Lufta ruse në Ukrainë është gjithashtu një luftë informacioni: qeveria e Presidentit Putin shtyp mediat e pavarura dhe kritikat publike. Opozitari Navalny tani synon gjigandët e internetit të SHBA-së dhe qeveritë perëndimore – me reklama ata duhet ta luftojnë propagandën e Putinit.
Kritiku i burgosur i Kremlinit, Alexei Navalny u ka bërë thirrje qeverive perëndimore dhe kompanive amerikane të internetit që të hapin një “front informacioni” në Rusi. Në një mesazh drejtuar shumë politikanëve të lartë perëndimorë dhe shefit të Meta, Mark Zuckerberg, Navalny shkroi në Twitter se ata duhet të “shpartallojnë propagandën e presidentit rus Vladimir Putin” “duke përdorur mundësitë e reklamimit në mediat sociale”. Ai përsëriti: “Ne kemi nevojë për publicitet, shumë më shumë publicitet.”
“Kombinimi i propagandës vërtet të çmendur në të gjitha kanalet 24/7, mbyllja dhe bllokimi i mediave të pavarura dhe faqeve të internetit ka filluar të ketë efekt”, ka shkruar ai. “Fakti është se shumica e qytetarëve rusë kanë një ide krejtësisht të shtrembëruar, për atë që po ndodh në Ukrainë.”
Megjithatë, Navalny i përshkroi sondazhet që tregojnë se mbështetja për Putinin ishte rritur kohët e fundit si “gënjeshtra”. Rusia “mbylli dhe bllokoi të gjitha mediat e pavarura, përfshirë ato më të kujdesshmet, në vetëm një muaj e gjysmë”. Navalny pyeti: “A do të ishte e nevojshme, nëse lufta me Ukrainën do të kishte vërtet një mbështetje të tillë?” Një sondazh në fund të marsit, tregoi se rreth 80 për qind e popullsisë ruse mbështeti Putinin dhe luftën në Ukrainë.
Apel për Biden dhe Johnson
Navalny shkroi se shumica e qytetarëve rusë nuk e dinë se çfarë saktësisht po ndodh në Ukrainë. Në sytë e tyre, Putin po bën një “luftë të vogël, shumë të suksesshme, me shumë pak gjakderdhje”. Ushtarët e tyre nderohen si heronj dhe faji për viktimat e luftës civile u transferohet “nazistëve të pamëshirshëm dhe Perëndimit”. Një fitore është e nevojshme për të “parandaluar një luftë të tretë botërore”, shkroi Navalny duke iu referuar propagandës së Kremlinit.
Vetë Kremlini e përshkruan pushtimin e Ukrainës si një “operacion special ushtarak”. Mediave i ndalohet, nën kërcënimin e ndëshkimit, ta emërtojnë luftën si të tillë. Pushtimin e Ukrainës qeveria ruse e justifikon ndër të tjera edhe me “denazifikim” të vendit. Twitter, Instagram dhe shumica e mediave të pavarura, janë bllokuar në mënyrë të njëpasnjëshme nga autoritetet që nga 24 shkurti.
“Po, mund të thuhet se të gjithë ata që e besojnë propagandën pëlqejnë të mashtrohen”, shkroi Navalny. “Ata nuk janë të gatshëm të bëjnë as përpjekjen më elementare, për të dëgjuar një opinion alternativ.” Sidoqoftë, shansi qëndron në faktin se shumica e rusëve vazhdojnë të përdorin YouTube, Instagram, Whatsapp, Google ose Facebook – pavarësisht bllokimeve.
Kjo është arsyeja pse Navalny propozon një “fushatë reklamuese” me reklama, në shërbime të ndryshme perëndimore në internet.
Kritiku i Kremlinit i bën thirrje presidentit amerikan Joe Biden, kryeministrit britanik Boris Johnson dhe presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, ndër të tjera, që të “shpërthejnë” “propagandën e Putinit” përmes reklamave në mediat sociale. Navalny është i bindur: “Edhe nëse një reklamë e tillë blihet me çmimin e plotë tregtar, kostoja e saj do të jetë qesharake, në krahasim me çmimin e kësaj lufte”.
Burimi: ntv.de, mbe/AFP, Nga Gjermanishtja Sherif Ramabaja