UET, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar organizoi një spektakël poetik për librin më të ri me poezi të Preç Zogajt “Një e tretë, dashuria”, botim i UET Press
Në një spektakël poetik në Art Turbina, organizuar nga Universiteti Europian, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar, poezia dhe vetë autori, erdhën mes zbërthimeve dhe interpretimeve të ndryshme. Aktorët e Teatrit Kombëtar interpretuan disa prej poezive të librit “Një e tretë, dashuria”. Poeti i parë laureat, Rudolf Marku, i cili ka bërë parathënien e librit, por njëkohësisht gëzon një miqësi të hershme me autorin, i bëri një interpretim interesant vetë titullit të librit, teksa e cilësoi si librin më të mirë të letërsisë shqipe, por edhe të vetë autorit, i cili e ka sprovuar veten edhe në gjini të tjera letrare. Poetja Natasha Lako çmoi pasurinë e gjuhës, që sipas saj, nën penën e Preçit bëhet e papërsëritshme dhe pandashme nga ai. Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli dhe drejtoresha e botimeve UET Press, Suela Mino, folën nën dritën e bashkëpunimeve me autorin, prurjet e të cilit kanë qenë të shpeshta nën logon e UET Press.
Ky spektakët poetik u moderua nga aktori dhe pedagogu i UET, Dritan Boriçi, i cili nuk i rezistoi tundimit për të interpretuar një prej poezive.