Agjencia gjermane e zbulimit të brendshëm thotë se ka prova të mjaftueshme që justifikojnë etiketimin e partisë kryesore opozitare në vend, Alternativës për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë si “anti-kushtetuese” dhe si organizatë armiqësore ndaj demokracisë.
Ndërkohë që mbetet një gjysmë viti deri në zgjedhjet e ardhshme, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) kërkon nga gjykata autorizim për të vënë të gjithë partinë nën mbikqyrje. Të premten, një gjykatë dha urdhër që zyra BfV të shtynte survejimin deri kur të merrej një vendim mbi ankesën që ka paraqitur partia ndaj mbikqyrjes.
Nëse gjykata bie dakord për të etiketuar AfD-në si kërcënim për demokracinë, agjencia do të jetë në gjendje të shtojë survejimin e partisë dhe anëtarëve të saj, duke lejuar zyrën BfV të përgjojë komunikimet mes anëtarëve të partisë dhe të rekrutojë informatorë.
Zyrtarët e AfD-së thanë se ky akt do të ishte anti-demokratik dhe “një përpjekje skandaloze” për të ndikuar tek opinioni publik lidhur me partinë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale që do të diktonin mundësinë e kësaj force politike për të konkurruar në një hap me rivalët e saj.
Por politikanë të partive të tjera thonë se përgjimi është i nevojshëm.“Koncepti i një demokracie që meriton mbrojtje nënkupton identifikimin dhe luftimin e kundërshtarëve të rendit demokratik bazë,” tha Volker Ullrich, zëdhënës për punët e brendshme për CSU-në, partia bavareze si-motër e Kristian-Demokratëve të Kancelares Angela Merkel.
Ligjvënësi i Partisë së Gjelbër Konstantin von Notz tha për rrjetin Deutsche Welle: “E dimë nga historia jonë se edhe në demokraci, armiqtë e sundimit të ligjit mund të arrijnë të zgjidhen” dhe “më pas të eliminojnë demokracinë dhe shtetin ligjor”.
Nëse Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, BfV, arrin të sigurojë aprovim nga gjykata, kjo do të ishte një arritje historike. Alternativa për Gjermaninë (AfD) nuk do të ishte partia e parë politike gjermane që vihej nën përgjim, pasi kjo u realizua fillimisht ndaj Die Linke me pikëpamje majtiste, e cila ishte nën survejim që nga 2007-2014 nën dyshimet për ekstremizëm. Por kjo do të shënonte të parën herë që nga Lufta II Botërore që forca kryesore opozitare në parlamentin gjerman do të deklarohej si ekstremiste.
Zyrtarë të zbulimit gjerman thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër përveç shenjestrimit të AfD-së, duke argumentuar se që nga themelimi i saj në 2013 si një forcë politike euro-skeptike dhe anti-imigracion, ajo ishte zhvendosur drejt ekstremit të djathtë.
Influenca në rritje i fraksionit Flügel
Shqetësimi kryesor i zyrtarëve federalë të BfV rrjedh nga ndikimi në rritje i Flügel-it, një fraksion brenda AfD-së i cili u shpërbë zyrtarisht vitin e kaluar, por ish-pasues të tij, thonë analistët dhe zyrtarët, po vazhdojnë të operojnë dhe po zgjerojnë ndikimin e tyre.
Vendimi i zyrtarëve të BfV-së për të vënë në shenjestër Alternativën për Gjermaninë u mor pas një hetimi një vjeçar që rezultoi në një raport me 1,000 faqe. Studimi u realizua nga agjentë të zyrës federale BfV, si dhe nga juristë dhe akademikë mbi ekstremizmin, të cilët analizuan fjalime, intervista dhe postime në median sociale të 302 drejtuesve dhe zyrtarëve të AfD-së.
Sipas revistës Der Spiegel, e cila kishte në zotërim një kopje të raportit, dokumenti arrin në përfundimin se AfD-ja ka marrëdhënie të dyshimta me demokracinë dhe nuk do t’ia dijë për të drejtat e njeriut. Duke nxitur urrejtje ndaj myslimanëve dhe imigrantëve, kjo forcë politike po helmon klimën politike në vend dhe kërcënon të ndezë dhunë, thonë autorët e raportit. Një pjesë e konsiderueshme e partisë, thuhet në raport, “kërkon të rizgjojë ose forcojë ndjenjat kundër qeverisë gjermane dhe kundër të gjitha partive të tjera dhe përfaqësuesve të tyre”.
Autorët e raportit gjithashtu shqetësohen se “retorika negative me komente përçmuse për rendin demokratik dhe për kundërshtarët politikë” të AfD-së ka rrezik të nxisë dhunë politike të ngjashme me ngjarjet e 6 janarit në Uashington, kur përkrahës të ish-Presidentit Trump nga grupe të skajshme, përfshirë lëvizjen që ushqen teori konspirative, QAnon, sulmuan Kapitolin në përpjekje për të ndërprerë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve që nxorën fitues demokratin, Joe Biden.
Autorët nënvizojnë se në gusht Bundeshtagu u sulmua kur qindra protestues u vërsulën me flamuj me ngjyrat e ish-perandorisë gjermane, ngjyra që më pas u përqafuan edhe nga nazistët. Policia arriti ta sprapsë turmën.
Megjithëse AfD-ja ka përjetuar rënie të popullaritetit në anketa që nga fillimi i pandemisë, për shembull muajin e kaluar rezultoi me vetëm 9% mbështetje në anketa, zyrtarët thonë se ekstremistë të dhunshëm të krahut të djathtë, të bashkuar në kundërshtitë e tyre ndaj atyre që i shohin masat qeveritare si kufizime të paligjshme të lirisë, po forcojnë pozitat falë pandemisë dhe po mobilizohen me thirrjet e mbështetura në teori konspirative anti-qeveritare.
“Po e forcojmë mbikqyrjen ndaj grupeve dhe individëve në listat tona dhe po i zgjerojmë këto lista, sidomos pas sulmit në Kongresin amerikan,” tha muajin e kaluar për Zërin e Amerikës një zyrtar i zbulimit gjerman. Zyra federale BfV prej muajsh ka nën mbikqyrje disa degë rajonale të AfD-së.
Sipas analistëve, Gjermania përfaqëson një përqindje të lartë të pasuesve evropianë të teorive konspirative të lëvizjes QAnon, të cilët besojnë se ish-Presidenti Donald Trump është angazhuar në një luftë sekrete kundër elitës simpatizante të Djallit dhe pedofilëve në qeveri, biznese e media. Flamujt e pasuesve të kësaj lëvizjeje me simbolin “Q” u panë në Uashington më 6 janar dhe janë parë edhe në protesta në Gjermani.
Zyrtarë të zbulimit gjerman kanë shprehur shqetësim edhe për shtimin e lidhjeve mes partisë AfD dhe grupeve të tjera që ata i konsiderojnë si ekstremiste, ndër ta lëvizjes kundër refugjatëve “Ein Prozent” (Një Për Qind). VOA