Alepo, metropoli tjetër i njohur në Siri, është qyteti më i vjetër në vend, dhe një nga qytetet më të vjetra të banuara ende në botë. Në kohët e lashta, qyteti njihej si Ebla, dhe nga fundi i mijëvjeçarit të tretë Para Krishtit, ai ishte shumë i zhvilluar. Ebla ishte qyteti i Hadadit, një perëndi e lashtë e stuhive. Rrënojat e tempullit të Hadadit mund të shihen ende sot
Kur mendojmë se cili është qyteti më i vjetër në botë, përgjigja duhet të jetë në parim e thjeshtë. Fituesi është qyteti, ekzistenca e të cilit mund të gjurmohet më larg në kohë, duke përdorur analizën me radiokarbon. Por përgjigja nuk është dhe aq e thjeshtë nga sa duket. Në fakt, çfarë nënkuptojmë kur flasim për “qytetin më të vjetër”? A është qyteti më i vjetër në botë një vend i banuar vazhdimisht? Apo qyteti i parë i ndërtuar nga njerëzit, që sot nuk ekziston më? Po qytetet që e filluan jetën si vendbanime të vogla, dhe u shndërruan në qytete shumë më vonë? Xheriko, një qytet në Palestinë, quhet shpeshherë qyteti më i vjetër në botë. Të dhënat arkeologjike, tregojnë se ky qytet është banuar që 11.000 vjet më parë. Rreth vitit 9.000 Para Krishtit, aty u vendosën gjuetarët-mbledhës, ndërsa duke nisur nga viti 8.000 Para Krishtit në Xheriko nisi zhvillimi i bujqësisë.
Kjo duhet të nënkuptojë se Xheriko është qyteti më i vjetër në botë, apo jo? Jo plotësisht. Në vitin 7000 Para Krishtit, Xheriko nuk kishte zhvilluar ende artin e qeramikës, edhe pse njerëzit që jetonin atje ndërtonin mure dhe shtëpi duke përdorur gurët. Xheriko u shpopullua më vonë. Nga fundi i mijëvjeçarit të IV Para Krishtit, ne shohim rishfaqjen e mureve, por vetëm në vitin 2300 Para Krishtit, Xheriko nisi të zhvillonte një jetë urbane. Prandaj, ai nuk ishte qyteti më i vjetër i ndërtuar nga njeriu. Çatalhojuk dhe Gëbekli Tepe në Turqi, kanë treguar shenjat më të hershme të proto-qyteteve. Në Gëbekli Tepe ka dëshmi të ndërtimit të kolonave. Ndërkohë Çatalhojuk nuk kishte rrugë. Për të hyrë në shtëpi njerëzit hipnin nga çatia. Këto vendbanime të lashta zbulojnë informacione të rëndësishme mbi shfaqjen e qyteteve. Por atyre u mungonin ndërtesat publike, rrugët e mirëmbajtura, dhe një rrjet kompleks urbanizimi. Do të kalonin disa mijëvjeçarë derisa qyteti i parë në botë, Uruk, të ngrihej në brigjet e lumit Eufrat në Irakun e sotëm. Ai ishte kryeqyteti i mbretit legjendar Gilgamesh, tregimet e të cilit janë përjetësuar në Eposin e Gilgameshit. Midis viteve 4000 dhe 3200 Para Krishtit, Uruk përjetoi një zgjerim të shpejtë, nga një vendbanim ruralo-bujqësor në një qytetërim të sofistikuar urban.
Uruk ishte një qytet i madh me godina publike, një burokraci të madhe, me ushtri, rrugë, kanalizime publike, dhe një shoqëri të ndarë në klasa. Ai ishte qyteti më i madh në botë, me një popullsi prej 40.000 banorësh që jetonin brenda qytetit, dhe 80.000 të tjerë në zonat fqinje. Fermerët nuk jetonin brenda qytetit. Popullsia e Uruk-ut përbëhej nga skribët, artizanët, punëtorë e ndërtimit, punëtorët e tjerë, bukëpjekësit, kasapët, priftërinjtë dhe zyrtarët e qeverisë. Me zhvillimin e tij, në Uruk u shfaq një sistem shkrimi. Banesat në këtë qytet ishin shtëpi me oborr.


