in

Lojërat partizane “Enver Hoxha-Fadil Hoxha”

Enver Hoxha së bashku me themeluesit e PKSH-së, terroristët Milladin Popoviç dhe Dushan Mugosha.

Shkruan: Gani Mehmetaj

Lufta “Nacionalçlirimtare” në Jugosllavi e në Shqipëri ishte luftë kriminale. Për katër muaj “çlirimi” partizanët serbo-malazezë në Kosovë vranë pesëdhjetë herë më shumë shqiptarë sesa fashistët apo nazistët për katër vjet okupimi. Të njëjtat krime i bënë partizanët në Shqipëri, ku nisën luftën civile deri në shfarosje të kundërshtarëve politikë e rrënim të veriut antikomunist. Një okupator, i cili ia mbathi, u zëvendësua me një okupator shumëfish më mizor. Partizanët ndaheshin në ata që bënin krime me vetëdije, të cytur nga tutela e serbëve dhe në ata që i mobilizuan me dhunë.

Të festosh përvjetorët e “çlirimit” është të festosh përvjetorët e krimit. Më e drejtë do të qe sikur të kujtoheshin viktimat e partizanëve, mbi varret e të cilëve do të duhej të vinim lule, në vend se të lejonim mjeranët partizanë të bënin homazhe, duke i kujtuar krimet e tyre.

Ato ditë shkruhej shumë për periudhën ende të pandriçuar sa duhet të raporteve Shqipëri-Jugosllavi, për fazën e luftës partizane, për vrasjet e fshehta në mes të partizanëve, për vrasjet e mijëra të rinjve e civilëve të paarmatosur. Partizanët jugosllavë e ata shqiptarë patën premtuar se me të përfunduar të luftës, Kosova do të bashkohej me Shqipërinë, ose do të organizohej referendumi. Me referendum dihej fare mirë përcaktimi i popullatës shumicë. Premtimet i barti era, gjërat rrodhën ndryshe nga ajo që u tha, partizanët jugosllavë (serbë e malazezë) bënë plojë të paparë ndaj shqiptarëve.

Gjithnjë mjegullohej periudha e luftës, ajo e pasluftës dhe shkëputja përfundimtare e marrëdhënieve Jugosllavi-Shqipëri, kur dihej se Partia Komuniste e Shqipërisë u formua nga dy serbo-malazezë, Miladin Popoviq e Dushan Mugosha. Ndikimi i tyre te Enver Hoxha u bë vendimtar e fatal. Asnjëherë nuk u qartësua roli i Fadil Hoxhës, Xhavit Nimanit, Elhami Nimanit, Ymer Pulës, Ismet Shaqirit e partizanëve të tjerë, emrat e të cilëve rënduan shumë mbi kurrizin e shqiptarëve. Shumica prej tyre apo të gjithë i kishin duart e përlyera me gjak. Se si e bënin gjumin, ata e dinin.

Historianët e intelektualët përpiqeshin që në kohën e euforisë patriotike të ndriçonin pjesë të historisë kombëtare gjatë dhe pas luftës së fundit. Gjatë debatit fatkeqësisht në pjesën më të madhe u thanë gjërat që diheshin. Fadil Hoxha, kreu i kësaj fshehtësie, heshtte edhe më tutje. Kujt i druhej dhe nga kush frikësohej, kurrë nuk u mor vesh. Ndërkaq, me emrin e tij lidheshin disa masakra: vrasja e grupit të Kryezinjve, tradhtia në Drenicë, vrasjet e intelektualëve në Gjakovë, terrori ndaj elitës aristokratike e nacionaliste në Prizren, Pejë etj.Megjithatë, në Simpoziumin e Pallatit të Shtypit ishin gati e tërë struktura e partizanëve të mbetur gjallë. Fadil Hoxha nuk e tha gati asnjë fjalë, kurse Xhavit Nimani në mënyrën e vet nisi të rrëfente diçka, megjithëse oratorinë e pati gjithë jetën thembër Akili.Nga rrëfimi i Xhavit Nimanit veçova ato ditë në gazetën “Rilindja” disa segmente: “Më tha Fadil Hoxha të shkoja në Tiranë te Enver Hoxha me porosinë që të bisedonim për fatin e Kosovës, u kishim thënë popullatës shqiptare të na mbështesnin, sepse pas luftës Kosova do t’i bashkohej Shqipërisë. Enver Hoxha nuk ma përfilli kërkesën. Më tha ‘ik ti në Kosovë, sepse e kemi biseduar ne këtë punë me shokët jugosllavë’. Me t’u kthyer nga Tirana, ende pa i raportuar Fadil Hoxhës, Spasoje Gjakoviqi, më thotë: ç’i ke thënë ashtu Enver Hoxhës për bashkimin e Kosovë me Shqipërinë? U habita, meqë bisedën me Enver Hoxhën e kishim bërë kokë më kokë, shpresoja se nuk e dinte askush tjetër.

Xh. Nimani kreu edhe punën e sekretarit të Enver Hoxhës gjatë luftës. Ai e tregonte dyshimin e tij para pjesëmarrësve në simpozium se bisedën e fshehtë e dekonspiroi E. Hoxha, e F. Hoxha, duke u raportuar jugosllavëve.Në të njëjtin simpozium, ku ishte i pranishëm F. Hoxha me gruan, Vahiden, Xh. Nimani e tregoi një insert interesant: “Më raportonin korrierët tanë se brigadat serbo-malazeze të zbritura nga Bokeli (Mali i Zi) e Serbia mblidhnin të rinjtë tanë nëpër Kosovë, i nisnin kinse në front, ndërsa rrugës nëpër Shqipëri, i keqtrajtonin e i vrisnin. U nisa këmbë, pastaj gjeta një mjet transporti deri në Prishtinë që t’ia tregoja ngjarjen Fadil Hoxhës. I thashë se po flitet se brigadat serbe e malazeze që i kanë rekrutuar të rinjtë tanë, po i vrasin rrugës. Ai më pyeti: “A ka gjakovarë?” “Jo!” i thashë i habitur, “nuk ka”. “Atëherë, shko në shtëpi!” ma ktheu.

Nimani e tregoi dëshpërimin e tij për këtë përgjigje, ashtu sikurse deshi të tregonte se nuk ishte e vërtetë kinse nuk e kishin ditur zyrtarët e lartë krahinorë e federativë, sikurse përpiqeshin t’i nxjerrin edhe disa historianë. Të gjithë e kishin ditur çfarë bënin partizanët serbo-malazezë. Të gjithë e dinin për përgatitjen që më parë të masakrës së Tivarit.

Në simpozium edhe herën e parë, edhe herën e dytë F. Hoxha deshi ta kundërshtonte, mirëpo gruaja e tij që të dy herët e pengoi. “Mos fol!” ia tërhiqte vërejtjen, duke e kapur për mëngën e palltos. Nuk e kuptoja pse nuk e lejonte gruaja e tij të rrëfehej burri. Çfarë të pabërash fshihnin. Mosha i obligonte që nga fundi i jetës të bëheshin të sinqertë ndaj kombit të tyre, të cilit i kishin rënë pesëdhjetë vjet në qafë.

Brigadat serbo-malazeze vranë 50.000 shqiptarë me pretekste e shkase nga më të ndryshmet, duke ua plaçkitur pronat dhe duke ua dhënë kolonëve serbo-malazezë. Por ploja më e madhe që u bë për një ditë është masakra e Tivarit, për të cilën patën dijeni jo vetëm në Beograd, ku u iniciua nga Shtabi i mareshalit Tito, por edhe nga Fadil Hoxha e kreu i Shqipërisë, Enver Hoxha, me komandantë lokalë. Ishte kjo një kronikë e masakrës së paralajmëruar, të cilën nuk e pengoi askush dhe nuk e bëri mall asnjëri nga kreu i udhëheqjes shqiptare (“Ka ndonjë gjakovar, në mesin e të rekrutuarve për Tivar? Jo nuk ka”, më sillej nëpër kokë biseda e F. Hoxhës me Xh. Nimanin).

Kreu i udhëheqjes serbe e jugosllave kuptohej pse e bënin dhe pse e heshtën njëkohësisht masakrën e Tivarit apo masakrën e Shibenikut. Ato ditë vëzhguesit e huaj anglo-amerikanë silleshin nëpër Jugosllavi. E panë apo jo pak është hulumtuar nëpër arkivat e tyre.

“Ka ca gjëra që nuk duhet të dalin në shesh”, raportonte gazeta “Rilindja” e datës 5 qershor 1990, duke iu referuar Fadil Hoxhës për masakrën e Tivarit. F. Hoxha jo vetëm përpiqej ta fshihte edhe më tutje nga opinioni këtë vrasje masive të shqiptarëve për një ditë, por e minimizonte dhe e degradonte në shkallë kriminale, sikur të flitej për plaçka e jo për vrasjen e 5.000 shqiptarëve, kryesisht të rinj. Për plojën më të madhe të Luftës së Dytë Botërore, ai thotë se partizanët që i bënë nuk duhej të turpëroheshin, sepse ato nuk paskan qenë thelbësore. Pra, sipas tij, të vrasësh 5 mijë të rinj nuk qenka thelbësore, nuk qenka krim nga i cili duhet të turpërohen kriminelët.

Ai madje e thotë se këto masakra nuk duhet të hulumtohen fare se kush i vrau, as pse u vranë, megjithëse e pranon se ata u vranë: “Me gjasë pa faj”. Ai pastaj nis t’i minimizojë shifrat e të vrarëve, duke dhënë versione të ndryshme dhe duke u përpjekur njëkohësisht të mashtrojë kinse të dhëna të sakta nuk ka as Instituti Ushtarak i Beogradit. Hulumtimi i masakrës së Tivarit, sipas F. Hoxhës, nuk i kontribuon historisë. Ky partizan në ndërgjegjen e të cilit rëndojnë krime të frikshme, edhe pasi e shkarkuan nga të gjitha funksionet, edhe pasi e denigruan e fyen serbët e malazezët, deklaron se ata që përpiqen ta ndriçojnë masakrën e Tivarit janë nacionalistë e shovinistë, sepse ndriçimin e kësaj ploje po e shfrytëzuakan kundër tyre, pra kundër vrasësve partizanë serbo-malazezë, me të cilët ai në mënyrë kriminale identifikohet (shih shkrimin: ”Fadil Hoxha për krimin në Tivar 1945”, faqe 15, “Rilindja”, më 5 qershor 1990. “Ka nacionalistë, të cilët kanë dëshirë të madhe t’i shohin dobësitë tona dhe t’i shfrytëzojnë në luftë kundër nesh”, vazhdon ai në simpoziumin që e organizoi Lidhja e Luftëtarëve e Kosovës. Ndërkaq, kur ai e mbronte një krim monstruoz, Jugosllavia po shpartallohej, ai qëndronte buzë varrit, shqiptarët luftonin për shkëputje, kurse ai i arsyetonte krimet jugosllave.

F. Hoxhës i ngarkohej në shpirt edhe masakrimi i grupit të rezistencës antifashiste në krye me Kryezitë, sepse ata ishin për Shqipërinë etnike, ndërsa kundër ndikimit të Bashkimit Sovjetik e Jugosllavisë. Në arkivat britanike qe zbardhur dokumenti i majorit anglez, i cili e kërcënonte F. Hoxhën se nëse e vret grupin e Kryezinjve antifashistë, anglezët do ta ndjekin deri në fund të botës për krime lufte. Komandanti partizan, F. Hoxha, me sugjerimin e Beogradit i vrau të gjithë luftëtarët e arrestuar, duke i groposur fshehtazi. Një intervistë të cilën e bëri gazetari i “Rilindjes”, ndërsa ia dorëzoi një botuesi, familjar i Hoxhës, kurrë nuk u botua. Fatkeqësisht pjesën më të madhe të fshehtësive i mori në varr Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Ymer Pula etj. Në kohën sa mbahej simpoziumi iu ofrova për intervistë, por ai iu shmang bisedës. Nuk pranoi të deklarohej as kur iu ofruan gazetarë tjerë.Më vonë bisedat me të që janë botuar në një libër janë falsifikuar e retushuar, me tha një koleg i vjetër, i cili më pati treguar se ka xhiruar disa orë intervistë me këtë partizan me shumë poste politike e shtetërore. Ai nuk e dinte fatin e atyre intervistave. Vetë nuk i kishte ruajtur.

Fragment nga libri “Ëndrra e madhe”

Lini një Përgjigje

Rehabilitimi politik i Fadil Hoxhës është tradhëti kombëtare

Nobelisti Orhan Pamuk, nën hetime për fyerje ndaj Ataturkut