Gani Mehmetaj
“Të fala”- Ndrekë Luca, film portret, sipas skenarit të Natasha Lakos e Mevlan Shanajt, në regji të Mevlan Shanajt (2013)
Ndrekë Luca, njëri ndër aktorët më të mëdhenj të teatrit e të filmit shqiptar, me figurë e shprehje të veçantë të fytyrës e syve, me interpretime të jashtëzakonshme, me energji shpërthyese që rrezatonte në ekran e në skenë, ashtu sikurse ishte i veçantë në raport me të tjerët, u ringjallë nga regjisori Mevlan Shanaj në filmin dokumentar “Të fala, Ndrekë Luca”. Ndreka për të cilin që krijuar miti edhe në të gjallë, që të imponohej më pamjen e shprehjen artistike, që ngjallte në ekran figura negative, ta kujton një periudhë të gjatë të filmit e të historisë shqiptare.
– Këtu e kam takuar për herë të parë Ndrekë Lucën, – nis rrëfimin Mevlan Shanaj, aktor e regjisor i njohur, për të vazhduar pastaj me shpalimin e portretit nga mozaiku i rrëfimeve të të tjerëve, nga kujtimet e fqinjëve në Shkodër, nga kujtimet e gruas, të djalit e të vajzës, nga kujtimi i jetës artistike të regjisorëve të njohur shqiptarë, të cilët punuan me te. Kujtimet e tyre i shpalojnë Piro Milkani, Kristaq Dhamo, Dhimitër Anagnosti, Roza Anagnosti, Viktor Gjika, Rikard Ljarja, Muharrem Fejzo, Kujtim Çashku, Vladimir Prifti, Tinka Kurti, Lazër Filipi, Pirro Milkano, Timo Flloko.
Ngjyrim të veçantë i japin rrëfimet kujtimet e gruas Mimoza Luca dhe vajzës Rozafa e djalit Gjergji. Pastaj dalin në ekran pamje nga filmat, fotografi e pamje nga shfaqjet. Duke rrëfyer ata tregojnë për një karakter të fuqishëm, tipar karakteristikë i N. Lucës, me fuqi interpretimi ekspresiv që la gjurmë në film e në teatër.
Rudof Marku e quan Xhek Nikollsonin shqiptar. Në film Luca interpretoi mjaft role negative të armiqve, kriminelëve, të cilët kanë potencë të jashtëzakonshme, kështu që nëse nuk arrin t’i duash, atëherë do t’i mbash në mend kohë të gjatë, sepse janë karaktere të forta, të qëndrueshme, gati të pathyeshme. Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse regjisorët ia kanë rrudhur gamen e interpretimeve, duke e klishetizuar në rolet e të këqijve. Jam përpjekur t’i arsyetoj me hamendësimet e mia: Mbase u mishërua më së miri në këto role, mbase kishte shprehje ekspresiviteti që nuk i gjenin të aktorët e tjerë, prandaj regjisorët ia besuan disa nga rolet për shikuesit më të mënishme. Çuditërisht edhe pas këtyre roleve shikuesit e donin, madje e adhuronin.
Të gjitha këto tipare të veçanta, të rralla e të papërsëritshme na i shpalon Mevlan Shanaj në filmin dokumentar për aktorin e ndjerë Ndrekë Lucën. Duke inkuadruar pamjet e vendit ku lindi, jetoi, punoi e u ngritë, me rrëfimet e atyre që e njohën, jetuan e punuan me te, krijohet tërësia e mozaikut të jetës e veprës së një aktori ndër më të mëdhenjtë që pati kinematografia shqiptare.
Pak kush e di se Ndrekë Luca, pas gjimnazit françeskan të Shkodrës, u shkollua për pilotë ushtarak në Zarë të Kroacisë, por e braktisi jetën ushtarake dhe iu përkushtua aktrimit.
Ndrekë Luca ishte aktori më i famshëm që e çoi peshë shikuesin e Kosovës në turneun e trupës shqiptare nëpër qytete të ndryshme. Asnjëherë, askush nuk e pati fuqinë magjike mbi mijëra shikues sikurse që e pati Ndrekë Luca që i mrekulloi shikuesit.
Ndreka i Dukagjinit, Ndreka aq i afërt me shikuesit gjakovarë, prishtinas e pejanë që sa herë e thoshte një fjali në skenë, ndërpritej nga shikuesit me duartrokitje e brohoritje shpërthyese, na mallëngjen kur e shikojmë në ekran ashtu si e kishim fiksuar në rininë tonë të vrullshme, ashtu e kishim mbajtur në mend e ndryrë në imagjinatën tonë.