in

Prokurorët amerikanë: të paktën 100 të arrestuar të tjerë për sulmet ndaj Kapitolit

Prokurorët amerikanë thonë se do të jenë të paktën 100 persona të tjerë ndaj të cilëve do të ngrihen akuza në lidhje me sulmet e 6 janarit ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, duke e ngritur kështu në 400 numrin e njerëzve që do të përballen me akuza nga prokurorët.

Kjo u mësua nga dokumentat e paraqitura në gjykatë të premten në kuadrin e një çështjeje konspiracioni të gjerë, ku janë përfshirë edhe nëntë anëtarë të organizatës anti-qeveritare “Oath Keepers”, të cilët përballen me akuza për konspiracion gjatë sulmeve ndaj Kapitolit. Tre anëtarë të tjerë të këtij grupi janë arrestuar veçmazi.

Nga pothuajse 800 mbështetësit e ish-Presidentit Donald Trump që hynë me forcë në godinë në përpjekje për të zhbërë humbjen e tij gjatë zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, mbi 300 janë akuzuar tashmë, dhe akuza të reja vazhdojnë të ngrihen çdo ditë.

Megjithatë, qindra të tjerë, shumë prej të cilëve janë fiksuar në fotografi dhe në video, janë ende të lirë, ndërkohë që Byroja Federale e Hetimit (FBI) vazhdon t’i kërkojë.

“Hetimi vazhdon dhe qeveria pret që të ngrihen akuza ndaj të paktën 100 personave të tjerë”, shkruajnë prokurorët në dokumentat e dërguara gjykatës, ku kërkohet më shumë kohë për të përgatitur çështjen kundër anëtarëve të organizatës Oath Keepers. Sipas Qendrës Jugore Ligjore për Varfërinë, një grup i aktivizmit ligjor, Oath Keepers është “një nga grupet më të mëdha radikale antiqeveritare” në Shtetet e Bashkuara. Organizata pretendon se ka dhjetëra mijëra anëtarë.

Muajin e kaluar, Jessica Watkins, kryetare e grupit të Oath Keepers që hynë me forcë në Kapitol, e denoncoi publikisht organizatën. VOA

Lini një Përgjigje

Më 2020 "u vranë 65 punëtorë mediash në botë"

Përshkallëzohet grindja mes SHBA dhe aleatëve rreth furnizimit me vaksina