Kancelari gjerman Olaf Scholz do të vizitojë Kosovën më 10 qershor. Këtë e bëri të ditur të premten, në Berlin, në konferencën rregullt për shtyp, zëvendës-zëdhënësi i qeverisë gjermane, Wolfgang Büchner.
Më 10 qershor kancelari gjerman veç liderëve të Kosovës, do të takohet edhe me përfaqësues të trupave gjermane të KFOR-it. Po atë ditë Scholz do të vijojë udhëtimin në Serbi,.
Po atë ditë në Selanik ai do të zhvillojë një takim me krerët e vendeve të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP.), një forum politik ky, i iniciuar në Sofje në vitin 1996.
Ai konsiderohet si ombrella politike e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, që është krijuar në vitin 2008, si pasardhës i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore. Kryesinë e SEECP aktualisht e ka Greqia, mbi bazën e parimit të rotacionit.
Të nesërmen, më 11 qershor, Scholz do të vijojë udhëtimin në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari.
“Fokusi i udhëtimit do të jetë perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kontributi i Gjermanisë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe tejkalimin e bllokadave dypalëshe”, tha Büchner.
Tejkalim i bllokadave dypalëshe
Është hera e parë që kur ka marrë postin si kancelar i Gjermanisë që Olaf Scholz viziton rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Itinerari i kancelarit Scholz tregon njëkohësisht se cilat janë tri sfidat aktuale të politikës së jashtme gjermane në rajonin e Ballkanit, të cilin koalicioni aktual e ka shpallur prioritet: mungesa e përparimit në procesin e dialogut Serbi-Kosovë, ngecja e Procesit të Berlinit dhe bllokimi i Bullgarisë për çeljen e negociatave më Maqedoninë e Veriut, e rrjedhimisht edhe Shqipërinë.
Politikani socialdemokrat, i cili në kabinetin e mëparshëm të demokristianes Angela Merkel ka qenë zëvendëskryeministër dhe ministër i financave, ka deklaruar në thuajse çdo fjalim të tij mbi politikën e jashtme se dëshiron të dërgojë një mesazh të qartë për perspektivën evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Këtë ai e përsëriti edhe në një takim që pati të enjten me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković.
Është shumë e rëndësishme që tani të vihet në zbatim premtimi i kahershëm se shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë evropiane dhe se dikur do t’i bashkohen Bashkimit Evropian”. dw.com