është dhuratë personale kam vendosur që të mos e mbajë personalisht, por të njëjtën ta deklaroj dhe të mbetet si pronë për MPB-në, si shenjë miqësie mes dy vendeve tona. Në të njejtë kohë, e kam njoftuar edhe eprorin tim, kryeministrin Kurti, gjithmonë bazuar në rregullativën ligjore”, thuhet në përgjigjen e ministrit.