Ai popull që përçmon veten, kurrë nuk krijon vlera.
Që kur ka filluar lufta në Ukrainë, nga të gjitha anët u mbushën rrjetet me adhurim ndaj ukrainasve e veçanërisht ndaj heroit të tyre, Zelensky. Kjo është krejtësisht në rregull dhe thellësisht njerëzore.
POR
– Pse u tallën njerëzit me luftëtarët tanë?
– Pse u bënë krahasime aq idioteske mes një UÇK-je të dalë prejdheut me një ushtri të një super shteti, siç është Ukraina?
– Pse u bë edhe një krahasim pa shije dhe krejt i marrë mespresidentit të një super shteti dhe të presidentit Ibrahim Rugova, i cili pos vullnetit për pavarësi, asgjë tjetër nuk posedonte e as nuk përfaqësonte.
MILLOSHEVIQI VRISTE GRA E FËMIJË
Të dashur miq, e sidomos ju që nuk e keni përjetuar kohën nga 1987 deri në 1999. Serbia nuk bënte luftë vetëm për ta ruajtur kontrollin mbi Kosovë. Serbia bënte luftë për të shfarosur shqiptarët. Nuk përzgjidhte Serbia caqet ushtarake e policore të shqiptarëve, sepse ato nuk i kishim. Serbia synonte shfarosjen tonë: disa mijëra duke i vrarë e disa qindra mijëra të tjerë duke i përzënë nga vendi i tyre.
Ne nuk e kishim komoditetin t’i nxirrnim civilët para tanksave të Serbisë për të tentuar ndaljen e tyre, siç e shohim sot popullatën e Ukrainës para tanksave ruse. Serbia do të gëzohej sikur ne të vepronim ashtu, sepse kështu do t’ia lehtësonim realizimin e planit për masakra, pa pasur ata nevojë që t’i gjenin gratë e fëmijët tanë maleve për t’i masakruar.
NËNÇMIMI I HERONJËVE ËSHTË TALLJE ME TË ARDHMEN
Po harrojnë disa se, nëse e marrim për bazë numrin e banorëve dhe kushtet e rezistencës tonë, pa armë, pa ushtri, pa polici dhe pa asnjë institucion nën kontrollin tonë, heroizmat e Zahir Pajazitit, Adem Jasharit, Xhevë e Femi Ladrovcit, Familjes Haradinaj, Bekim Berishës, Agim Ramadanit, Sali Cekajt si dhe të shumë heronjve tjerë, janë të pakrahasueshme.
Jemi të vetëdijshëm që, përkundër këtyre heroizmave dhe rezistencës sublime të UÇK-së, ne nuk mund ta çlironim as edhe një fshat, prapëseprapë edhe nën ato kushte, heroizmi dhe rezistenca nuk ka munguar. Prandaj, është tejet e pandershme të bëjmë krahasime absurde, siç kanë bërë shumë njerëz.
“TOKA E DJEGUR”
Po ta zbatonin rusët doktrinën ushtarake që i tipizon ata, “toka e djegur,” Ukraina nuk mund të rezistonte deri në këtë ditë, përkundër rezistencës profesionale dhe të guximshme që kanë.
Miq, tek ne është zbatuar “toka e djegur,” prandaj është turp dhe budallallëk të nxirren paralele dhe të krahasohet lufta jonë me atë në Ukrainë.
E admiroj rezistencë e supershtetit të quajtur Ukrainë, por një gjë duhet ta dimë: gjithçka është e pakrahasueshme me luftën dhe gjendjen tonë të asaj kohe. Gjithçka.