Aeroplanët rusë goditën të dielën kampet e trajnimit të kryengritësve në veri-perëndim të Sirisë pranë kufirit turk. Artileria siriane vrau shtatë civilë dhe plagosi 14 punonjës shëndetësorë në një sulm ndaj një spitali në zonë, thanë dëshmitarët dhe rebelët.
Burimet thonë se qyteti Qah u godit gjithashtu nga një sulm rus i raketave tokë-tokë, ndërsa avionët rusë qëlluan me raketa pranë kampeve të refugjatëve të populluar dendur përgjatë kufirit me Turqinë. Një fabrikë gazi pranë qytetit Sarmada në provincën Idlib u godit, por nuk raportohet për viktima.
Një zëdhënës i Ushtrisë Kombëtare, aleancë rebele e mbështetur nga Turqia në veriperëndim, tha se Rusia, e cila mbështet qeverinë në Damask, ishte përpjekur të destabilizonte bastionin e fundit të rebelëve në Siri, por që një sulm i madh në Idlib nuk pritej së shpejti.”Sulmet ajrore ruse vazhdojnë. Raketat balistike kanë goditur gjithashtu zona pranë vendeve civile,” i tha Major Youssef Hamoud Reuters. “Ata inkurajojnë kaos dhe konfuzion,” shtoi ai.
Ministria Turke e Mbrojtjes tha se një raketë e lëshuar nga autoritetet siriane goditi qytetin Qah dhe një parking për kamionë dhe rimorkio afër Sarmada, duke plagosur shtatë civilë.
Sipas ministrisë, një kërkesë iu dërgua Rusisë për një ndërprerje të menjëhershme të sulmit. Trupat turke janë paralajmëruar për sulme të mundshme.
Askush nga Moska nuk e komentoi situatën.
Burimet rebele gjithashtu thanë se shtatë civilë, përfshirë një grua dhe një fëmijë, u vranë në një sulm artilerie qeveritare ndaj një spitali në qytetin e Atareb.


