Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar të premten nga kancelari austriak, Karl Nehammer që të shtyjë përpara procesin e liberalizimit të vizave. Ai ka thënë se Kosova është e përkushtuar të përmbushë të gjitha kriteret që e ofrojnë vendin tonë me Bashkimin Evropian.
Gjatë një konference të përbashkët me kancelarin Nehammer, Kurti tha se e ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë dhe ndihmën e dhënë gjatë luftës në Kosovë.
“Kancelarin Nehammer e falënderova për ndihmën gjatë luftës. Austria ishte rreze shprese gjatë okupimit dhe ndër shtetet e para që e njohu Kosovën. Biseduam për marrëdhëniet tradicionalisht të forta mes dy vendeve dhe mundësinë e thellimit të tyre. Jemi duke punuar për t’u integruar në Bashkimin Evropian. E sigurova kancelarin se Kosova vazhdon të mbetet aleat i besueshëm. Nga kancelari kërkova që Austria të shtyjë përpara vendimin për liberalizim të vizave në Këshillin Evropian. Kosova duhet të përfitojë më shumë fonde nga BE”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, fondet e BE-së që jenë të ndërlidhura me vlerat e Bashkimit Evropian janë të domosdoshme për paqe dhe stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Tutje Kurti tha se Kosova është e gatshme sikurse në rastin e refugjatëve afganë, të ofrojë strehim edhe për refugjatët ukrainas.
“Kemi strehuar refugjatët afganë, kemi shpallur sanksione dhe kemi shprehur gatishmëri për strehimin e refugjatëve ukrainas. I jemi bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe kemi shprehur gatishmërinë për të ofruar kushte pune për 20 gazetarë ukrainas dhe gatishmëri për strehim të pesë mijë refugjatëve”, sqaroi ai.
Ndërkaq, kancelari austriak Karl Nehammer tha se Kosova duhet të jetë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian.
“Është e rëndësishme që Austria të jetë urë lidhëse e Kosovës me Bashkimin Evropian. Do të jetë e rëndësishme që ta përfshijmë edhe Gjermaninë sepse edhe ata janë miq të Kosovës dhe ta përshpejtojmë anëtarësimin në BE. Shpresojmë t’ia dalim sepse Ballkani është pikë gjeostrategjike e gjeopolitike e rëndësishme për Austrinë”, ka thënë Nehammer.
Kancelari austriak i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë pritet të takojë sot edhe presidenten, Vjosa Osmani.