Italia të enjten organizoi funeral shtetëror për ambasadorin e vet në Republikën Demokratike të Kongos dhe truprojën e tij që u vranë në pritë në shtetin afrikan.
Ambasadori i ndjerë, Luca Attanasio, 43 vjeç, dhe truproja Vittorio Iacovacci, 30 vjeç, u qëlluan për vdekje pasi u rrëmbyen përderisa ishin duke udhëtuar me një konvoj të Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara për të parë një projekt në shkollë të hënën. Në këtë sulm mbeti i vrarë edhe vozitësi i Programit Botëror të Ushqimit, Mustapha Milambo.
Në funeral morën pjesë kryeministri italian, Mario Draghi, dhe ministrat qeveritarë. Funerali i mbajt në basilikën e Shën Mërisë së Engjëjve dhe Martirëve, kishë që përdoret për rituale fetare për udhëheqësit kombëtarë dhe figurat e kulturës, shkruan Reuters.
Arkivolet e mbuluara me flamuj italianë morën përshëndetje ushtarake pasi u tërhoqën nga veturat për funerale. Një ushtar thirri “nderim për të rënët” dhe një grup muzikor ushtarak luajti një pikë muzikore pikëlluese përderisa trupat po dërgoheshin në kishë.


