Daut Dauti
Gazeta e përditshme kanadeze ‘Toronto Star’, që nga fillimi i vitevet të ’80-ta, ka patur qëndrim korrekt ndaj Kosovës dhe Shqipërisë. Ka qenë ndër gazetat e para që më së shpeshti bënte me dije për keqtrajtimin e shqiptarëve në Jugosllavi. Gjatë luftës së Kosovës kjo gazetë me të madhe ka publikuar artikuj që bënin me dije për krimet serbe dhe bënte thirrje që bombardimet të shpeshtoheshin dhe të intervenohej me trupa tokësore.
Kjo gazetë edhe sot e sheh Serbinë si problemin kryesor të Ballkanit. Serbët me siguri do ta cilësonin këtë gazetë si media proshqiptare.Kjo gazetë ka patur qëndrim të këtillë me siguri edhe për shkak ndikimit të redaktorit Eric Margolis, i cili ka kontribuar në këtë gazetë për 27 vite rresht, deri më 2010. Margolis ka qenë dhe ende është analist aktiv në televizionet e mëdha amerikane dhe kanadeze. Ai ka rubrikë të veten edhe në ‘Huntington Post’ dhe në mënyrë periodike edhe në disa gazeta tjera amerikane dhe në disa të Lindjes së Mesme. Ai është edhe biznismen i suksesshëm.
Me fjalë tjera, Eric Margolis është njeri me ndikim të madh.Eric është djalë i industrialistit, juristit dhe producentit të njohur amerikan, Henry M. Margolis. Dmth vjen nga një familje e themeluar mirë dhe me ndikim, sidomos në politikën konzervative amerikane. Por, nëse Eric Margolis cilësohet si proshqiptar, ai edhe është i tillë për shkak se nëna e tij është shqiptare. Eric është djali i Nexhmie Zaimit (1917-2003), shqiptaro-amerikanes së njohur, e cila poashtu ka punuar gazetare, përfshirë CNN-in dhe media tjera të rëndësishme amerikane.
Njëkohësisht, Nexhmia ka qenë zë shumë i rëndësishëm i kauzës shqiptare në Amerikë. Nexhmie Zaimi është autorja e librit ‘Daughter of the eagle : the autobiography of an Albanian girl’, të botuar në vitin 1937. Ky libër me siguri është autobiografia e parë që ka shkruar një grua shqiptare.Megjithatë, Eric Margolis nuk është shumë i njohur ndër shqiptarët. Por, kjo nuk ka rëndësi. Me rëndësi është se kështu krijohen ndikimet, që në këtë rast kanë të bëjnë me origjinën, të cilën njeriu nuk mund ta mohoj. Madje, i del në mbrojtje kurdo që ka nevojë.


