LDK-ja, që nuk e ka votuar Qeverinë e Albin Kurtit e as Konjufcën si kryeparalmentar, ka premtuar qëndrim konstruktiv e ka thënë se për çështjen e presidentit do të takohet ndaras me Vjosa Osmanin.
“Ne do të jemi një opozitë aktive dhe do të jemi një alternative e re. Këtu përfundojmë takimin me VV’në dhe jemi të dakorduar që pas formimit të qeverisë të takohemi me pretendenten për presidente dhe të kuptojmë pozicionin e saj karshi LDK’së, Vetëvendosjes, opozitës. Presim që javën e ardhshme të kemi ftesë nga kandidatja për presidente”, ka thënë Abdixhiku pas takimit, duke thënë se me Osmanin, sipas të gjitha gjasave, do të takohen këtë javë.
Një ditë pas votimit të Qeverisë e konstituimit të Kuvendit, një takim mes Vjosa Osmanit e Lumir Abdixhikut nuk dihet se kur do të mbahet.
Burime të Express’it brenda LDK-së kanë bërë të ditur se deri më tani nuk ka ndonjë datë e se janë duke e pritur ftesën nga ekipi i Osmanit.
Në LDK thonë se pritet që Osmani ta ftojë Abdixhikun, por që subjekti që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku nuk e di ende se kur do të shkojë kjo ftesë.
Se kur mund të ketë ftesë për takim Osmani – Abdixhiku nuk e kanë sqaruar as në zyrën e Osmanit, të pyetur nga Express-i.
Osmani dhe Kurti kanë takuar në takime të ndara krerët e subjekteve politike, derisa AAK-ja e PDK-ja tashmë kanë deklaruar se nuk do ta përkrahin kryetaren e Listës “GUXO” si kandidate për presidente.
Dyshja që i fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit po del të ketë telashe edhe me Listën Serbe, pasi ky subjekt mori vetëm një ministri.
Lista Serbe është ankuar dhe ka thënë se do të drejtohet në Gjykatën Kushtetuese e tashmë është diskutabile nëse të njëjtët do të pranonin të qëndronin në sallë apo ta votonin Osmanin për karrigen më të rëndësishme të shtetit.
Vjosa Osmani e ka ushtruar detyrën e presidentit të Kosovës për disa muaj pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.
Në marrëveshjen LVV-Lista “GUXO”, Osmani ishte bërë e ditur se do të marrë pozitën e presidentit të Kosovës.
Osmani, që ka dalë më e votuara nga zgjedhjet e 14 shkurtit, si kundërkandidat për pozitën e presidentit e kishte Ramush Haradinajn. Megjithatë, duket se i njëjti është tërhequr nga kjo garë.
Ajo mund të emërohet presidente vetëm nëse i siguron 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.
“Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës”,, saktëson Kushtetuta e Kosovës.
Vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në rast se asnjëri kandidat nuk i arrin votat e nevojshme, derisa zgjedhjet, sipas Kushtetutës, në raste të tilla duhet të mbahen brenda 45 ditësh.


