Nga Dode Progni I – LEVIZJA “KRYEZIU” “Lëvizja Kryeziu” ishte emertimi i lëvizjes nacionaliste antifashiste,në Kosovë e Shqipërinë e veriut, gjatë viteve 1940 – 1944,në krye të cilës ishin vëllezërit nga Gjakova,Gani,Said dhe Hasan Kryeziu.Qëllimi strategjik i saj ishte organizimi i lëvizjes antifashiste në Kosovë, ҫlirimi i saj nga nazifashistët,shkëputja nga Serbia dhe bashkimi me shtetin amë,Shqipërinë. Vëllezërit Kryeziu si rrallëkush tjetër në Shqipërinë e asaj kohe kishin kuptuar,që në fillim të Luftës së Dytë Botërore,se rruga më e mundëshme për zgjidhjen e problemit kombëtar shqiptar,ishte sigurimi i mbështetjes nga një fuqi e madhe prendimore,siҫ ishte Britania e Madhe,dhe se një gjë e tillë mund të arrihej vetëm duke luftuar kundër nazifashistëv.Për realizimin e idesë së tyre të guzimshme,Gani e Said Kryeziu, qysh në vitin 1940, hyn në lidhje dhe bashkëpunim me njerëzit e Drejtorisë së Operacioneve të Posaҫme (SOE–së ) të Britanisë së Madhe në Beograd,e cila kishte detyrë të nxiste rezistencën antifashiste në vendet të okupuara. Me ndihmën e SOE–së, Kryezinjtë,gjatë viteve 1940 – 1941,tentuan dy herë të organizonin kryengritjen antifashiste në Kosovë e Shqipëri,por dështuan si pasojë e ndikimit Grek dhe Jugosllav në sferat e larta të politikës së jashme britanike.Grekëve nuk ju interesonte një kryengritje që do të ҫonte në ҫlirimin e Shqipërië. Një Shqipëri e vetëҫliruar dhe e pavarur,do të ishte pengesë për realizimin e synimeve të tyre nacionaliste, në fundin e luftës. Edhe për jugosllavët ishte e padeshiruar një kryengritje antifashiste nacionaliste në Kosovë,e cila do të ҫonte në ҫlirimin e saj. Në një rast të tillë,Kosova mund të siguronte përkrahjen britanike edhe për vetëvendosjen e popullit shqiptar. Për fat të keq,ҫarqet e larta të politikës së jashtme britanike, mbajtën qëndrim negativ për hir të interesave të veҫanta të tyre në Greqinë e Jugosllavinë e asaj kohe. Megjithatë lëvizja Kryeziu,gjatë viteve 1940 – 1941,që bërë një forcë lëvizëse antifashiste e njohur në Kosovë. Me 7 prill 1941,Gani Kryeziu dhe Oklei Hill së bashku me Abaz Kupin,Mustafa Gjinishin,Padër Lekë Lulin, Said Kryeziun etj. organizuan në Tropojë një mbledhje të gjerë me nacionalistë antifashistë nga Kosova, Malësia e Gjakovës, Hasi dhe Luma, ku u formua “Fronti i Bashkuar i Rezistencës”, dhe u vendos fillimi i kryengritjes antifashiste në Shqiperi.1) Me 8 prill 1941,rreth 300 forca të armatosura,shumica e të cilëve ishin kosovarë,dhe njiheshin me emërtimin, divizioni “Kosova”, kaluan Qafën e Prushit, e të Morinës dhe hynë në Has, Bytyç, Gash e Krasniqe.2) Pasi asgjesuan të gjitha postat kufitare, ato të karabinjerisë dhe administratën fashiste në këto krahina, iu drejtuan Nikaj-Merturit e Dukagjinit,me synim sulmin kundër forcave italiane në qytetin e Shkodrës. Këtyre forcave ju bashkuan edhe shumë malësorë antifashistë nga Gashi, Bytyçi, Krasniqja dhe Nikaj-Merturi,duke e rritur numrin e tyre deri në rreth 1000 luftetarë. Paralel, dhe në të njejtën kohë me forcat shqiptare të udhëhequra nga Gani Kryeziu,Abaz Kupi,Oklej Hill etj.kishte ndërmarr marshimin drejt Shkodrës, kundër italianëve, edhe ushtria jugosllave e cila përbëhej nga mijëra ushtarë dhe oficerë. Për këtë ofensivë të ushtrisë jugosëllave Oklei Hilli ish vënë në dijeni vetëm pak ditë përpara fillimit të sajë. ”Ajo,siç thotë Hilli,mendohet të ketë qenë një pjesë e planit jugosllav për të përballuar invazionin e papritur nazist,njëfarë kundërvënje ndaj italianëve.” 3) Por në fakt,ky veprim i pa parashikuar, forcave të Kryeziut ju kushtoi shtrenjtë. Pas disa ditë marshimi në terenin malor e të veshtirë të Dukagjinit, dhe pas luftimeve të zhvilluara në Gur të Kuq,Prekal,Urë e Shtrenjtë,Urë e Mesit etj.kundër forcave të karabinjerisë dhe grupeve të popullsisë vëndase, të ashtuquajtur “Vullnetarë” të cilët qën bashkuar me forcat fashiste për të “mbrojtur” krahinën nga pushtuesit serbo-malazezë–shkiet, siç i quanin ata, forcat e ardhura nga Jugosllavia, të cilat kudo kaluan nëpër malësi përdorën vetëm gjuhën serbo-kroatishte. Këto të fundit, me datë 23 prill 1941, u detyruan të ndalojnë marshi- min dhe të tërhiqen drejt Kosovës dhe Jugosllavisë,të shpartalluara totalisht.4) Pa hyrë ne hollësitë e kësaj ngjarje të ndërlikuar,ç’ka do të ishte objekt i një studimi të veҫantë, duhet pranuar fakti se, një nga shakqet kryesore që solli dështimin e forcave të Kryeziut, ishte pjesëmarrja e ushtrisë jugosllave në këtë operacion. Një gjë të tillë e pohon Oklei Hill kur thotë: “Qe pikërisht prania e ushtrisë jugosllave që krijoi atë armiqësi me të cilën ne u ndeshëm në veriprendim të maleve të veriut dhe që na hoqi të gjitha shanset për të pasur sukses atje… Denimin më të madh-vazhdon ai- na e bëri hyrja e jugosllavëve në Shqipëri.Të mos kish ndodhur kjo,ne do të mundë të lëviznim pa zhurmë dhe pa bujë në male e kodra dhe të gjenim strehim duke u shpërnda në shtëpitë e malësorëve…Ata nuk do të kishin pasur ndonjë arësye t’i kundërviheshin çetës s’onë të thjeshtë shqiptare, veçanarisht kur mbështeteshim nga Nikajt katolikë dhe Krasniqja…Puna ishte se tërë veriu i largët kishte dijeni për praninë tone atje dhe se disa mendonin se ne ishim vegla e jugosllavëve. Ky qe grushti fatal.” 5) Nga ana tjetër,pikërishtë ato ditë kur këto forca ndërmorën marshimin drejt Shkodrës, Gjermania naziste pushtoi Jugosllavinë. Kjo ndryshoi krejtësisht situatën në favorin e nazifashistëve,jo vetëm në Jugosllavi,po edhe në Shqipëri e krejt Ballkanin,duke e bërë të pamundur vazhdimin e nismës në fjale,për një kryengritje antifashiste në Shqiperi. Projekti britanik i dhjetorit 1940 dhe i prillit 1941,për organizimin e kryengritjes në Kosovë e Shqipëri,nën drejtimin e Gani Kryeziut, pavarësisht se dështoi, tregoi se,Ganiu me vëllezërit e tij qysh në atë kohë ishin bërë figura të njohura të lëvizjes antifashiste në Kosovë e Shqipëri. Për shkak të kësaj veprimtarie,në fund të vitit 1941,Ganiu dhe Saidi u arrestuan nga gjermanët,dhe pasi ua dorëzuan italianëve,këta të fundit i internuan ne Ventotene të Italisë,ku qëndruan dy vjet. Gjatë periudhës 1942-1943,Lëvizja Kryeziu u mbajt gjallë dhe u drejtua nga Hasan Kryeziu,i cili i kishte shpëtuar internimit.Ky mbajti vazhdimisht pranë vetes një numër të konsiderueshëm përkrahësish për propagandë dhe aksione antifashiste në Kosovë. Në gjysmën e dytë të vitit 1943, në pikëpamje numerike dhe organizative, kjo ishte bërë një forcë serioze e luftës antifashiste,e njohur në Kosovë dhe Shqipëri. Prandaj udhëhëqesit komunistë të lëvizjes nacional – çlirimtare, Enver Hoxha dhe Sejfulla Malishova,në gusht të vitit 1943, i kërkuan Hasan Kryeziut bashkimin e forcave të tij me forcat partizane.6) H. Kryeziu e kundërshtoi këtë kërkesë, sepse ruante idenë e pavarësise së forcave nacionaliste nga komanda komuniste,për shkak së këta të fundit kishin lidhje të ngushta me komunistët serbo-malazezë.
vijon
MASAKRA E HEREҪIT –VEPER KRIMINALE E UDHEHEQJES KOMUNISTE JUGOSLLAVE DHE ASAJ SHQIPTARE.


