in

Fjalimi i plotë i Kurtit pasi zgjidhet kryeministër

Fjalimi inagurues i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Të nderuar deputetë të Kuvendit,

Shkëlqesi ambasadorë, përfaqësues ndërkombëtarë,

Kryetarë të komunave,

Familje të dëshmorëve,

Të nderuar të pranishëm dhe të dashur qytetarë të Republikës.

Ju falemnderit.

Më lejoni që të falënderoj secilin qytetar të Kosovës, ata që votuan Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe ata që votuan subjektet tjera, për maturinë dhe përgjegjësinë qytetare e frymën demokratike që kanë dëshmuar gjatë procesit të votimit.

Deri dje isha kandidat i një subjekti kurse nga sot jam kryeministër për të gjithë qytetarët e republikës.

S’ka dyshim se këto zgjedhje ishin historike por po aq historike është edhe përgjegjësi e kësaj qeverie.

Andaj sot aq sa jam mirënjohës për besimin e dhënë, po aq ndjehem i përulur para detyrave që kemi para nesh.

I përulur sepse vota nuk është thjeshtë një numër. Secila votë është secili qytetar i cili ka vënë besimin dhe shpresat tek ne që më në fund të kthejmë gjërat së mbari.

Të zhvillojmë ekonominë dhe të rrisim të ardhurat, të sjellim drejtësi dhe një sens të barazisë në shoqëri ku secili arrin të zhvilloj potencialin e saj dhe të tij dhe ku secila e secili fiton pjesën që i takon dhe i nënshtrohet rregullave të njëjta.

Pritjet janë të mëdha, prandaj edhe përgjegjësia që kemi është e madhe.

Është tejet e rëndësishme që secili nga ne që jemi zgjedhur në pozita të caktuara të ndjejmë këtë peshë të besimit dhe të përgjegjësisë ndaj qytetarëve, si në parlament si në qeveri, si në administratë publike e në çdo institucion publik.

Të qenit deputet është privilegj. Nga miliona qytetarë të republikës ju jeni zgjedhur që t’i jepni zë mendimit të tyre, të flisni në emër të tyre dhe të shtyni përpara ligje që mbrojnë dhe ndihmojnë interesat e tyre.

Kjo është përgjegjësi e madhe, andaj edhe nga ju pritet që të jeni të mirë përgatitur e të informuar.

Për deputetët e pozitës, të cilët janë gati gjysma e parlamentit, këtë rol e përgjegjësi mos e merrni si të mirëqenë e mos u sillni me arrogancë, sidomos ndaj opozitës, sepse ashtu siç u kanë dhënë votën qytetarët ashtu edhe ua marrin.

E sa vlen kjo për deputetin vlen shumëfish më shumë për mua si kryeministër dhe gjithë kabinetin qeveritar që u zgjodh sot.

Gjatë fushatës zgjedhore, një nënë në Ferizaj na tha këto fjalë, po e parafrazoj: “nëse punoni për popull e për shtet, keni me pas mbështetjen tonë ‘çdoherë’, por nëse punoni vetëm për xhepat e juj, na ju hjekmi sikur ata”…

Kjo është e vërtetë. Ne na zgjedhin dhe na hjekin qytetarët. Këtë kurrë mos e harroni.

Nga ana ime, unë do të jem kryeministër që do të udhëheq me parime e me besim mbi bazën e vullnetit të popullit. Vendimet do t’i bazojmë në fakte dhe në shkencë dhe në program dhe çdoherë do të jem i hapur për të gjithë.

Qeveria dhe institucionet publike janë të qytetarëve, ato zgjedhen, përfaqësojnë dhe punojnë për ta dhe në emër të tyre. Këtë duhet ta ketë parasysh secili zyrtar qeveritar i cili ka marrë pozita udhëheqëse sot.

Duhet ta kuptoni që në institucione jeni zgjedhur për të shërbyer e jo për t’u rehatuar e për t’u shpërblyer, prandaj edhe duhet të punoni, për aq sa keni mandat, me gjithë kapacitetin tuaj që të dëshmoni se jeni meritor në pozitat ku jeni vendosur.

Qytetarët me të drejtë presin që të përfaqësohen dhe udhëhiqen nga njerëz të dijshëm dhe kompetent, që respektojnë ligjin dhe që udhëheqin përmes fuqisë së shembullit.

Për të arritur ndryshim dhe progres na duhet bashkëpunim me të

gjithë.

Por për të kryer reformat e nevojshme do të na duhet një mentalitet i ri i punës, sepse sfidave të shekullit 21 nuk mund t’i qasemi me mentalitet të shekullit 20. Shërbyesit publikë nuk janë në shërbim të vetvetes por në shërbim të institucioneve që u shërbejnë qytetarëve.

Andaj edhe do të ofrojmë bashkëpunim, por edhe do të kërkojmë punë, përgjegjësi dhe llogaridhënie nga të gjithë. Është mirë që secili të lexoj termat e referencës sepse në orar të punës do të punohet.

Aty ku është shkelë ligji do të veprohet për të kthyer ligjshmërinë, aty ku mungon dija do të investojmë që të rrisim kapacitet përmes trajnimeve, e aty ku mungon edhe dija edhe vullneti do të veprojmë sipas ligjit sepse administrata publike nuk është vend ‘sa për të marrë një rrogë’.

Ndaj shpërdoruesve dhe keqpërdoruesve të parasë publike dhe pozitave zyrtare do të veprojmë me shpejtësi e mbi bazën e ligjit sepse nuk do të tolerojmë shpërdorimin e pozitës zyrtare dhe keqpërdorimin e parasë publike.

Prandaj ftoj të gjithë shërbyesit publikë që të bashkohen në këtë rrugëtim të ri. Raportoni keqpërdorimet dhe abuzimet me pozita publike në zyrat e departamentet tuaja sepse kjo qeveri do të veprojë ndaj të korruptuarve dhe shkelësve të ligjit.

Të nderuar deputetë e të dashur qytetarë,

Ne jemi shtet i vogël por jemi popull i lashtë. Për të drejtën tonë për të jetuar të lirë në vendin tonë kemi luftuar me shekuj. Shumë na kanë dëmtuar e na kanë shkurtuar. Asgjë nuk na është falur e gjithçka që kemi, e kemi paguar shtrenjtë.

Për lirinë që gëzojmë kemi sakrifikuar shumë, prandaj edhe nuk mund të pushojmë pa e bërë Kosovën vendin që e ëndërruan dëshmorët.

Nuk mund të pushojmë pa bërë Kosovën vendin që e ëndërroi Hasan Prishtina e Isa Boletini, Azem Bejta e Shote Galica, Ukshin Hoti e Adem Demaçi, Adem Jashari e Ibrahim Rugova.

Unë sot jam i mbushur me shpresë se kjo gjeneratë do të dijë t’i përgjigjet thirrjes për ndryshim.

Sepse secila gjeneratë ka pasur thirrjen e tyre. Rilindësit e nxorën kombin tonë nga errësira e sundimit shekullor osman duke na lartësuar gjuhën shqipe e duke formësuar kombin shqiptar që kulmoi me Lidhjen e Prizrenit e më vonë me pavarësinë e Shqipërisë.

Nga pavarësia e Shqipërisë deri në pavarësinë e Kosovës shumë gjenerata u flijuan por sa herë që kishte nevojë ata ju përgjigjen thirrjes së atdheut.

Për neve ata duruan burgjet e torturat.

Për neve luftuan, u rrahën, u plagosen dhe dhanë jetën.

Për ne, që ne të jetojmë të lirë.

Andaj sot i takon kësaj gjenerate të gjej se cila është thirrja jonë. Çfarë duhet të bëjmë ne që të jetësojmë amanetin e tyre.

Nëse pas 20 vjetëve fëmijët tanë do të na pyesin se çfarë bëmë ne kur e patëm mundësinë për të bërë vendin e shtetin, cila do të jetë përgjigja jonë? A dhamë gjithçka që kishim nga vetja jonë? A ju përgjigjëm thirrjes për ndryshim apo zgjodhëm që të injorojmë, të kthejmë kokën në anën tjetër dhe të presim që gjërat të ndryshojnë vetvetiu.

Vendin tonë nuk mund ta bëjmë nëse rrimë. Nëse zgjedhim pushimin në vend të punës apo kënaqësitë e pasurimit dhe të famës në vend të shërbimit ndaj atdheut.

Vendi bëhet nga ata që punojnë e studiojnë fort, që rrezikojnë dhe veprojnë, që bëjnë dhe shpikin gjëra e që sado e rëndë të jetë sakrifica kurrë nuk ndalen dhe kurrë nuk ankohen sepse e dinë që nuk ka sakrificë më të lartë e më sublime sesa shërbimi ndaj atdheut.

Sepse e dinë që nuk ka dashuri më të madhe e më të lartë sesa dashuria ndaj atdheut.

Mospajtimet tona le të jenë për gabimet tona e jo për inate ndaj njëri-tjetrit.

Argumentet tona le të jenë në shërbim të vërtetës e në lartësim të republikës e jo për smirë ndaj njëri-tjetrit.

Le të mos pajtohemi dhe le të luftojmë shumë e fort për të vërteten dhe të drejtën, por kurrë mos të dështojmë që të bëhemi bashkë për të mirën e vendit.

Qeveria e re dhe unë si kryeministër do të bashkëpunojmë fort dhe ngushtë me opozitën dhe shoqërinë civile.

Synojmë koordinim dhe bashkërendim për tema kapitale sikurse:

– Politika e jashtme dhe dialogu me Serbinë. Ndaj Serbisë duhet të jemi të bashkuar. Nga polemikat e mospajtimet e brendshme mund të humbasim ne si liderë e udhëheqës të vendit por nga mospajtimet në politikën e jashtme humbet shteti. Andaj na duhet koordinim dhe bashkërendim dhe konsensus, sidomos ndaj Serbisë dhe dialogut me të. Do të kërkojmë diskutim parlamentar deri në shterim.

– Duhet të arrijmë konsensus edhe në reformën për arsim. Për politikat në arsim duhet të koordinohemi dhe të arrijmë konsensus sepse ndërhyrjet e shpeshta shkaktojnë dëme të mëdha. Për të ardhmen e fëmijëve tanë duhet të gjejmë gjuhën e konsensusit me argumente të ndërtuar mbi fakte.

– Duhet diskutim parlamentar dhe bashkërendim edhe për sigurinë nacionale. Çështjet e sigurisë na prekin të gjithëve prandaj do të sigurohemi që opozita të jetë e mirë-informuar dhe e përfshirë në reformat që synojmë në këtë drejtim.

– Bashkërendim do të kërkojmë edhe për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore. Kjo është po ashtu reformë madhore në të cilën do të zhvillojmë debat të hapur parlamentar e shoqëror sepse duhet të jetë projekt i qëndrueshëm dhe i dobishëm për të gjithë.

– Po ashtu, do të kërkojmë bashkërendim e koordinim për çështjet dhe politikat energjetike.

Këto 5 çështje nacionale janë të rëndësisë së veçantë në të cilat duhet të synojmë konsensus parlamentar dhe shoqëror në mënyrë që të ecim sigurtë përpara.

Partitë politike nuk janë qëllim në vete, por janë mjet për t’i shërbyer shtetit e përmes shtetit qytetarëve, prandaj unë jam i bindur se mund të gjejmë gjuhën e bashkëpunimit nëse udhëhiqemi nga parimet më të mira në të mirë të vendit.

Le të gjykojmë njëri-tjetrin jo për nga partia që përfaqëson por për nga kontributi që jep për shoqërinë dhe për shtetin.

Koha është tash.

Vend dhe moment tjetër nuk kemi.

Prandaj nga këtu, nga organi më i lartë i republikës, ftoj secilin nga ju, brenda dhe jashtë vendit, që të bashkohemi në bërjen e shtetit ashtu siç e ëndërruam dhe dëshiruam.

Fitorja që kemi arritur ka kuptim vetëm nëse i përvishemi punës të gjithë e pa dallim. Ka kuptim vetëm nëse secili jep maksimumin nga vetja e tij dhe pjesën e tij të kontributit sepse kontributin në bërjen e shtetit e kemi obligim që të gjithë, kudo që jemi e çfarëdo që bëjmë e tërë kohën.

Mungesat i kemi të mëdha në secilën fushë, sfidat janë të mëdha, por edhe aspiratat i kemi të mëdha.

Na duhen inxhinierë, bankierë, financierë, ekonomistë, juristë, prokurorë e gjykatës profesionistë e të zotë, me integritet e mbi të gjitha me atdhedashuri të pashembullt që të nxjerrim Kosovën nga llumi i korrupsionit e mjerimit drejt dritës së progresit dhe mirëqenies.

Për profesionistët tanë në diasporë kam këtë porosi: Është e vërtetë se këtu nuk do të gjeni rrogat e Berlinit, Londrës e Neë Yorkut e as parqet e qetësinë e Skandinavisë, por këtu gjeni vendin tuaj i cili ka nevojë për dijen, përvojën dhe aftësitë tuaja. E ku ka më mirë sesa vendi yt.

Nëse jeni të etur për drejtësi, ejani dhe bëhuni prokurorë e gjyqtarë, nëse jeni të etur për punë ejani dhe investoni e hapni biznese. Do të gjeni një qeveri të gatshme për t’ju ndihmuar në çdo hap.

Kosova është e vogël por e pasur. Kemi popullsinë më të re në Evropë e cila është potencial për zhvillim dhe ndryshim. 70% e popullsisë është nën moshën 35 vjeç.

Jemi vend i hapur, me resurse natyrore, kushte klimatike dhe pozitë gjeografike të mirë për investime. Minierat, energjia, bujqësia, ndërtimtaria, teknologjia informative, blegtoria, turizmi, industria e tekstilit, industria e drurit, vreshtaria e përpunimi i ushqimit janë të gjitha potencial i mirë i investimit për investitorët dhe mundësi e zhvillimit të Kosovës.

Le të hapim një kapitull të ri të zhvillimit dhe mirëqenies së bashku sepse kemi edhe pasuritë edhe potencialin e tash edhe vullnetin me një qeveri të përgjegjshme.

Le të luftojmë fort për drejtësi e kundër padrejtësisë kudo e ndaj kujtdo.

Ta lajmërojmë dhe denoncojmë korrupsionin.

Ta mbrojmë dhe ta ruajmë pronën publike.

Ta mbrojmë dhe ruajmë mjedisin.

Të përkrahim dhe mbrojmë njëri-tjetrin sepse jemi të gjithë vëllezër dhe motra.

Ndoshta edhe do të gabojmë por edhe do të mësojmë, e nëse rrëzohemi prapë do të ngritemi më të fuqishëm sepse kurrë nuk do të dorëzohemi derisa ta bëjmë Kosovën vendin që të gjithë e dëshirojmë.

Ju faleminderit dhe le të fillojmë me punët e mëdha që na presin.

Lini një Përgjigje

Hoti nesër ia dorëzon detyrën Kurtit

Ambasadori i Gjermanisë dhe ai i Anglisë urojnë Kurtin