Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, i ka komentuar mospajtimet që i ka pasur gjatë mbledhjeve të fundit, me përfaqësuesin e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi.
Daka në Rubikon në Klan Kosova, theksoi që me Kurteshin nuk ka asgjë personale.
“Nuk i kuptoj sjelljet e një anëtari të KQZ-së, pasi nuk është hera e parë që kemi përfaqësues të VV-së. Edhe në vitin 2019, kemi pasë dy përfaqësues me të cilët kam pasë një raport normal dhe njerëzor. Kemi pasë një bashkëpunim gjatë zgjedhjeve të këtij viti, në zgjedhjet ku poashtu VV-ja ka fituar numrin më të madh të votave”.
“Asnjëherë nuk është vënë në pikëpyetje mënyra si unë i kam udhëhequr mbledhjet, as mënyra si kam votuar dhe as mënyra si janë menaxhuar këto mbledhje. Është e çuditshme se përse përnjëherë ky mllef, apo ndoshta thjesht prania ime i pengon dikujt. Kurteshin asnjëherë në jetë se kam takuar para se me ardh në KQZ. Nuk kemi provuar të qartësojmë raportin, nuk e konsideroj që duhet të diskutojmë pasi është e dukshme që diçka nuk është në rregull dhe nuk e konsideroj që kjo është personale”, theksoi tutje Daka.
Daka gjithashtu ka treguar arsyet pse ajo është larguar disa herë nga mbledhjet e KQZ-së.
“Jam larguar, sepse mbledhjet kur mbahen ka një rregull. Pra, anëtarët e KQZ-së duhet të marrin fjalën, duhet t’i përmbahen agjendës dhe rendit të ditës. Natyrisht, që në momentin e shoh që mbledhja ka dalë nga binarët dhe nuk po zhvillohet sipas agjendës dhe kur e shoh që anëtarët nuk mund të kontrollohen, jam e detyruar ta ndërpres mbledhjen pasi këtë e parasheh edhe rregullorja e punës”.
“Rregullorja, poashtu parasheh që nëse një anëtar që nuk i përmbahet rregullave, mund të largohet nga mbledhja. Nuk kemi ardhë në stadin ku të përleshemi fizikisht, pasi nuk jemi në ring. Nuk mund ta largoj dikë fizikisht nga mbledhja, pasi qartazi shihet që nuk mund t’i ndërpres monologjet të cilat i bën Kurteshi”.
“Ende s’e di arsyen pse u shndërrova në target të të gjitha fyerjeve në rrjete sociale”
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, e ka komentuar sërish deklaratën e saj ku tha që ” jam bërë personi më i urryer në tre javët e fundit”.
Ajo këto deklarata i ka bërë gjatë njërës prej mbledhjeve të KQZ-së, ku pasë edhe një përplasje me anëtarin e VV-së, Sami Kurteshi, për pranimin e votave nga diaspora.
Daka ka thënë që ende nuk e di arsyen pse ajo u shndërrua në target të të gjitha ofendimeve në media dhe rrjete sociale.
“Thashë kështu, pasi fatkeqësisht edhe pse nuk e di arsyen, unë u shndërrova në target të të gjitha fyerjeve, ofendimeve në rrjete sociale, në media dhe gjithkund nga njerëzit e njohur dhe të panjohur; nga njerëz që s’mund ta paramendojnë se çfarë bartë procesi zgjedhor”.
“Nuk e kam ditur asnjëherë arsyen përse. Edhe sot e kësaj dite, nuk e kuptoj pse i gjithë mllefi i opinionit është kthyer në një person dhe unë jam shndërruar në personin në të cilin dikush, e ka ngërthyer të gjithë fushatën dhe e ka mbështetur të gjithë fushatën e tij kundër meje”.
“Nuk kisha dashtë me personalizu, pasi dihet shumë qartazi në opinion se kush ka drejtuar gishtin vazhdimisht nga unë, edhe pse sot nuk e kuptoj pse –në”, ka thënë Daka duke aluduar në Lëvizjen Vetëvendosje.