Një nxënës 15-vjeçar vrau tre gjimnazistë dhe plagosi tetë persona të tjerë kur hapi zjarr me një pistoletë gjysmë automatike në një shkollë të mesme në Miçigan dhe u arrestua menjëherë, njoftoi policia lokale.
Një nga të plagosurit ishte një mësues dhe të tjerët ishin nxënës në shkollën e mesme Oxford në Oksford të Miçiganit, rreth 65 km në veri të Detroitit, tha zyra e Sherifit të Qarkut Oakland.
Motivi i autorit është i panjohur, thanë zyrtarët.
Të vrarët ishin një djalë 16-vjeçar, një vajzë 17-vjeçare dhe një vajzë 14-vjeçare, u tha gazetarëve në vendngjarjezëvendës sherifi Michael McCabe.
Dy nga të plagosurit po i nënshtroheshin operacionit dhe gjashtë ishin në gjendje të qëndrueshme, tha zoti McCabe.
I dyshuari, nxënës në vitin e dytë, besohet se ka vepruar i vetëm dhe u arrestua pa bërë rezistencë pasi qëlloi me 15 deri në 20 plumba, tha zoti McCabe.
“E gjithë ngjarja zgjati pesë minuta,” shtoi ai.
I dyshuari nuk i dha asnjë deklaratë policisë dhe kërkoi të drejtën e tij për një avokat pasi u këshillua të mos fliste nga prindërit e tij, tha zoti McCabe.
E fundit në një sërë incidentesh me armë zjarri në shkollat amerikanë, ngjarja ka të ngjarë të ringjallë debatet rreth kontrollit të armëve dhe shëndetin mendor, në kushtet kur shumë shtete lejojnë qasje të lehtë tek armët e zjarrit, ndërsa çrregullimet e shëndetit mendor shpesh nuk trajtohen.
“Ky është një problem unik amerikan që ne duhet ta trajtojmë,” tha Guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer, e cila shkoi në vendngjarje ku foli për mediat bashke me zotin McCabe.
Nxënësja Abbey Hodder tha për gazetën Detroit Free Press se ishte në klasën e kimisë kur dëgjoi një zhurmë xhamash që thyheshin.
“Mësuesi im doli jashtë dhe u trondit nga ajo që pa. Ai menjëherë fillo të shtynte tavolinat. Është pjesë e protokollit të shkollës që të krijojë barrikada, kështu që ne të gjithë e kuptuam dhe të gjithë filluam të shtyjmë tavolinat”, tha nxënësja 15 vjeçare.
Presidenti Joe Biden u informua për ngjarjen nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, u tha gazetarëve sekretarja e shtypit Jan Psaki.
“Jam me zemër me familjet që po përjetojnë pikëllimin e paimagjinueshëm të humbjes së një njeriu të dashur,” tha zoti Biden nga Minesota, ku ishte për vizitë. VOA