Familja e 29-vjeçarit Agonis Tetaj nga fshati Llukë i Deçanit, i cili u vra në vendin e tij të punës, do të dorëzojë kallëzim penal ndaj prokurorit Agron Uka, i cili e rikualifikoi veprën penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje nga pakujdesia”.
Dy ditë pasi prokurori Agron Uka e rikualifikoi rastin e vrasjes së riut nga “Vrasje e rëndë” në Vrasje nga pakujdesia”, familja e viktimës ka ngritur kallëzim penal ndaj tij.
Avokati i familjes Tetaj, Berat Tmava ka deklaruar për Gazetën Express se ka fakte të mjaftueshme që prokurorit Uka t’i ngrihet aktakuzë, për shkak të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit të tij.
“Jam në përgatitje të dokumentacionit. E kam bërë kallëzimin penal ndaj prokurorit që i ka ndërmarrë ato veprime. Ka fakte të mjaftueshme që të hetohet ky prokuror dhe të ngrihet aktakuzë ndaj tij, për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit të tij””, ka deklaruar Tmava.


